Humbja e ngushtë paaftësi e trajnerit, e thellë paaftësi e lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2023 | 13:30

Humbja e ngushtë paaftësi e trajnerit, e thellë paaftësi e lojtarëve

Nga AVNI PONARI

Collage Maker-26-Jul-2023-02-39-PM-3352

Magjia e një sporti spektakolar, që quhet basketboll, është një burim adrenaline, jo vetëm për lojtarët dhe trajnerët, por për këdo që e ndjek, si nga televizioni, ashtu edhe nga shkallët e pallateve të sportit. Falë përkushtimit të djemve dhe vajzave të reja përditë e më shumë kemi ndeshje më të bukura dhe spikasin talente në të gjithë këtë hapësirë basketbollistike. Për ne shqiptarët është një lojë magjike dhe shumë e dashur. Vetë fakti që në përzgjedhjen e ekipeve kombëtare të moshave nën 16 vjeç kishim mbi 400 lojtare femra e meshkuj për të nxjerrë një 12- she kombëtare, e thotë këtë më së miri. E kështu edhe për Kombëtaren e nën 18-vjeçarëve e atë 20-vjeçarëve. Por çfarë të veçante kemi ne shqiptarët në basketboll? Gjatësinë trupore, zgjuarsinë, shpirtin e garës dhe individualitetin. Çfarë i mungon basketbollit shqiptar? Financa, terreni dhe shpirti i skuadrës. Gjithmonë e më shumë sporti i basketbollit po bëhet më gjithëpërfshirës, më popullor, madje duke u afruar edhe me futbollin. Individët që e dashurojnë këtë sport janë të shumtë, duke nisur nga grupmoshat e vogla. Ndaj sot kemi garë edhe mes 10-vjeçarëve. Gjë që disa vite më parë nuk ekzistonte.

Tashmë, vetëm në Tiranë, ka me mijëra fëmijë që marrin emocionet pozitive të basketbollit, duke ndihmuar kështu në rritjen e tyre të shëndetshme fizikisht dhe psikologjikisht. Sigurisht që unë nuk jam një ekspert basketbolli, por di të them me saktësi se kam qenë një menaxher shumë i mirë dhe i përkushtuar gjatë këtyre 25 viteve, ku kam drejtuar me sukses biznesin privat, madje në tri shtete, si në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Kjo eksperiencë më ka vlejtur shumë edhe në rrugëtimin tim në sport dhe në krye të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Kush e kishte menduar se Valbona do të fitonte 5 kampionate, 5 Kupa, 5 Superkupa? Kush e kishte menduar se do të vinte dita kur Shqipëria dhe Kosova do të kishin Ligën Unike? Kush e mendonte se Shqipëria edhe pse me shumë vështirësi financiare do të merrte pjese me 6 Kombëtare moshash. Madje, Shqipëria është prej 5 vitesh organizatore e një turneu me pjesëmarrjen e shumë shteteve më në zë në basketboll. Këtë vit do të jetë Durrësi mikpritës për Kombëtaren U-18 vajza. Le të shpresojmë për një rezultat të mirë. Gjithë kjo eksperiencë në këtë fushë më bën të jem në gjendje të theksoj se çfarë i nevojitet basketbollit shqiptar.

Dëgjoj shpesh ekspertë apo veteranë të basketbollit, të cilët justifikojnë humbjet me rezultat të ngushtë, të cilat për mendimin tim, vijnë si pasojë e paaftësisë së trajnerit, siç ndodh për shkak të paaftësisë së lojtarëve, kur rezultati është i thellë. E pra, na duhen edhe trajnerë edhe lojtarë që luajnë me skuadrën, jo me veten e tyre. Trajneri i Kombëtares së një vendi kampion i Europës në një takim na tha: “Unë përzgjedh për një rol jo më të mirin, që është individualist, por atë që është ndoshta jo në nivelin e tjetrit, por që luan me dhe për skuadrën”. Çfarë i nevojitet sot basketbollit shqiptar?

Së pari, burimet njerëzore. “Avni, ju keni djem dhe vajza 16-vjeçarë tejet të talentuar”, është një fjali që e dëgjoj sa herë takoj homologë të huaj. Shqipëria ka lojtarë të shkëlqyer, ndoshta shumë më të mirë sesa ato që kanë qenë shumë vite më parë, të cilët zhvillonin stërvitje 4 apo 6 orë në ditë në ambiente normale për kohën dhe me trajtim mbi normalen e kohës së atëhershme. Sot, pasi këto vajza dhe djem të shkëlqyer pasi kalojnë moshën 18-vjeçare, e ulin interesin për basketbollin dhe nisin të mendojnë një rrugë tjetër për të ardhmen e tyre. Dhe kjo është e drejta e tyre. Po ne çfarë bëjmë që ato t’i mbajmë dhe t’i zhvillojmë e mbështesim në rrugën e gjatë e të bukur të basketbollit.

Së dyti, terrenet sportive. Terrenet sportive janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e sportit dhe basketbollit në veçanti. Tirana, një qytet me mbi 1 milion banorë ka dy pallate sporti të pacertifikuara nga FIBA për standarde të paplotësuara, ndërsa ka me dhjetëra palestra shkollash, ku shumë të rinj luajnë basketboll. Por a mund të ketë basketboll cilësor në kushte të tilla? A mund të pretendohet që të kemi konkurrencë e rivalitet sportiv? Sot kemi vetëm një arenë sportive të certifikuar nga FIBA për ndeshje basketbolli, “Goga basket”, që i plotëson të gjithë kriteret e duhura për të zhvilluar ndeshjet. Ka vetëm një numër të vogël spektatoresh, të tjerat janë në standarde.

Së treti, mbështetja financiare. Pa mbështetjen e duhur financiare nuk mund të ketë sport elitar, jo vetëm në basketboll. Shqipëria ka nevojë urgjente për një ligj të ri për sponsorizimet, gjithëpërfshirës dhe transparent. Me përjashtim të futbollit, i cili gjeneron para, sportet e tjera kolektive dhe individuale e kanë domosdoshmëri një ligj për sponsorizimet, në mënyrë që biznesi të afrohet dhe sponsorizojë ekipet sportive. Vendet e rajonit e miratuan këtë ligj prej vitesh dhe sot sporti ecën në rrugën e duhur, ndërsa Shqipëria vuan ende. Buxheti i Shqipërisë për sportin është rreth 900 mijë euro në vit. Mali i Zi, një shtet sa Tirana, e ka buxhetin vetëm për federatën e basketbollit mbi 3 milionë euro. Ndërsa Kosova, shteti më i ri në Europë, ka rreth 10 milionë euro buxhet për sportet. Kosova, gjithashtu, e ka të përcaktuar me ligj sponsorizmin për aktivitetet sportive ku çdo biznes që sponsorizon sportin i njihet tatimi mbi fitimin në masën 30%. Edhe Maqedonia e Veriut e ka në 40% nivelin e njohjes së tatimit mbi fitimin për paratë e shpenzuara për aktivitete sportive. Në Kroaci, ligji e parashikon që njohja e parave të shpenzuara për sportet nga bizneset t’u njihet në masën 50% për t’u zbritur nga tatimi mbi fitimin, Greqia e ka në 90%, ndërsa Hungaria 100%. Nuk e di nëse ka një vend të Europës që nuk ka një ligj të qartë për sponsorizimet, i cili e ka çuar sportin në nivele të larta.

Nuk duhet të harrojmë se, sport profesionist ka vetëm atëherë kur zhvillohet mbi 4 orë stërvitje çdo ditë dhe kur talentet identifikohen, përzgjidhen dhe inkurajohen për të ecur përpara. Kemi individë shtatgjatë, por kemi edhe shtatshkurtër. Pse? Nuk ka stërvitje dhe nuk ka motivim. Nëse mungojnë financat, a mund të ketë motivim?… Pra, jemi në një fazë ku duhet të kemi shpërthim dhe rezultat. Disa reforma qe ka ndërmarrë federata në përputhje me kërkesat e FIBA-s në Europë janë në tavolinën e diskutimit me shoqatat ebasketbollit të federatës. Le të shpresojmë që do të arrihet më e mira dhe basketbolli do të sjellë ndryshime të mëdha.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"