“Humbja ndaj Japonisë nuk ishte rastësi”, Hugo Sançez: Spanja luajti me llogari, evitoi Brazilin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 21:53

“Humbja ndaj Japonisë nuk ishte rastësi”, Hugo Sançez: Spanja luajti me llogari, evitoi Brazilin!

Legjenda e futbollit meksikan dhe dikur pjesë e Realit të Madridit, Hugo Sançez, është shfaqur sërish në publik me analizën e tij pa dorashka. Ai i ka bërë një përmbledhje humbjes së Spanjës kundër Japonisë, 1-2.

698540c1129c42efc1e498c6337d8f38ad525a6e

Humbja e Spanjës bëri që skuadra e drejtuar nga Luis Enrike ta mbyllte në vendin e dytë në grup, me Japoninë që mori vendin e parë. Diskutimet për këtë humbje të Spanjës kanë qenë të panumërta. Të shumtë janë ata që mendojnë se kjo Spanjë nuk është aq e fortë sa tregoi suksesi 7-0 kundër Kosta Rikës. Të tjerë mendojnë se Spanja ka luajtur me llogari, duke zgjedhur të evitojë rivalë më të fortë në rrugën drejt finales së 18 dhjetorit.

Një nga ata që ndaj këtë mendim është dhe Hugo Sançez. Për të është e qartë se Spanja ka dashur të evitojë Kroacinë në 1/8-at e finaleve dhe më pas Brazilin në një çerekfinale të mundshme. Pa shkuar më tej në gjysmëfinale ku mund të përballet me Argjentinën, me dy gjigantët e Amerikës së Jugut, favorite të dorës së parë për të fituar titullin në Katar. Për Sançezin, humbja kundër Japonisë ishte e qëllimshme për të shmangur përballjen e mëtejshme me Brazilin.

“Ju siguroj! Nuk isha atje, në Katar, nuk jam në mendjen e Luis Enrikes, por jam i bindur se ai (Luis Enrike) do ta ketë menduar për formulën për të shmangur Brazilin në çerekfinale. Sigurisht që ka rrezikuar shumë, ka rrezikuar edhe eliminimin, por një vendim duhet marrë dhe ai mori përsipër rrezikun e eliminimit për të shmangur Brazilin. Spanja ka ecur me llogari, kjo është e gjitha”, ka thënë Hugo Sançez për “ESPN”.

Hugo Sançez shtoi se trajneri i Spanjës nuk do ta pranojë kurrë se humbja ishte e qëllimshme.

“Ai nuk do ta thotë kurrë, trajnerët nuk do ta thonë kurrë: Unë e lashë veten të humbas. Është thjesht një: e preferoj këtë humbje”, tha ai.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"