Hysolli tregon momentin e tij pozitiv te Tomori: Goli me Burrelin pati rëndësi të dyfishtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 0:15

Hysolli tregon momentin e tij pozitiv te Tomori: Goli me Burrelin pati rëndësi të dyfishtë

Tomori më në fund e ka gjetur veten, por beratasit janë kujtuar vonë, pasi fati i tyre është vendosur dhe sezonin e ri e nisin nga Kategoria e Dytë. Pas fitores me Burrelin ekipi mori një ditë pushim si “shpërblim” dhe të martën Tomori i është rikthyer stërvitjes për ndeshjen e radhës.

kevin hysolli tomori

Mesfushori korçar, Kevin Hysolli, po kryen rolin e protagonistit te Tomori në këtë periudhë, jo vetëm sa i përket lojës së bukur me aksionet sulmuese ku koordinohet perfekt me futbollistët e tjerë, por ka spikatur edhe si shënues. I fundit ishte goli trepikësh me Burrelin. Në këtë përballje, Hysolli ka realizuar golin e tij të tretë në këtë kampionat. Duke vlerësuar stabilitetin që ka gjetur ai në planin personal, si dhe të skuadrës nën drejtimin e trajnerit Iken Droboniku, mesfushori ka bërë të ditur se përkundrejt rrëzimit nga kategoria të skuadrës beratase, Hysolli ashtu si gjithë pjesa tjetër e skuadrës, është i vendosur që t’i shërbejë Tomorit deri në ndeshjen e fundit të kampionatit.

“Në Berat jam vlerësuar dhe respektuar që ditën e parë kur erdha te Tomori. Kështu që i jam mirënjohës ish-trajnerit Arbëri dhe tifozëve vendës, por dhe teknikut aktual Droboniku, me të cilin kam gjetur motivin për të luajtur. E them këtë, pasi për një periudhë tre mujore kishim humbur besimin dhe nuk po orientoheshim dot për shkak edhe të disfatave të njëpasnjëshme në kampionat. Personalisht më ka kënaqur goli me Burrelin, i cili kishte një rëndësi të dyfishtë për mua, sepse ishte goli i tretë në këtë kampionat, si dhe i pari në aksion. Ndërkohë, kishte edhe vlerën e tri pikëve. Nisur nga ndeshja e fundit, i kam vënë detyrë vetes që t’i shërbej Tomorit deri në fund, duke lënë gjurmë pozitive”, përfundon mesfushori korçar i beratasve.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"