Hoxha i kënaqur me Besën: Nuk është e lehtë jashtë fushe, luajtëm në stadiume të zbrazura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2023 | 15:41

Hoxha i kënaqur me Besën: Nuk është e lehtë jashtë fushe, luajtëm në stadiume të zbrazura

I mjaftonte vetëm një barazim për të siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë, por Besa bëri shumë më shumë se kaq. Jo vetëm fitoi përballë Burrelit, por i mundi bindshëm.

edmond-hoxha

I shënuan 3 gola, si për të treguar se nuk ishin për të diskutuar mbijetesën. Protagonist në këtë trepikësh të fundit u bë edhe Edmond Hoxha, autor i golit të tretë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi tha:

“Ishim të ndërgjegjshëm se Burreli vinte në Berat, me shpresën se mund të bënte ndonjë surprizë. Nëse ata fitonin, do të ndërronim vendet në ‘play out’. Po të ndodhte kjo, do të ishte një dështim i madh. E megjithatë, nuk e vendosëm hiç në diskutim. Për 90 minuta luajtëm të gjithë me dëshirë dhe sakrifikuam. Që grupi ynë qëndronte më lart se Burreli, kjo dihej, por në futboll jo gjithmonë fiton më i miri. Treguam se kemi cilësi. Kundërshtari u përpoq sa mundi, po hasi në një Besë solide në të tria repartet.

Mund t’u them se prapavija me në krye Dobjanin ishte thuajse e pakalueshme, ndërsa ne sulmuesit, si unë si Veriu, bëmë detyrën tonë dhe shënuam. Dështuam në objektivin madhor, sikurse ishte kthimi në Superiore, por gjykoj se në kompleks sezoni ishte i mirë. Është thënë dhe stërthënë historia e stadiumit. Nuk është e lehtë të luash gjithë vitin jashtë fushe. Faktori fushë në Shqipëri ka peshë të madhe, edhe prej tifozëve. Ne luajtëm thuajse në stadiume të zbrazura. Kjo është e vërteta dhe një ndër shkaqet themelore përse nuk arritëm elitën”.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"