Hodhi jelekun në fushë, klubi i Kategorisë së Parë përjashton sulmuesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 14:33

Hodhi jelekun në fushë, klubi i Kategorisë së Parë përjashton sulmuesin

Artion Alillari përjashtohet nga Pogradeci. U dënua për thyerje të disiplinës gati një javë më parë, por vend për “paqe” nuk ka. Edhe pse pritej që të falej, kjo nuk ka ndodhur.

ARTION ALILLARI

Që prej datës 20 janar nuk është kthyer në stërvitje, por dje ka marrë zyrtarisht letrat nga klubi.

Ka qenë trajneri që ka dhënë “veton”, pas rebelimit të sulmuesit. Ai e ka nxjerrë përfundimisht nga planet dhe vendimi i tij është respektuar prej drejtuesve.

Në kësi kushtesh, numri i largimeve shkon në 5.

Pas Ildian Shytit, Klevis Hasanbellit, Mario Muçllarit dhe Jurgersi Drizajt, vjen “divorci” edhe me autorin e dy golave për pogradecarët.

SHKAKU – “Panorama Sport” mëson se gjithçka nisi pas një momenti nervash që pati 26-vjeçari, kur Arjdan Abazaj po i kërkonte llogari për një ushtrim.

Ai ka hedhur jelekun në fushë, gjë që nuk është përtypur prej teknikut.

Gazeta u mundua që të merrte një reagim edhe prej vetë lojtarit, por ai nuk ka dashur që të flasë për këtë çështje.

SITUATA – “Zhduket” dëbora nga stadiumi. Ndonëse jo plotësisht, të paktën në “Gjorgji Kyçyku” është shfaqur pak fushë e gjelbër.

Kjo i ka dhënë mundësi ekipit që ta stërvitet në kushte më normale. Nëse të martën nuk punuan më shumë se 60 minuta, të mërkurën dhe të enjten seanca i kaloi mbi 90 minuta.

Gjysma e fushës së aneksit ishte pastruar nga dielli i paradites, nga vrapimet që kryejnë ekipet e akademisë dhe së fundi nga dora e punëtorëve të stadiumit për pastrimin total të gjysmëfushës. Ngarkesat kanë ardhur në rritje dhe u zhvillua edhe një lojë brenda grupit, për të krijuar një ide për 11-shen.

Sot pasdite liqenorët do të nisen drejt Elbasanit, ku edhe do të grumbullohen dhe vetëm të shtunën do të marrin rrugën drejt Luzit, atje ku i pret Besa.

Lajmet janë të mira edhe për Vieira Kostën dhe Alsejni Dervishaj, që kishin probleme me letrat. Ata tashmë kanë nënshkruar dhe janë zyrtarisht pjesë e Pogradecit.

Për brazilianin pritet që sot në darkë të vijë edhe një dokument nga UEFA ku të plotësohet i gjithë dokumentacioni në mënyrë që ai të jetë gati për javën e 17-të.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"