HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU, “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA V)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 18:30

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU, “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA V)

Nga BESNIK DIZDARI
KAPITULLI V
Ky është Kapitulli V, i fundit i ciklit tonë kushtuar Agim Fagut dhe basketbollit shqiptar. Se sa ia kam arritur që të përshkruaj krejt ndryshe nga deri më sot, veprën e madhe sportive të Agim Fagut dhe përshkimin e një rruge ngritjeje të basketbollit shqiptar në atë periudhë, këtë e gjykon lexuesi. Ajo që do të desha të këmbëngul për te lexuesi, i cili, siç thotë Indro Montanelli, është padroni i vetëm që kemi ne, gazetarët, do t’i lutesha që të meditojë sado pak për kuptuar sa më mirë mundësitë e mëdha të këtij sporti shumë të dashur për shqiptarët, por që sot për fat, ashtu si shumica e sporteve në Shqipëri, përjeton një krizë. Fatkeqësia është se shumëkush, sidomos ata që drejtojnë, nuk e kuptojnë se kjo është një krizë.

Partizani-Csepel 83-80. Në qendër të vëmendjes Agim Fagu

Partizani-Csepel 83-80. Në qendër të vëmendjes Agim Fagu

NDIKIMET E RRITJES TË BASKETBOLLIT SHQIPTAR, NGA AI SOVJETIK TE PJESËMARRJET NË EUROPË
E kam thënë dhe përsëris këtu. Shqipëria sportive nuk bën analiza historike, të cilat janë themeli ndikues për përparimin e një sporti. Sigurisht guximi për të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik në Tiranë më 1947, por më tepër guximi tjetër për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Pragës më 1947, siç e kemi prekur në kapitujt e parë, por dhe atë Ballkanik të Sofjes më 1948, edhe pse me humbje të rënda, përbënin sa një lloj guximi, si të thuash politik, për të mos iu nda vendeve e partive motra komuniste, por dhe një dëshirë për ta zhvilluar këtë sport edhe në Shqipëri. Ishin të dyja këto.

E pra, këto pjesëmarrje kanë patur ndikimin e vet, çka më tej do ta vërtetojë edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Europian të Sofjes në vitin 1957. Është e vërtetë, Shqipëria i humbi ndeshjet e saj, por tashmë rezultatet nuk kanë asgjë të përbashkët me ato të pjesëmarrjeve të viteve ’40. Ato sa vijnë e ngushtohen.

Më pas, gjithçka do të pasohet me tri ndeshjet miqësore me Kombëtaren e sprovuar RD Gjermane, dy prej të cilave në Tiranë më 1958, përsëri humbje, por shifrat janë më të ngushta se asnjëherë, duke kulmuar me ndeshjen e tretë në 61-73 për gjermanët.

Në gjithë këtë përshpejtim, pak më parë, më 1956, na hyn në mes ardhja në Shqipëri e skuadrës më të fortë të Bashkimit Sovjetik, CSKMO (CSKA) e Moskës. Humbje të rënda, por këtu ndikimi merr përmasa në të gjitha drejtimet, në mënyrën e stërvitjes e deri në hapa të përvetësimit të stilit taktik të një basketbolli modern. Për herë të parë tribunat modeste të fushave të basketbollit shqiptar përjetuan një nivel botëror. Nuk e harroj ndeshjen e zhvilluar në Këndin të ashtuquajtur “Spartak” të Shkodrës, patjetër me nja 4000 spektatorë të pranishëm, deri edhe në dritaret e klasave të Gjimnazit që shihnin nga Këndi. Nuk i harroj emrat e këtyre sovjetikëve: Moisjev, Travin, Kazakov, Antonov, titullarë të Kombëtares së Bashkimit Sovjetik – asokohe Nënkampion Olimpik dhe Kampion i Europës.

Nuk ndalnin diskutimet, sidomos për dy ndeshjet Qyteti i Tiranës – CSKMO e Moskës që luante me emrin e politikës komuniste: “Klubi Qendror i Ministrisë së Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik”. Duheshin dy rreshta kollonash për ta shkruar në gazetë. Humbjet 58-77 dhe 39-57 të Qytetit të Tiranës që ishte Kombëtarja e Shqipërisë, quheshin gati fitore. Kujtoj këtu emrat e basketbollistëve Fatmir Meka, Jorgji Kona, Napoleon Llalla, Petrit Murzaku, Vangjel Koja, Andon Kona, Feti Borova, Boris Bumçi, Dhimitër Papa, Ferdinand Qirici nën drejtimin e trajnerit Mustafa Çelkupa. Kanë qenë sportistë të mrekullueshëm dhe sot pa ngurrim i quaj ndërtues të parë të basketbollit modern në Shqipëri.

Gjithçka do të përsoset më tej, më sipër të përmenduarin Kampionat Ballkanik të Tiranës më 1965, ku humbja me vetëm 4 pikë 60-64 me Jugosllavinë, si të thuash i vë vulën mundësive në rritje të basketbollit shqiptar.

Fitoret e para kishin vonuar, megjithatë. Do të fiksoheshin në Lojërat e GANEFO-s më 1963: 70-52 ndaj Guinesë dhe 87-81 ndaj Filipineve ku pjesë e skuadrës është edhe 16-vjeçari Agim Fagu, i cili do të shënonte 21 pikët e para të tij në veprimtari ndërkombëtare.

Më kishin mbetur ndërkaq, dy episode të tjerë që kanë të bëjnë me Agim Fagun. E kanë kërkuar ta blejnë me shifra qindmilionëshe në një ndejtje a qëndrim në barin e Milanos që i përkiste klubit të basketbollit “All’Onesta” të Milanos. Një çmim krejt i barabartë me sa çka bliheshin asokohe basketbollistët më të mirë të Europës. Ishte viti 1969.

Dhe jo vetëm kaq. Ky është viti i një ngjarje të paprecedent në historinë e basketbollit shqiptar. Agim Fagu thirret të luajë në një ndeshje i përzgjedhur si pjesëtar i Përfaqësueses së Europës. E mbaj mirë në mend zhurmën rreth këtij episodi që për çudi u fsheh. Babai i Agimit, i paharrueshmi Besim Fagu, ia kishte arritur të shihte letrën e kësaj ftese. Por vetëm kaq. Partia urdhëronte që gjithçka të mbetej e fshehtë, thjesht ngaqë çdo pranim të mundshëm e quante një lloj marrëveshje elitare me sportin perëndimor që ne e quanim borgjez.

E vërteta është se Agim Fagu me basketbollin e tij ishte bërë një lloj fenomeni edhe për mjediset europiane të basketbollit. Çka do të vazhdonte edhe pas ndeshjes tjetër të madhe Partizani-Crvena Zvezda në Beograd më 1972, ku basketbollisti botëror Ljubodrag Simonoviç, do të nxitonte për t’u ulur pranë Fagut për një bisedë të rrallë respekti. Dhe gjithçka do të vazhdonte me gjestin e një ylli tjetër botëror, siç ishte Zoran Slavniç, i cili do të ngrihej në këmbë e do të pohonte: “E çoj këtë gotë për basketbollistin më të mirë që ndodhet midis nesh, Agim Fagun e Partizanit të Tiranës”.

Tash, ashtu siç kam premtuar, nuk do përimtoj thjesht një histori vazhdimësie, por do të përpiqem të përmbyll disi “rrufeshëm” një histori, për të kuptuar kështu ndikimin e madh europian për ecurinë e basketbollit të Shqipërisë të ndeshjeve Oransoda-Partizani të udhëhequr prej një basketbollisti po europian siç ishte Mjeshtri Agim Fagu.

Dhe rifillojmë. Them rifillojmë sepse fillimi ishte Partizani i Oransoda-s. Ndonëse vazhdimësinë në Kupat e Europës do ta merrte 17 Nëntori i Vaso Shakës dhe i Bujar Shehut. Janë edicionet 1969-70 për Kupën e Kupave të Europës (Zadar – 17 Nëntori 73-60 e 62-72) dhe 1970- 71 (17 Nëntori – Jugoplastika e Splitit 77-90, 58-85) për Kupën e Kampioneve, çka nuk përbëjnë temën e këtij cikli historik. Siç shihet, janë humbje, por Jugosllavia ishte ndër skuadrat më të mirë të botës. Befasia do të jetë fitorja e parë shqiptare në Kupat e Europës (Kupa e Kupave 1972), falë Vllaznisë së Shkodrës në Stamboll me Gallatasaray 64-60 mbasi kishte humbur në Shkodër 64-57. Eliminim ky për vetëm 3 pikë! Ishte Vllaznia e Petrit Osmanit, Angjelin Shirokës, Dhimitër Taçit dhe e trajnerit Bujar Golemi.

Dhe qëndrojmë te Partizani e Agim Fagu. I cili nga furia e tij në ndeshjet me Oransoda-n italiane, nuk do të ndalet as në dy ndeshjet me Dinamon e Bukureshtit për edicionin 1968-69. Humbje të dyja vërtet (65-70 e 76-95), por ndeshja e Tiranës është dramatike. Partizani humbet me 5 pikë ndryshim përballë kampiones së sprovuar rumune dhe Fagu shënon gjysmën e pikëve të Partizanit, plot 28. Ndeshja e kthimit ecën nën një epërsi më të madhe të rumunëve, por Agim Fagu shënon plot 37 pikë!

Historia e pashlyeshme e Partizanit do të riniste më 1973, për të mos ndalë deri më 1977, kur është viti i ndarjes së Agim Fagut nga basketbolli.

Nuk janë një ndeshje, por disa. Nuk është një pjesëmarrje, por disa. Gjithçka për klubin tonë të famshëm, do të rifillonte në ndeshjen me Crvena Zvezden e Beogradit për Kupën e Kampioneve: 83-94, 74-99. Humbje dinjitoze përballë këtyre basketbollistëve ndër më të mirët në botë. Në Tiranë Partizani befason duke paraqitur katër shënues të mrekullueshëm: Fagu 21 pikë, Zaçe 17, Papavagjeli 17, Mushi 14, Pali 13 pikë. Eshtë një Partizan që i habit basketbollistët jugosllavë, teksa në pjesën e parë ata e fitojnë me vetëm 3 pikë ndryshim (37- 40). I thërrasin mendjes në të dytën dhe fitojnë me 94-83. Çudia është se kur luajnë kthimin në Pallatin e Sporteve në Beogradin e Ri më 14 dhjetor 1972, pjesa e parë është kopje e Tiranës: vetëm 38-34 për Crvena Zvezden, e cila shpërthen në të dytën duke fituar ndeshjen 99 -74. Ishte ndër klubet më të fortë të Europës.

Gjithçka normale megjithatë. Fagu shënon 20 pikë, po aq sa dhe Pali e mbas tyre Zaçe e Papavangjeli nga 14.

Gazetari i shquar Fehmi Sejdiu, të cilin ne mbas shumë e shumë vitesh do ta nderonim me Çmimin “Anton Mazrreku”, përcakton kështu në “Rilindjen” e Prishtinës pas ndeshjes së dytë:

“…Padyshim lojtari më i mirë në fushë ishte Fagu, të cilin sa herë që merrte topin, pa marrë parasysh a do të ketë sukses, spektatorët e përshëndetshin me brohoritje, pasi ai u tregua virtuoz i vërtetë i lojës së basketbollit”.

CSEPEL I HUNGARISË I DORËZOHET PARTIZANIT
Mbërrin viti 1973: Çepel i Hungarisë-Partizani. Siç “ia shqipërojmë ne emrin”, kur në të vërtetë duhet shkruar Csepel. Është Kupa e Kampioneve të Europës. Ky është kualifikimi i madh i Partizanit. Ai humbet me vetëm 1 pikë në Budapest: 57-58 me vetëm një gjuajte të lirë të Csepel në sekondin e fundit të ndeshjes. Agim Fagu është i papërmbajtshëm. Shënon 28 pikë. Partizani me në krye trajnerin e tij të madh Astrit Greva për ne është në zenit. Ndërkaq, Greva duke qenë se Shqipëria nuk çon gazetar, prej vitesh përveçse trajner i skuadrës, shndërrohet edhe në “i dërguari i posaçëm” i “Sportit Popullor”, teksa mbetet në histori edhe për kronikat e tij të jashtëzakonshme, herë të shkurtëra e herë më të gjata të botuara, por gjithnjë me një koncizitet të vërtetë prej gazetari.

Partizani kthehet në Tiranë, ndoshta disi i heshtur, duke medituar për ndeshjen e kthimit, çka rezultati i ngushtë i Budapestit ia detyronte kualifikimin.

Do të jetë mbrëmja elektrizuese e Tiranës të 14 nëntorit 1973. Ne si gazetarë jemi anash, thuajse ngjitur me vijën e fushës: Vangjel Shundi, Ndriçim Keta, Ahmet Shqarri, Vladimir Grillo, Baku Gjoni… Nuk ka tribuna shtypi, as kabina transmetimi. Por RTSH i kohës e Radio Tirana buçasin.

Ky ishte shpërthimi i dytë pas Oransoda-s i basketbollit shqiptar. Por tashmë me kualifikim. Partizani fiton në Tiranë 78-71 dhe kalon në turin tjetër, nën këtë pamje si mbas rendit që i vendos lojtarët autori i shkrimit, Vangjel Shundi:

Kupa e Kampionëve të Europës
PARTIZANI-CSEPEL BUDAPEST 78-71 (37-45)
Tiranë, 14 nëntor 1973.
PARTIZANI: Pesëshe e parë: Pali (6 pikë), Dheri (5), Papavangjeli (8), Mushi (16), Fagu (20). Dhe Zaçe (21), Boshnjaku (2).
TRAJNER: Astrit Geva
CSEPEL: Pesëshe e parë: Recska (4 pikë), Nagy (14), Palffy (16), Steler (2), Lazar (8). Dhe Feher (8), Halmos (11), Toth (5), Megyer (3).
TRAJNER: Gilac Arpad
GJYQTARË: A.Ropoviç (Bullgari), V.Kadar (Rumani).
SHIKUES: 3500

Kjo ishte ngjarja e madhe historike e basketbollit shqiptar. Kualifikimi i parë në Kupën e Kampioneve të Europës. Partizani fiton pjesën e parë 45-37, por e dyta është një përmbysje spektakolare shqiptare. Trajneri Greva orienton për një Agim Fag tjetër në këtë pjesë loje, duke e bërë atë strumbullarin jo thjesht pikëshënues, por lojtarin kyç taktik. Çka autori i shkrimit, komentatori i paharrueshëm radioteleviziv, por dhe në gazetë, Vangjel Shundi e shpjegon qartë kur shkruan kështu:

“… Hungarezët, duke mos i njohur aftësitë e Zaçes, i cili mungoi në ndeshjen e Budapestit dhe me largimin e Dherit nga fusha, i kushtojnë shumë kujdes mbulimit të Fagut, i cili edhe në këte ndeshje si gjithnjë e tregoi veten lojtar të klasit ndërkombëtar. Duke qenë i mbuluar nuk mundohej të shënonte vetë, por i shpërndante mjaft mirë topat te shokët e tij që realizonin kosh pas koshit…”.

Dhe e mbyll me mendimin e trajnerit hungarez Arpad, i cilit pohon:

“Partizani e meritoi fitoren dhe kualifikimin për në turin tjetër. Si në Budapest ashtu dhe në Tiranë Fagu më pëlqeu më tepër. Nga ana profesionale ky basketbollist është shumë i përgatitur dhe një snajper shumë i mirë”.

Progresi i basketbollit shqiptar u vërtetua edhe me këtë kualifikim europian. Dhe? Më 1947 Hungaria kishte fituar me Shqipërinë 135-18! No comment!

FITORJA KUNDËR KAMPIONES AUSTRIAKE DHE 29 PIKËT E FAGUT
Mirëpo, ja që fati e deshtë që turi tjetër të ishte i pamëshirshëm për Partizanin të cilin e eliminon kampionia e Austrisë “Vienerberger” e rregulluar bukur e mirë edhe me gjigandë amerikanë, si një nga dy skuadrat më shtatlarta në Europë. Partizani fiton 72-71 ndeshjen e parë ku 29 pikët e Agim Fagut janë vendimtare, por humbet të dytën 76-68 edhe pse Fagu shënon 22 pikë e Papavangjeli 18. Gjithçka mbetet te ajo çfarë shkruan gazeta më e madhe austriake: “Die Presse:

Partizani-UBSC Vienerberger 72-71. Gjithnjë Fagu!a

Partizani-UBSC Vienerberger 72-71. Gjithnjë Fagu!a

“…Mungesa e trupave të gjatë tek shqiptarët balancohesh me fuqinë mahnitëse të kërcimit dhe saktësisë në gjuajtje. Këto avantazhe arsyetojnë fitoren e tyre në Tiranë si dhe rezultatet e tyre jashtëzakonisht të mira që kanë arritur kundër skuadrave të kalibrit të njohur. Lojtari më efektiv Fagu është organizator i mirë dhe gjuajtës i sigurtë, pra një lojtar kalibri”.

Fagu, Fagu, Fagu! Sigurisht jo vetëm ai. Por Agim Fagu padyshim ishte më i madhi, më i rralli. Me një mesatare gjithnjë mbi 20-25 pikë për ndeshje – dhe kjo në Kupat e kontinentit – ai ishte bërë simboli i fuqizimit europian të basketbollit shqiptar. Dhe nuk ndalon këtu…

Më 4 dhjetor 1973, vetëm 20 ditë mbas kualifikimit me Csepel, kam botuar në gazetën “Bashkimi” këtë intervistë me Agim Fagun. Përveç përmbajtjes së saj, e risjell këtu sepse ajo ka dhe një vlerë historike gazetarije. Kjo është intervista e parë që botohet në një të përditshme të shtypit shqiptar marrë një sportisti ende në aktivitet. Tek është:

Agimi, basketbollisti ynë i talentuar
26-vjeçari Agim Fagu, basketbollisti ynë i talentuar, këto javët e fundit së bashku me shokët e tij “vrapoi” nga ndeshja ne ndeshje duke na dhënë ndër episodet më të bukura të basketbollit tonë. Mjeshtërinë e tij e kanë pranuar basketbollistët më të mirë të kontinentit tonë kundër të cilëve ai shumë herë ka qenë superior.

…Ai e nisi basketbollin në vitin e parë të shkollës së mesme. Trajneri tij i parë iu bë mësuesi Zija Kodra, ndihmën e të cilit Agimi e kujton me respekt. Pastaj rruga e tij sportive kaloi nën drejtimin e trajnerit Njazi Lleshi, Ndërsa sot Agimi dhe trajneri tij, Astrit Greva, kërkojnë suksese të reja.
– Agim! Si e ke arritur këtë nivel sportiv?
– Puna, këmbëngulëse, stërvitja suplementare gjithëvjetore.
– Çfarë çmon si më të rëndësishme te një sportist?
– Pasionin, vullnetin.
– Si shënon pra Agimi? Si mundet ai që, bie fjala, në ndeshjet e fundit ndërkombëtare të japë mesatarisht 26 pikë në çdo takim, ndonëse mban mbi shpatulla gjithë organizimin e lojës?
– Përveç stërvitjes kolektive, – përgjigjet ai, – i kam kushtuar vëmendje të vazhdueshme punës individuale pas stërvitjes fizike. Mendoj se “estetika” e gjuajtjes mësohet në kushte të qeta fizike. Kurse gjuajtjet pas stërvitjeve të lodhshme, i përshtaten më mirë kushteve të lojës. Ato rrisin së tepërmi precizionin.

Agim Fagu nuk është një çudi. Në qoftë se gjithë kolegët e tij do të punonin kështu, ne do te kishim shuma Agimë.
-Cili është çasti yt me i bukur në sport?, – e pyes.
– Janë disa. Ato nisin që në Kampionatin Ballkanik të 1965-sës, vazhdojnë me –”Oransodën”, me fitimin e titullit “Mjeshtër i merituar”, me turneun e Kaliarit, me eleminimin e “Çepelit”.
– Ç’ mendim ke për rritjen e mëtejshme të basketbollit tonë?
– Nuk jemi shtatgjatë. Jemi të detyruar të perfeksionojmë teknikën, të rrisim aftësitë fizike në atë shkallë, sa te kompensojmë në maksimum lartësinë fizike. Mbi bazën e këtyre duhet të rrisim lojën e shpejtë.
– Cilët nga basketbollistët tanë të pëlqejnë më shumë? Cilët janë të rinjtë më të talentuar?
– Bërthamën e tyre e përbejnë lojtarët e ekipit përfaqësues, sidomos Pali, Kasmi e Papavangjeli. Ndërsa Koleka e Mushi më duken ndër dy të rinjtë më të talentuar.
– Ç’dëshira sportive ke për të ardhmen?
– Të ruaj se më gjatë formën sportive për kontribuar të sa më shumë në rritjen e basketbollit tonë. Të kemi rezultate edhe më të mira në arenën ndërkombëtare. “Partizani” të ruajë traditën e fitoreve në kampionat.

NË PESË VJET PESË SKUADRA TË JUGOSLLAVISË NË SHQIPËRI DHE AVENTURA E KUALIFIKIMIT TË DYTË
Partizani dhe Agim Fagu do të mbërrijnë deri te Franca.
Por më parë kemi të bëjmë me vitin 1974. Këtu do të mbërrihet duke ia lënë radhën 17 Nëntorit që për edicionin e Kupës së Kupave 1973 ka përballë Crvena Zvezdën prej së cilës ndahet me rezultatet 83-99 e 70-114. Është vërtet e jashtëzakonshme se çka i blatonte FIBA e Europës basketbollit shqiptar. Merreni me mend: brenda 8 vjetëve (1971-1978) në Shqipëri vijnë skuadrat e mrekullueshme të vendit “armik” që ishte Jugosllavia e Titos. Në Shqipëri vijnë Crvena Zvezda, Zadar, Jugoplastika, Partizani i Beogradit, Bosnja e Sarajevës. Plot 5 skuadra të Jugosllavisë Kampione e Botës më 1970 e 1978 dhe Nënkampione më 1974; Nënkampione Olimpike më 1976; dhe bukur 3 herë Kampione e Europës 1973, 1975, 1977 si dhe Nënkampione më 1971. Nuk mund të merret me mend se çka kanë qenë këto ndeshje të nivelit europian. Pallat sporti për vetëm 3000 vende ku hynin 4000. Rrethime policore të papara përreth. Një dëshirë e papërshkrueshme e rinisë së shqiptare e izoluar deri në skaj, e cila nuk i ndahej televizionit jugosllav. Nuk mund të kishte mbështetje më të madhe për zhvillimin e një sporti, që në këtë rast ishte ai i basketbollit të Jugosllavisë. Janë të gjitha ndeshje të humbura, por rezultatet mbeten përtej dinjitozes, që tregojnë rritjen e fuqishme të basketbollit të Shqipërisë çka te Agim Fagu e te drejtimi i trajnerit Astrit Greva, gjen mishërimin më kuptimplotë. Natyrisht pa harruar në tanësi krejt grupin e mrekullueshëm të të gjithë basketbollistëve kryeqytetas të Partizan/17 Nëntorit, siç po më pëlqen t’i bashkoj kësisoji. Kështu po e gjenim ne Europën e basketbollit të Shqipërisë së vogël.

Ishte shumë afër vitit 1975 që do të na afronte për te një nga vendet më sportivë të botës, që ishte Franca edhe e basketbollit modern. Por para se për të mbërritur te ky “zbulim” francez, Agim Fagu dhe shokët e tij, do të kishin dy ngjarje, njëra fort tërheqëse dhe tjetra krejt e padëshirueshme.

Jemi gjithnjë në Kupën e Kampioneve të Europës. Edicioni 1973-74. Sparta Berntrange e Luksemburgut. Diçka krejt e lehtë për Partizanin. Dhe një tjetër mrekulli rezultati i Agim Fagut. Plot 35 pikë të shënuara prej tij, pavarësisht nga niveli i kundërshtarit, janë shifra që hyjnë në të rrallat e Kupave të Europës për çdo basketbollist.

Mbas Csepel-it hungarez ky do të ishte kualifikimi i dytë për Partizanin në Europë. Ndeshja e parë e zhvilluar më 3 nëntor 1974 në qytetin Berntrange është historike për kah shifrat: 103-89. Dhe risia nuk qëndron vetëm te kjo fitore dhe 35 pikët e Fagut. Për çudi qëndron edhe te “mbrapaskenat” e klubit Partizani në të cilat përherë ka pas aktorë të rrymave të ndryshme. Dhe krejt papritmas, pa asnjë shkak mirëfilli, klubi i Partizanit largon trajnerin e sukseseve të mëdha Astrit Grevën, duke e zëvendësuar me bashkëkolegun e tij Njazi Lleshi – një tjetër figurë e shquar e basketbollit shqiptar. E, po për çudinë e mungesës së gazetarit, edhe trajneri Lleshi, ashtu si trajneri Greva, shndërrohet në autor i shkrimit për ndeshjen e Luksemburgut të botuar në “Sporti Popullor”. “Fagu ishte në formë të mirë”, – shkruan trajneri Lleshi, – i përpiktë në gjuajtjet nga largësia dhe në depërtimet, duke fituar kështu simpatinë e spektatorëve”.

Kthimi duket se është një formalitet. Partizani fiton edhe ndeshjen e dytë në Tiranë më 15 nëntor 90-70 me befasinë e mungesës së Fagut. Ai ka pësuar një infeksion në dorë dhe në Tiranë ai është spektatori “par ecxellence” i ndeshjes, teksa shihet me dorën e lidhur. Partizani nuk lëkundet, megjithatë të pesë lojtarët e tij shënojnë nga mbi 10 pikë: Papavangjeli 23, Zaçe 19, Nushi 17, Pali 14, Dheri 11 pikë.

Ndërkaq, shkrimi im si gazetar i “Bashkimit” që u botua në fund të faqes 4, midis shkrimeve të politikës së jashtme kundër revizionizmit e kapitalizmit, duket sikur ka prishë një formë. Titulli krejt prozaik “Sukses i ri i basketbollistëve tanë” shoqërohet me nëntitullin “Partizani kualifikohet për turin tjetër”. Shkruaja:

“Pa Fagun, i cili në Luksemburg shënoi 35 pikë. Po me mjaft djem të tjerë, shokë të tij, gjithashtu të aftë për të dhënë nivelin e lartë të basketbollit tonë të shpejtë, të fuqishëm, këmbëngulës. Si një pjesëmarrës tanimë me përvojë i Kupës së Kampioneve të Europës, Partizani luan me sigurinë e një skuadre të pjekur. Suksese të saj të vitit të kaluar janë padyshim të paharruara për basketbollin tonë. Suksesi i tanishëm kundër kampiones së Luksemburgut “BBC Sparta Bertrange” është një vazhdim i kapitullit të kaluar të shkruar me pasion nga Partizani. Dhe përsëri për ballë kampiones sonë është një skuadër me përbërje ndërkombëtare, në pesëshen e parë të së cilës vetëm dy lojtarë janë vendas”.

Ky do të ishte fati i Partizanit të Shqipërisë: do t’i duhej të përballonte skuadra shumëkombëshe, me në krye amerikanët – çka do të thoshte se titullimi i shtetit nga vinin, asesi nuk tregonte një autenticitet kombëtar. Shqipërisë do t’i duheshin edhe nja 40 e më vjet që të mbërrinte në këtë shumëkombësi. Kësisoji, në tregimin e sotëm të kësaj historie të protagonistit tonë Agim Fagu dhe shokëve të tij të Partizanit, edhe më fort duhet t’i çmojmë rezultatet e tyre, gjithnjë në rritje, pavarësisht nëse ishin humbje apo fitore.

Dhe mu mbas kësaj fitoreje me “Sparta”-n, që mund ta quajmë si “të çlodhjes”, lind ngjarja për të cilën sot e kësaj dite askush nuk mund ta tregojë me sigurinë e së vërtetës.

Partizani kishte marrë kështu prej “Spartës” në fjalë, kualifikimin e tij të dytë, por të parin në Kupën e Kupave të Europës. Dhe ndërsa hidhet shorti i cili përcakton kundërshtarin e tij të dytë, që është fituesja e Kupës së Bullgarisë, skuadra Balkan e qytetit Botevgrad, asnjë njoftim nuk ka për këtë short. Edhe unë në “Bashkimi”, ndonëse shkruaja se “turi tjetër e vë Partizanin përballë kundërshtarëve mjaft të fortë”, në asnjë rresht nuk citoj shortin në fjalë dhe rivalin e ri të Partizanit!

Askush nuk thotë qartë se Partizani kalon në Turin II të Kupës së Kupave të Europës dhe po askush nuk thotë se kundërshtari është Balkan e Botevgradit të Bullgarisë. Klub i cili në shtypin shqiptar po i del emri për herë të parë sot, mbas plot 50 vjetëve: 1974-2024! Dhe Partizani i Turit II të Europës së basketbollit, ndal këtu. Nuk ndeshet me Balkan-in, i cili fton dy ndeshjet 2-0 e 2-0, pra 4-0, nga një kosh për secilën ndeshje.

Përse nuk shkoi Partizani për te Balkan i Botevgradit?

Ec e gjeje! Diku në një kërkim mjegullor, pëshpëritet se një epidemi gripi, shqiptar a ballkanas, paska penguar Partizanin të ndeshet me bullgarët. Në një kohë kur të gjitha ndeshjet e Turit II janë zhvilluar normalisht.

E gjitha kjo ishte një goditje befasuese për Partizanin.

PARTIZANI-NËNKAMPIONE E EUROPËS “ASPO TOURS” TË FRANCËS 83-80!
Megjithatë, me ose pa Balkan-in e Botevgradit, Partizani i Agim Fagut nuk stepet. Madje, tash, ai kërkon të ngjitet i fuqishëm në një të përpjetë të majave të basketbollit të Europës që quhej Francë. Nuk do të marrë kualifikimin, por do të arrijë të fitojë ndeshjen e Tiranës ndaj ASPO të Francës, e cila në këtë edicion 1975-76 të Kupës së Kupave do të mbërrijë finalen e Europës.

Ka ndodhur në vitin 1975. Dhe sot për herë të parë po fiksojmë në “letrat” tona të historisë, se kjo fitore është rasti i vetëm, për sot e kësaj dite që në një sport kolektiv, një skuadër shqiptare fiton një ndeshje me një Nënkampione të Europës po të atij viti. Ndodh në sportin e basketbollit: Partizani-ASPOTours e Francës 83-80!

Protagonisti dihet. Është Agim Fagu – Europa e basketbollit shqiptar.

Dhe ironia e fatit. Ashtu siç iu dorëzua Partizani një vit më parë Balkan-it bullgar, pa luajtur asnjë minutë, ja ku i dorëzohet edhe atij një skuadër e një shteti tjetër. Emri i saj është “Union Récréation Alexandria” e Egjyptit e cila tërhiqet, siç e njofton edhe shtypi shqiptar, por pa treguar esencën e kësaj tërheqjeje egjiptiane. Partizani fiton aq sa kishte humbur ai vetë me Balkan-in e Bullgarisë: 2-0 e 2-0, në tanësi 4-0.

Partizani-ASPO Tours 83-80. Fagu 30 pikë!

Partizani-ASPO Tours 83-80. Fagu 30 pikë!

Ky ishte fati i lumtur që do ta çonte te ASPO Tours e Francës – shtet i një basketbolli ndër më të hershmit në Europë, vite më parë bronz i Olimpiadës dhe 4 herë bronz i Kampionatit të Europës. Kur ndërkohë, ASPO sapo kishte qenë në 8 më të mirat e Kupës së Europës “Korac”. Kryesonte Kampionatin e Francës 1975- 76 në vazhdim, të cilin do ta fitonte. Kishte në përbërje tre lojtarë amerikanë midis të cilëve Meneard 2.08 metra dhe Boëen 2.06.

Fjalën e ka Agim Fagu. Është një tjetër kulm i tij, që nuk bie aspak poshtë nga ai i Fagut të 48 pikëve dhe barazimit të Oransoda-s më 1968. Madje me një ndryshim të madh: kësaj radhe nuk është barazim. Është fitore.

Nuk po e zgjas. Po ribotoj këtu mbas gati 50 vjetëve reportazhin, deri diku dhe analitik të të përditshmes “sime” “Bashkimi” që e kam shkruar vonë në atë mbrëmje të 19 nëntorit 1975 – i vetmi shkrimi botuar të nesërmen e ndeshjes në shtypin shqiptar. “Sportit Popullor” i duheshin edhe pesë ditë për t’u botuar. Poe ribotoj këtu këtë shkrim edhe për një arsye tjetër. Jo thjesht për aktualitetin e disa orëve më vonë mbas ndeshjes që ai përmban, por pse jo, për edhe për t’i treguar sot brezit të ri të gazetarëve tonë, përpjekjet tona për një stil disi të ri, jo aq strikt të gazetarisë të ashtuquajtur të realizmit socialist.

Ishte koha kur ato ditë Shqipëria Komuniste sapo miratonte vendimin për hartimin e Kushtetutës së re që do të përforconte deri në skaj një izolim “madhështor”. E, sporti që “ngrinte krye”! Dihet, shkrimet tona ishin të politizuar në shërbim të politikës së partisë, por ky reportazh, sigurisht jo i një stili aq modern, i ka shpëtuar kësaj dhe mbetet besnik vetëm i sportit. Edhe asokohe është bërë gazetari, ngaqë gazetaria sportive ishte mëse çliruar, gjithsesi.

Shkrimi i botuar në faqen 4 të “Bashkimit” e cila dihej, i kushtohej ngjarjeve ndërkombëtare, është ky:

NIVEL I LARTË I BASKETBOLLISTËVE TANË
Ndeshjet e Partizanit në Kupat e Europës në basketboll tanimë janë pasqyrim i rritjes së dukshme cilësore të këtij sporti në vendin tonë. Mbrëmë Pallati i sportit “Partizani” regjistroi një tjetër sukses, një tjetër fitore të këndshme. Ashtu si dhe skuadrat kampione të Hungarisë, të Austrisë, të Luksemburgut, nga salla e Pallatit të sportit “Partizani” doli e mundur edhe skuadra e njohur franceze ASPO e qytetit Tours.

Përballë Partizanit qëndronte nënkampionia e Francës dhe kryesuesja kampionatit kombëtar francez për sezonin 1975-1976, në përbërjen e së cilës kishte 4 lojtarë të kombëtares franceze. Ajo paraqiti në fushë një pesëshe me përbërje ndërkombëtare me lartësi mesatare trupore 1.97 metra ku shquhej sidomos Meneardi i gjatë 2.08 metra dhe Reynold 2.06 metra. Loja nis me koshat e këtyre dy shtatgjatëve, por reagimi i Fagut me shokë nuk vonoi të vinte. Në vërtetë, ishte një kthesë e menjëhershme që erdhi pas minutës së 3-të kur Partizani kalon në avantazh për të mos u arritur asnjëherë gjatë gjithë 37 minutave të mbetura. Para spektatorëve spikasin fanellat e kuqe që diktojnë situatat e lojës. Dhe Partizani dominoi në luftë në të dy tabelat, ndonëse kundërshtari qe më shtatlartë.

Si ia arriti kësaj? Me përgatitjen e shkëlqyer fizike, me kërcimin e admirueshëm që habiti kundërshtarët, me shpirtin e lartë sportiv aq të domosdoshëm për gàrà të tilla. Dhe e gjithë kjo i dha krahë të rrufeshëm partizanas, i cili si dhe në takimet e tjera, tregoi veçoritë e tij tipike: sulm shpejtë, i menjëhershëm që nuk i lë kohë kundërshtarit të organizohet. Figura qendrore e lojës bëhet Fagu, ky basketbollist i njohur, protagonist i sa e sa ndeshjeve të tilla. Gjuajtja e tij e pagabueshme pas atij kërcimi karakteristik, detyron ndryshime të njëpasnjëshme në tabelën e rezultateve. Skuadra franceze nuk arrin ta marrë veten, ndonëse trajneri i saj ndërhyn disa herë dhe në lojë i ndërron radhazi “rojet” për Fagun. Dhe kur për një çast ata arrijnë ta mbajnë Gimin, ahere gjuajtjet e Zaçes e të Mushit, lufta e fuqishme në dy tabelat e Papavangjelit dhe Kuqos, e ruajnë, madje e thellojnë atë rezultat që Partizani e arrin me një basketboll shumë të mirë. Minutat 17-20 janë më emocionalet. Partizani i jep tonin lojës, ka çastet e tij më spektakolare dhe me një sulm ritmik e rezultativ jep koshat përcaktues. Pikët e Fagut alternohen me ato të Mushite Zaçes dhe ekipi ynë ruan distancën e thellë. Ja dhe koshi i fundit i Fagut dhe ne lexojmë shifrat 52-40 për tanët. Pallati hesht dhe sikur çlodhet edhe ai për të pritur pjesën e dytë. Kjo pjesë e parë loje me atë elasticitet aq të kombinuar mbrojtjeje-sulm, me armë kryesore sulmin e shpejtë, mbrojtjen individuale dhe luftën aq këmbëngulëse në të dy tabelat, është provë më vete përcaktuese e rrugës në të cilën duhet të ecë basketbolli ynë.

Po pjesa e dytë?

Francezët kanë kuptuar artin e Fagut, forcën e tij. Dhe zgjedhin ndaj tij markimin më të ashpër. Në pjesën e parë ai shënoi plot 22 pikë dhe ky fakt përbënte shqetësim për ekipin francez. ASPO tani luan ngadalë, duke kërkuar të ulë ritmin e skuadrës sonë. Dhe ia arrin qëllimit. Në minutën e 8-të rezultati ngushtohet 64-60 për Partizanin. Takimi tani futet në faza dramatike, ndërkohë që lojtarë të tjerë nuk arrijnë të kompensojnë bllokimin e Fagut i cili megjithatë ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 30 pikë. Por në çastet e fundit ekipi ynë ka një frymëzim të ri loje. Mushi gjakftohtë dhe elegant tani bëhet “snajperi” vendimtar dhe shënon radhazi 6-8 pikët më të rëndësishme të takimit. Partizani fiton kështu 83-80.

Sidoqoftë, fitorja e Partizanit në këtë ndeshje të Kupës së fitueseve të kupave të Evropës, është një dhuratë e bukur që ata i japin basketbollit tonë dhe një afirmim i ri i tij në arenën ndërkombëtare.

Pas ndeshjes, trajneri i ekipit francez Pierre Dao, tha:

“Partizani është një skuadër komplete. Jam i kënaqur me rezultatin. Partizani ishte një skuadër e mirë që luan me shpirt”.

Trajneri ynë Njazi Lleshi dhe basketbollistët tanë shfaqën gëzimin për suksesin gjithnjë duke kujtuar se fitorja mund të kish patur rezultat më të thellë.

(BESNIK DIZDARI, gazeta “Bashkimi”, 20 nëntor 1974).

Dhe një episod krejt i rrallë në përfundim të ndeshjes. Trajneri i francezëve, Pierre Dao, hedh vështrimin dhe kërkon të gjejë Agim Fagun. I afrohet dhe thuajse me një përuljeje mirësjellje e respekti të pamatë, i thotë: “Jeni i mahnitshëm”. Këtë episod e ka shkruar para nesh këtu, gazetari Irfan Rama.

Nuk mund të harrohet mbrëmja e 19 nëntorit 1975. Kam qenë pranë radiotelekronistit Vangjel Shundi, i cili në një çast të transmetimit buçiti me këto fjalë: “Agim Fagu është një nga basketbollistët më të mëdhenj të Europës!”. Shundi ynë i paharrueshëm ishte gazetari i parë që guxoi të mbërrinte deri këtu me përcaktimin e tij të guximshëm në asokohe të një gazetarie e komanduar nga Partia.

Ndërkaq, as unë në shkrimin tim dhe as “Sporti Popullor” në shkrimin e gazetarit Baku Gjoni të mbas pesë ditëve, nuk është botuar skeda e kësaj ndeshjeje historike. Po e botoj mbas 50 vjetëve, duke u mbështetur në bllokun tim arkivor, ku kam fiksuar ecurinë e ndeshjes. Skeda është kjo:

Kupa e Kupave të Europës
PARTIZANI-ASPO TOURS E FRANCËS 83-80 (52-40)
19 nëntor 1975. Tiranë, Pallati i Sporti “Partizani”
PARTIZANI: Fagu (30 pikë), Mushi (18), Zaçe (16), Papavangjeli (8), Kuqo (6), Shano (5). Luan edhe Dheri.
TRAJNER: Njazi Lleshi
ASPO TOURS: Bowen (20), Meneard (19), Reynold (17), Senegal (11), Albert (4), Bellot (2), Berzhero (2), Waker (5). Luajtën edhe Boneau e Demars.
TRAJNER: Pierre Dao
GJYQTARË: Popovoviç (Jugosllavi), Hornjak (Hungari).
SHIKUES: 3500

Më 26 nëntor 1975 është ndeshja e kthimit me një histori krejt tjetër. Vazhdon mbulimi në të vërtetë tejet i egër ndaj Fagut. Në minutën e pestë të ndeshjes, ai shënon kosh, por rrëzohet dhe dëmtohet rëndë, duke qenë i detyruar të lëjë fushën e lojës. Pa Fagun fiton ASPA Tours me rezultatin 101-76.

Kjo Kupë e Europës, për skuadrën franceze do të vazhdonte deri në mbërritjen e saj në finalen për fitimin e Kupës. Është finalja e 17 marsit 1976 në Torino: Cinzano Milano-ASPO Tours 88–83. Kupa është për italianët, vendi i dytë është për ASPO të Francës me të cilën kishte arritur të fitonte Partizani i Shqipërisë.

Agim Fagu e mbyll këtu historinë e mrekullueshme të tij në basketbollin europian të klubeve. Do të vazhdonin të tjerë me dinjitet, natyrisht, të nxitur edhe prej shembullit të basketbollit të tij europian.

Në një mënyrë jo të drejtpërdrejt, pa droje them se karriera europiane e Agim Fagut do të vazhdonte edhe te basketbolli i vëllait të tij të paharrueshëm, i një fisnikërie të rrallë, Arben Fagu. I ndarë para kohe nga jeta tre vjet më parë, ai ishte një nga më të shquarit dhe i një kontributi të pashlyeshëm në basketbollin shqiptar. Madje duke “devijuar” paksa nga rruga e Agimit. Ngaqë përveçse basketbollist i talentuar, Arben Fagu mbeti në histori si një nga trajnerët më të spikatur të basketbollit: i Partizanit, i Dinamos, i Kombëtares së Shqipërisë. Ishte një pedagog i nderuar universitar.

EPILOGU: AGIM FAGU NË KATËR AKTE TË MËDHENJ TË KOMBETARËS SË SHQIPERISË
E kam fjalën për epilogun e këtij cikli kushtuar basketbollit europian të Agim Fagut në pjesëmarrjet e tij e të Partizanit në Kupat e Europës për klubet. Kuptohet, vetvetiu se Agim Fagu ka dhe historinë e tij me Kombëtaren e Shqipërisë, çka nuk ishte pra, synimi i këtij cikli. Megjithatë, nuk po mund të rri pa kujtuar këtu këto katër nga pjesëmarrjet më të bujshme të tij:

1970. Torino. Universiada me pjesëmarrjen e 29 shteteve ku në 6 ndeshje, Agim Fagu i Shqipërisë është shënuesi më i mirë i turneut me 170 pikë, mesatarisht 28.33 për ndeshje. Ky është turneu i vetëm i rangut botëror deri më sot ku Shqipëria fiton 4 nga 6 ndeshjet e zhvilluara: me Luksemburgun 84-67 e 90-60, me Sudanin 116-74, me Senegalin 83-71. Dhe me një humbje me vetëm 2 pikë, që vlen më shumë se një fitore: Jugosllavia-Shqipëria 74- 72. Pse them fitore? Sepse kjo Jugosllavi kishte në përbërjen e saj plot katër lojtarë: Kapicic, Cermak, Jelovac e Simonovic të Kombëtares së Jugosllavisë e cila tri muaj më parë ishte shpallë Kampione Botës. 1971.

Cagliari. Kampionati Europian (kualifikimet). Shqipëria me trajner Feti Borova, fiton ndeshjen e parë në histori për një Kampionat të Europës: Shqipëria-Anglia 92-63. Në përfundim të katër ndeshjeve, Agim Fagu shënon 91 pikë, duke marrë çmimin e shënuesit më të mirë. Ky është rasti kur Shqipëria arrin fitoren e parë për një Kampionat të Europës. 1972.

Haarlem i Holandës. Turneu Olimpik i kualifikimeve. Shqipëria me trajner Feti Borova i humbet të trija ndeshjet e saj, por me rezultate që tregojnë një rritje të qartë të basketbollit shqiptar: me Çekosllovakinë 69-88, por me Belgjikën vetëm 82-83 e me Holandën 81-84! Dhe Agim Fagu është shënuesi më i mirë i turneut me 67 pikë, por dhe i dyti në të gjithë grupet kualifikuese për Olimpiadën në Europë.

1975. Volfenbutel i Gjermanisë. Kampionati Europian (kualifikimet). Shqipëria me trajner Bujar Shehu, merr tri fitore: me Luksemburgun 95-71, me Islandën 112-77, me Suedinë 82-71. Agim Fagu është pikëshënuesi më i mirë i turneut me 146 pikë.

Për paradoks, i duhet të ruajë ndërkaq, në kujtesën e tij turneun në Kinë në vitin 1974, incidentin e zhurmshëm me një lojtar të ashpër kinez, i cili për ta bllokuar nuk përdor basketbollin, por anti-basketbollin. Çka natyrisht që ngjall reagimin e Agim Fagut. Kur mbërrin në Shqipëri e pret ndëshkimi, gati, gati duke e quajtur prishës të miqësisë Shqipëri-Kinë! Do të kishin punë me Agim Fagun edhe me dy fitoret e mëdha të Shqipërisë kundër Kinës më 1976.

Shqipëria mbërrin të fitojë një miqësore deri me Kinën. 1976: Shqipëria-Kina 85-75 me në krye Agim Fagun.

Shqipëria mbërrin të fitojë një miqësore deri me Kinën. 1976: Shqipëria-Kina 85-75 me në krye Agim Fagun.

Dhe koha që bën të sajën. Agim Fagu e mbyll më 1977 mbas një turneu në Greqi. Do të ndjekë anën tjetër të jetës së tij tejet të respektueshme: pedagog, diplomat, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar në Londër, deputet i Republikës së Shqipërisë, por dhe President i Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë (KOKSH). Agim Fagu është 9 herë Kampion i Shqipërisë, 9 herë fitues i anketës së “Sportit Popullor”. Më 1995 në anketën e kësaj gazete, teksa si kryeredaktor i saj po e ktheja në “Sporti Shqiptar” të rithemeluar si gazeta e parë sportive në Ballkan (1930), Agim Fagu shpallet “Basketbollisti Shqiptar i Shekullit”.

* Për vazhdimësi shih kapitujt I, II, III, IV në “Panorama Sport”, 28 shkurt, 6, 16, 29 mars 2024.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU, “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA IV)

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR/ Agim Fagu, “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA III)

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU – “Europa” e basketbollit shqiptar (PJESA II)

HISTORITË E MËDHA TË SPORTIT SHQIPTAR / AGIM FAGU – “Europa” e basketbollit shqiptar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"