Hyrje-dalje tek Apolonia, një mesfushor shqetëson trajnerin Mërgjyshi para sfidës me Vorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 17:44

Hyrje-dalje tek Apolonia, një mesfushor shqetëson trajnerin Mërgjyshi para sfidës me Vorën

U mendua se Apolonia do të shkonte me skuadër të plotë në sfidën e së shtunës kundër Vorës, e vlefshme për javën e 28-të të kampionatit. Por, nuk do të jetë kështu as këtë herë. Mesi i fazës së tretë të kampionatit i gjen fierakët sërish me mungesa.

apolonia

Rrezikon shumë ta humbasë këtë takim mesfushori i krahut të majtë Yasin Umar Rajab, për të mos thënë e ka humbur. Ai është një nga titullarët më të rëndësishëm të ekipit fierak. Nga sa mësohet, lojtari kenian ka pësuar një dëmtim në kyçin e këmbës së djathtë dhe i duhet të qëndrojë disa ditë pushim, sipas rekomandimit të mjekëve. Yasin nuk është stërvitur të martën dhe sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë në fushë në stadiumin “Loni Papuçiu”, ku Apolonia do të presë Vorën.

Një ndeshje kyçe kjo, ku vetëm fitorja i mban fierakët brenda objektivit sezonal për 4-shen e parë, por stafi teknik sigurisht që nuk do të rrezikojë. Mbetet për t’u parë, nëse mesfushori i majtë do të arrijë të rikuperohet në kohë apo jo për ndeshjen pasardhëse me Elbasanin, që zhvillohet më 13 prill, pra fundjavën e ardhshme. Para Vorës vijnë edhe lajme të mira nga infermieria fierake, sepse gjasat janë që ta kenë të gatshëm plotësisht mesfushorin me tipare sulmuese, Stefano Omeri.

Golashënuesi i tretë më i mirë i ekipit e ka kaluar testin e formës fizike pas dëmtimit, më saktë është përgjigjur pozitivisht ndaj ngarkesës së dhënë nga stafi, duke treguar se dëmtimi është kaluar tashmë. Një lajm ky që ka risjellë humorin dhe qetësinë. Me rikuperimin e plotë të Omerit, ekipi zëvendëson kështu më së miri mesfushorin e dëmtuar, Yasin Umar Rajab në prag të një ndeshje kaq të rëndësishme.

Mesfushori Stefano Omeri, ka qenë gjithashtu një nga lojtarët më të pafat sa u përket lëndimeve, por duket se është rikuperuar plotësisht dhe është vënë nën urdhrat e trajnerit Mërgjyshi me kohë dhe ngarkesë të plotë. Në ndeshjen me Flamurtarin, ai u preferua disa minuta në pjesën e dytë, por me Vorën hedh kandidaturën për ta nisur titullar. Tani më shumë se kurrë, fierakët kanë nevojë për shërbimet e tij, pasi konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më me shumë potencial në këtë skuadër.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"