Hysenshahaj: Ecuria katastrofë, duhet ndërhyrë urgjent në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2022 | 17:09

Hysenshahaj: Ecuria katastrofë, duhet ndërhyrë urgjent në merkato

Apolonia po lëngon. Kanë marrë vetëm 9 pikë në po kaq ndeshje, duke u renditur në zonën e rënies. Situata është katastrofike, e megjithatë shanset për të rikuperuar ekzistojnë.

Taulant Hysenshahaj Apolonia

Si “bonus” vjen e prapambetura me Skënderbeun, që luhet të dielën në orën 13:00 në “Loni Papuçiu”. Nëse e mundin, do të ngjiteshin të 8-ët. Ish-kapiteni Taulant Hysenshahaj mendon se fierakët po i dëmton mungesa e përvojës. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, analizon atë që nuk shkon me bardhejeshilët dhe si shpëtim sheh vetëm afrimet në merkato.

Apolonia ka grumbulluar vetëm nëntë pikë në nëntë javë të luajtura. A janë pak pikë të arritura për një ekip si Apolonia?

Sigurisht që janë pak pikë për një ekip si Apolonia. As që e mendoja ndonjëherë këtë nisje katastrofike. Statistikat flasin qartë dhe tregojnë se bardhejeshilët kanë marrë vetëm një pikë për ndeshje. Më duhet ta pranoj që kjo Apoloni ka mjaft problematika dhe problemi i parë që ka pasuar të tjerët me radhë është largimi i trajnerit Klevis Dalipi.

Sa e keni ndjekur Apoloninë këtë sezon?

E kam ndjekur Apoloninë aq sa kam mundur. Nga larg vërej se e mira e vetme e Apolonisë është investimi te lojtarët e rinj. Realisht është për t’u vlerësuar, se shumë pak ekipe në Shqipëri u japin këtë mundësi të artë. Përpos anës së mirë, kjo nuk mjafton për të pasur sukses në Kategorinë e Parë. Ajo që mungon së tepërmi në ekip është përvoja dhe pjekuria. Kjo vjen si pasojë e faktit se ndër vite Apolonia nuk ka krijuar një bazë të shëndetshme lojtarësh me eksperiencë.

Si dilet nga kjo situatë e vështirë?

“Goditjet” e duhura në merkato. Personalisht mendoj se në janar duhet të përforcohen patjetër me lojtarë me eksperiencë. Vështirësia dhe konkurrenca është shtuar ndjeshëm në Kategorinë e Parë, por në fund Apolonia nuk do ta rrezikojë mbijetesën. Ndeshjet në shtëpi as që duhen diskutuar, sidomos në këtë moment delikat prandaj në ndeshjen e radhës me Skënderbeun duhet të bëjnë autokritikë të menjëhershme.

Të dielën presin Skënderbeun. Si e parashikoni këtë duel?

Patjetër që po, e besoj dhe e uroj shumë suksesin përballë korçarëve. Jo vetëm se do të marrin tri pikë, por se kjo fitore do të rrisë më shumë besimin dhe moralin në radhët e lojtarëve fierakë. I bindur që këta të fundit me lojtarin e dymbëdhjetë në shkallët e stadiumit do ta mposhtin Skënderbeun. E konsideroj një ndeshje jetike prandaj triumfi nuk duhet diskutuar.

Nëse nuk e rrezikon mbijetesën, a mendoni se e arrin dot kështu “Abissnet Superiore”?

Ndryshon puna me “Abissnet Superiore” sepse kjo e fundit është tepër e vështirë për t’u arritur. Fillimi i sezonit nuk është aspak shpresëdhënës për të ardhmen. Në radhë të parë duhet një menaxhim a organizim më i mirë nga ana e klubit që rrjedhimisht të mos përsëriten më të njëjtat gabime. Vit pas viti skuadra fierake lëngon, sikur tjetërsohet deri në atë pikë që nuk mund të synojë më lart.

E krahasoni dot Apoloninë kur luanit ju me Apoloninë e tanishme?

Të tregohem i sinqertë as kur kam qenë unë nuk ka qenë një kohë e mirë për Apoloninë. Ajo që vë re sot është se shumë lojtarë pas një humbjeje dalin nëpër rrjetet sociale sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Mendoj dhe duhet që lojtarët fierakë ta ndiejnë pak më shumë peshën e fanellës që kanë veshur.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"