I dha fitoren Erzenit në derbin e Durrësit, Kacbufi: Më frymëzon Serxho Ramos, ja pritshmëritë e mia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2023 | 17:00

I dha fitoren Erzenit në derbin e Durrësit, Kacbufi: Më frymëzon Serxho Ramos, ja pritshmëritë e mia

Erzeni la pas javën e tetë të kampionatit, ku falë golit të vetëm të Alesandro Kacbufit, arriti të marrë 3 pikë shumë të vlefshme, në këtë kampionat që po bëhet vërtet surprizues e i papritur.bandicam 2023-10-08 19-38-29-311

Mbrojtësi 22-vjeçari, Alesandro Kacbufi, iu bashkua shijakasve këtë sezon e po bën mjaft mirë me paraqitjet e tij. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport” ai tregon për rrugëtimin e tij futbollistik që pikënisjen e ka në një shtet të huaj e deri në ditët e sotme. Kavajasi nuk lë pa përfshirë në mirënjohjet e tij, Besën, ekipin që i ka hapur dyert e formimit të tij. Ai ndalet dhe në çështje të tjera gjithashtu.

Alesandro, nga informacione paraprake kemi mësuar që karrierën futbollistike e keni nisur në Itali. Sa vite zgjati si eksperiencë?

Po është e vërtetë. E kam filluar futbollin në moshën 5 – vjeçare në akademinë Audax Travaco deri në moshën 9-vjeçare. Kjo akademi është pjesë e qytetit Pavia, atje dhe ku kam lindur. Pozicioni fillestar i imi ka qenë si mesfushor i djathtë e më pas përfundova mbrojtës i djathtë (qeshën). Gjithashtu kam të ruajtura medalje e trofe, të fituara që janë simbol i një të kaluare që më sjell nostalgji e frymëzim për vitet në vazhdim.

Po për sa u përket vendimeve të rikthimit në Shqipëri, e për të luajtur me Besën?

Rikthimi në shtëpi, ishte një vendim i marrë nga prindërit. Situata ishte e vështirë për ata të dy, por nuk mërzitem, sepse nga ata të dy kam mësuar që gjithçka ndodh për një qëllim të mirë. Me ekipin e Besës jam në “borxh”. Shprehem kështu, sepse aty jam krijuar si futbollist. Më ka dhënë një mbështetje siç e thashë më lart, të pashlyeshme. Aty kam dal kampion me moshat, më pas u bëra kapiten. Pra një periudhë vërtet e veçantë, e ishte nder t’i shërbeja qytetit tim në atë formë.

Pas shënimit të golit, cili ishte mesazhi më i bukur që keni marrë?

Telefonata e prindërve. Ishin të emocionuar, aq sa flisnin pa radhë (qeshën), duke u ngatërruar me njëri-tjetrin, në urimet e tyre. Më pas dhe tifozëria shijakase, me mesazhe vërtet emocionuese.

Cilat janë pritshmëritë që keni me ekipin e Erzenit?

Dua vetëm një gjë. T’ia shpërblej presidencës, trajnerit, shokëve të ekipit besimin që më kanë dhënë, e në fund vetes sime me punë të vazhdueshme. Shpresoj të bëjmë një sezon të mirë.

Cili futbollist botëror ju ka frymëzuar gjithmonë?

Serxho Ramos. Më ka pëlqyer gjithmonë loja që bën, mbylljet, agresiviteti, provokimet, asist, etj. Vazhdoj ta kem idhull edhe sot.

ERALD DERVISHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"