Humbja ndaj Skënderbeut, Zekiç: Në fushë s’luajnë emrat, folëm 3 ditë dhe sërish gabuam

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2023 | 18:48

Humbja ndaj Skënderbeut, Zekiç: Në fushë s’luajnë emrat, folëm 3 ditë dhe sërish gabuam

Trajneri i Partizanit, Zoran Zekiç, nuk i kurseu kritikat për skuadrën e tij pas humbjes ndaj Skënderbeut. Në konferencën pas ndeshjes, trajneri kroat shprehet se skuadra nuk iu përgjigj aspak në pjesën e dytë, kur ishin shumë të ngadaltë dhe të vonuar në topat e gjatë dhe ata të dytë. Zekiç shton se në fushë nuk luajnë emrat, por duhet treguar cilësia që mbart ekipi.

zekic

Një pjesë e parë e mirë, por një paraqitje ndryshe në të dytën. Çfarë ndodhi?

Në pjesën e parë bëmë një lojë më të mirë se në pjesën e dytë, kishim shpejtësinë e duhur në aksionet tona sulmuese. Por në pjesën dytë nuk ishim në nivelin e duhur, nuk arritëm të shtynim deri në linjën e fundit të Skënderbeut. Humbëm shumë topa të gjatë dhe nuk arrinim të përfitonim në momentet e topit të dytë. U munduam të ndryshonim diçka, por sot (dje) gjërat nuk shkuan siç donim. Keni një ekip me mjaft kualitet.

Çfarë mungoi që skuadra nuk e tregoi këtë në fushën e lojës?

Në fushë nuk luajnë emrat. Skuadra duhet të ketë dëshirë, të jetë më e përqendruar për të shënuar. Herë pas here duhet të jemi më të zgjuar në lojën sulmuese. Jam i inatosur, sepse nëse ti nuk je i shpejtë në presing, kundërshtari mund të luajë me topa të gjatë. Ne e kemi folur këtë me lojtarët për tri ditë dhe pas kësaj nuk ishim të përgatitur. Humbëm duel ajror dhe askush nuk e mbuloi zonën. Më pas morëm një penallti të tillë. Ka shumë gjëra për të folur rreth kësaj.

Ndikuan mungesat në paraqitjen e skuadrës në këtë ndeshje?

Sigurisht që kemi shumë probleme fizike. Kishim pak kohë për t’u përgatitur dhe patëm probleme me lojtarët e dëmtuar. Por sot (dje) kishim 20-22 lojtarë dhe çdonjëri prej tyre vesh fanellën e Partizanit. Çdokush prej tyre është i sigurt se e meriton të luajë.

Përse skuadra ndryshoi në pjesën e dytë, siç edhe ju e konstatuat?

Në pjesën e parë kishim kontroll dhe disa situata për të shënuar, por nuk ishim të përqendruar për të shënuar. Në disa shanse që krijuam, nëse do të ishim më të qartë, do të kishim shënuar. Në të dytën ishim shumë të ngadaltë me topin dhe pa topin në këmbë. Kishim dy raste të sigurta, por nëse nuk ke energjinë e duhur deri në fund, siç ndodhi në këtë ndeshje, nuk shënon dot.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"