Historia që u mbajt e fshehtë/ 25 vite më parë, kur Dinamo e volejbollit eliminohej vetëm për një licencë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 19:36

Historia që u mbajt e fshehtë/ 25 vite më parë, kur Dinamo e volejbollit eliminohej vetëm për një licencë

Nga UVIL ZAJMI
Pas Partizanit, fati ndëshkues do të ndjekë Dinamon e djemve dhe të vajzave në pjesëmarrjet e tyre në Kupat e Europës, ato të klubeve kampione në volejboll. Ajo e Partizanit, një histori që i përket sezonit të parë debutues, në këtë trofe, 1960-1961, fitore e dyfishtë në Vjenë e Tiranë dhe kualifikimin në turin e dytë përballë francezëve të “Stad de France”. Por ai takim nuk u zhvillua, duke e eliminuar padrejtësisht kampionët shqiptarë.

DINAMO, KAMPIONE 1978. Maksim Pekmezi, Shkëlzen Hoxha, Kico Lena. Vangjel Koja (Tr.), Rajmon Gjereazi, Andi Tirana, Vojo Malo, Ulur: Leonard Tase, Enis Terihati, Hajrulla Bejrolli, Shaban Uka, Kostaq Skënderi.

DINAMO, KAMPIONE 1978. Maksim Pekmezi, Shkëlzen Hoxha, Kico Lena. Vangjel Koja (Tr.), Rajmon Gjereazi, Andi Tirana, Vojo Malo, Ulur: Leonard Tase, Enis Terihati, Hajrulla Bejrolli, Shaban Uka, Kostaq Skënderi.

Me pretendimin, dhe një pretekst nga frika e një eliminimi të mundshëm, se në Tiranë luhet në fushë, terren të hapur, në “Parkun Sportiv” në Rrugën e Elbasanit (Pallati i Sportit “Partizani” u ndërtua më 1963), kampionët francezë refuzuan të vinin dhe Federata Europiane e Volejbollit i propozoi Partizanit ta luante këtë sfidë në Rumani, fushë asnjanëse, por që u kundërshtua nga klubi partizanas. Me një vendim absurd CEV e skualifikon në mënyrë arbitrare pa dhënë arsyetime, Partizanin.

Ndërkohë që nga shteti, Federata e Volejbollit, reagimi është publik, përtej kufijve, por CEV nuk e ndryshon vendimin. E njëjta situatë do të përsëritet pas gati 20 vitesh me ekipin dinamovit të meshkujve. Nga triumfi me turqit në Tiranë, kaosi në Stamboll para ndeshjes, seti i marrë që i garanton kualifikimin, por një parregullsi në dokumentacion do të eliminojë Dinamon. Një ngjarje befasuese, në një pallat sporti plot me shqiptarë të Kosovës, ku nuk mungon edhe një portret i madh i Enver Hoxhës, frika për një revoltë të tifozërisë dhe urdhri për zhvillimin e takimit. Pastaj gazeta “Sporti Popullor”, që nuk jep asnjë informacion për atë çfarë ngjau në Stamboll. Por ndëshkimet, skualifikimet, me viktimë klubet shqiptare, nuk do të ndalen këtu.

Dy kapitenët para ndeshjes Ekzacibasi- Dinamo në Stamboll, Leonard Tase (djathtas)

Dy kapitenët para ndeshjes Ekzacibasi- Dinamo në Stamboll, Leonard Tase (djathtas)

Pas tri vitesh, një tjetër vendim “tavoline”: Sezoni 1981-1982, Kupa e Kampioneve për femra, Dinamo e kualifikuar pas dy sfidave me SV Lohhof (RFGJ), do të përjashtohet nga vazhdimi për një motiv banal. Edhe kjo një ngjarje e pabesueshme, të cilën do ta tregojmë më vonë, me prapaskenat e atij eliminimi të parrëfyer, me kujtime nga sportistët që e kanë përjetuar. Duke iu rikthyer Stambollit, ajo përballje, ai konkurrim, përveç faktit që do të regjistrojë një histori të rrallë, të harruar dhe pak të dëgjuar e komentuar, “Panorama Sport” e sjell për lexuesit e saj me rrëfimin e Leonard Tases, titullar në ato ndeshje, ku shprehet: “Ishte sezoni i parë që CEV orientonte dhe udhëzonte aplikimin e licencimeve. Nuk e dinim, nuk na e kishte thënë njeri. Në ndeshjen e Tiranës nuk i kërkuan, në të dytën po, pasi vëzhguesi ishte turk. E kishin përgatitur terrenin dhe planin, pasi kishin frikë nga eliminimi”.

DINAMO, RIKTHIM NË KUPËN E KAMPIONEVE
1972 – “Final Four” të Brukselit, një përfaqësim dinamovit përtej fantazisë, konkurrimeve dinjitoze të Partizanit në këtë trofe në mesvitet ‘70-‘80, me ITT të Stambollit dhe italianët e Ruinit, skualifikimin pas refuzimit të luajë në “Final Four”, ku është një skuadër ruse, në edicioni 1978-1979, Shqipëria do të rikthehet në Kupën e Kampioneve sërish me Dinamon në fazën e 1/8- ave të saj. E rinovuar me disa ndryshime në përbërje, pasi disa lojtarë, legjenda të klubit, janë larguar, si Ylli Shehu, Keshnik Tartari, Ali Lulolli, Anastaq Panteqi, i fundit Asllan Rusi dhe Ilir Cirinaku. Një brez i ri, talente të shkollës së trajnerit Vangjel Koja, janë afruar, tashmë titullarë deri protagonistë në veprimtaritë kombëtare, lojtarë si Shaban Uka, Leonard Tase, Andi Tirana, që u bashkohen atyre me eksperiencë, Enis Terihati, Kiço Lena, Shkëlzen Hoxha, Hajrulla Beriolli, Edmond Gjerazi. Me ta si përforcim në ato sfida ndërkombëtare, do të merren edhe Hysen Domi i Labinotit, Irfan Boriçi i Vllaznisë dhe Ilir Halili i Partizanit.

NDESHJA E PARË, E TURIT TË PARË, DO TË LUHET NË TIRANË ME 5 NËNTOR 1978
Dinamo-Ekzacibasi 3-0 (15-2, 15-10, 15-6)
Një pallat sporti që përjeton një tjetër fitore të madhe, të thellë, e të merituar ndaj kampionëve të Turqisë, që një sezon më parë ishte renditur në vendin e katër në “Final Four” të kontinentit. Duke iu referuar shtypit të kohës, gazetës “Sporti”, informohemi se Dinamo me Lenën, Terihatin, Ukën, Halilin, Hoxhën, Domin, që nuk gabojnë, duke nisur nga shërbimi, mbrojtja dhe kundërsulmi, që është i fuqishëm me një sulm potent që thyen bllokun kundërshtar dhe 5-0. Ka rritje në lojë, nervozizëm te turqit dhe në këtë situatë shkohet në 9-2, 15-2 në 12 minuta lojë.

Edhe në të dytin, Dinamo pas barazimeve momentale, 2-1, 2-2, dominon dhe 6-3. Lena, i dëmtuar, zëvendësohet nga i riu Tase, ndërsa turqit me Saran dhe Cagan, kanë depërtuar ndaj bllokut vendës. Vendësit tentojnë lojën e kombinuar, shfrytëzojnë ngecjet, pastaj me disa gjuajtje të forta duke thelluar avantazhin në 11-3. Por ka humbje përqendrimi, ritmi nis të bjerë, ka pasiguri, ndërsa turqit me të aktivizuarin Acar, kanë ndryshim në lojë. Ai luan në pozicionin 2 dhe nga 11-3 në 12-10. Por, Hoxha, Domi do të rigjejnë forca, godasin saktë, realizojnë bllokun, bëjnë të kalohet situata dhe 15-10.

Seti i tretë, Dinamo intensifikon sulmin, organizon bllokun, dhe shpejt 4-0. Por, ekuilibri do të vendoset në 4-4. Pastaj 4 pikë radhazi të dinamovitëve me Shkëlzen Hoxhën. Nga Tase, Uka, Domi, Terihati, Halili, të gjithë shfaqen të mobilizuar e nuk lejojnë hapësira. Pikë pas pike, përfundimisht 15-6 mbyllet edhe ai set. 3-0 për skuadrën e Vangjel Kojës, 45-18 është diferenca totale e pikëve.

WhatsApp Image 2023-11-29 at 7.28.59 PM (4) (1)

KTHIMI, STAMBOLL, 12 NËNTOR 1978
EKZACIBASI-DINAMO 3-1 (15-2, 15-7, 10-15, 15-3)
Pas një jave, drejt Turqisë, Dinamo do të niset me autobus të Albturist, një udhëtim i lodhshëm për skuadrat shqiptare në ato vite. Në Stamboll, pragsfida duket delikate, situata është e tensionuar, kualifikimi gjithashtu i vështirë. Por Dinamo ka avantazhin e pikëve në takimin e parë, kur turqit kanë marrë vetëm 18. Por as ato nuk do të nevojiten, sepse Dinamo do të fitojë një set, të tretin, që i mjafton për një kualifikim. Ndeshja do të mbyllet 3-1 për vendësit dhe në turin tjetër, Dinamo do të këtë përballë fituesen e çiftit të kampioneve DanimarkëBelgjikë. Por, pa e ditur se një mungesë informacioni, në dokumentin zyrtar, do ta ndryshojë papritur rrjedhën, duke regjistruar edhe një ndër rastet e rralla në trofeun e Kupës së Kampioneve me klube. Dinamo do të ndëshkohet nga federata ndërkombëtare, duke u përjashtuar dhe eliminuar në tavolinë. Vetëm për atë parregullsi administrative.

Lojtarët e Dinamos në Stamboll

Lojtarët e Dinamos në Stamboll

MUNGESA E INFORMACIONIT NGA “SPORTI POPULLOR”
Si e vetmja gazetë sportive për kohën në Shqipëri, për atë ngjarje të pazakontë nuk do të ketë asnjë reagim. Në faqet e saj nuk do të shkruhet asnjë radhë, kur ajo duhet të informonte lexuesit, admiruesit, lidhur me atë takim dhe fundin e çuditshëm, një ndeshje me të tilla probleme, si vijoi, çfarë ndodhi, gjë që është normale për një gazetë, politikën e saj, funksionin që kryen, mesazhin që jep një organ shtypi, që edhe me pak rreshta mund dhe duhet detyrimisht, të informonte për situatën që shoqëroi kthimin e Ekzacibasi-Dinamo. Për më tepër, Dinamo ishte thuajse e kualifikuar dhe rezultati i Stambollit pritej me shumë interes në Tiranë. Vetëm pas ardhjes së volejbollistëve, mjedisi sportiv u njoh me faktin surprizë, që për një motiv administrativ, ai do të ishte një eliminim jo i fushës, por i shkresave.

Errësirë e plotë informacioni ndryshe në rastin e Partizanit me “Stade”, ku lexuesit do të informohen në disa numra të kësaj gazete. Ndërkohë motivi pse u kalua në heshtje, anomalinë, moskorrektesën, mungesën absurde të atij takimi në faqet e saj, vështirë të justifikohen. Çfarë fshihte ai mister, që u ruajt, u mbajt aq sekret pa u bërë publik? Një kompromis i të gjithëve, zyrtarë, federatë, klube deri edhe “Sporti Popullor”, i vetmi mjet i besuar informacioni! Madje duke e vijuar me ndeshjet e kampionatit kombëtar, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, aq më shumë në një veprimtari të tillë madhore. Të befason edhe qëndrimi shtetëror, që në të tillë raste, ngjarje, reagonte, të ndëshkonte për t’i bërë shembull fajtorët.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE

EKSKLUZIVE/ Leonard Tase tregon historinë e eliminimit të Dinamos: Zarfi nga CEV u gjet i mbyllur në zyrën e Federatës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"