Huazime nga skuadrat e vendeve të para, Teuta në bisedime me disa lojtarë në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2023 | 11:56

Huazime nga skuadrat e vendeve të para, Teuta në bisedime me disa lojtarë në merkato

Merkatoja e Teutës është në vendnumëro. Kur kanë mbetur edhe 20 ditë nga mbyllja zyrtare e tregut të shitblerjeve, në Durrës mungojnë afrimet. Drejtuesit janë duke shpresuar që, deri në fund të merkatos, të “godasin”.

teuta

Mund edhe të shpresohet te ndonjë “okazion” që mund të vijë nga Kategoria Superiore, duke qenë se koha në dispozicion është e madhe, por në ekipin blu mund të ketë dhe huazime.

Edhe pse mungojnë firmat, gazeta zbulon se klubi po bisedon me disa futbollistë cilësorë dhe ndoshta, para ndeshjes së parë me Kastriotin, mund të kemi edhe konfirmimet e para për këtë merkato. Blutë nuk duan që të jenë në fund dhe për këtë duhet që të “blindojnë” skuadrën edhe për pjesën e mbetur të sezonit.

PËRGATIJET—Teuta prej ditësh vazhdon përgatitjet për përballjen me Kastriotin, një takim shumë i rëndësishëm për blutë, të cilët do të kërkojnë ta nisin me këmbën e mbarë vitin 2023. Dueli me krutanët do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 16:00 në “Niko Dovana”.

Skuadra vazhdon me përgatitjet me intensitet të plotë dhe futbollistët punojnë të ndarë me reparte. Mbrojta është reparti që po merr vëmendjen më të madhe, ku futbollistëve u kërkohet më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe më shumë inkursione nga lojtarët anësorë.

Martini kërkon me ngulm që skuadra e tij të rikthehet te fitoret dhe loja e bukur që dhuroi në dy fitoret e para radhazi dhe të bindë gjithashtu në rezultate dhe duket se i ka të gjithë përbërësit e duhur për diçka të tillë.

Trajneri nuk ndalej së foluri dhe udhëzuari lojtarët, të cilët i ndau në dy grupe dhe organizoi një ndeshje kontrolli në gjysmëfushë. Minindeshja pati rivalitet të madh, ndërsa më pas lojtarët nisën të bënin goditje në portë, të ndarë në grupe të vogla.

Ndaj Kastriotit është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi në këtë moment me të vërtetë kundërshtarët janë shumë pranë dhe Teuta nuk duhet të gabojë më.

Stafi teknik po e përgatit me kujdes takimin dhe objektivi është rikthimi te fitorja. Kundërshtari ka pasur një ecuri të mirë javët e fundit, por trajneri Martini e di mirë se ndeshje të tilla fitohen duke dhënë maksimumin.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"