Haxhiu e Teliti do qëndrojnë në staf, Bubeqi si trajneri i ri: Pranova me dëshirë, Besa ka nevojë për secilin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 13:02

Haxhiu e Teliti do qëndrojnë në staf, Bubeqi si trajneri i ri: Pranova me dëshirë, Besa ka nevojë për secilin

Nuk ka zgjatur shumë aventura në krye të stolit verdhezi e kosovarit Fidaim Haxhiu. Ai zëvendësoi Lorenc Pashjen pas dorëheqjes që dha para ndeshjes me Kastriotin, si dhe drejtoi verdhezinjtë në dy humbjet e fundit në Vorë dhe ndaj Elbasanit.

bubeqi

Humbja në shifrat 0-5 nuk u “përtyp” dot nga presidenti Nexhat Bizhdili, i cili ka vendosur që drejtimin e skuadrës ta marrë një “ish”, Dorjan Bubeqi. Të mundesh nga Elbasani nuk është çudi, por paraqitja e fundit dhe 5 golat e pësuar janë një ndëshkim i rëndë për Besën. Një ekip që ishte hija e emrit të madh që mban. Aq më shumë që tashmë Luzi mundi Bylisin dhe i janë shtuar shanset për të besuar se mund t’ia dalë.

Në këto kushte, presidenti Bizhdili ka thirrur “nën armë” një puro kavajas si Dorjan Bubeqi, që ka një përvojë jo të vogël në trajnim. Ai ka drejtuar ekipe si Besa, Erzeni, Korabi e Burreli, duke dëshmuar vlera. Përvoja e tij në Kategorinë e Parë, por edhe duke ndjerë përgjegjësinë për fanellën, që e nderoi më tepër se shumë të tjerë. Bubeqi është kavajas, e di se ku pikon “çatia” dhe ka ndjekur Besën edhe si tifoz i saj në të gjitha takimet.

Prononcimi i trajnerit- Pas marrjes së detyrës së re, Dorjan Bubeqi” shkurtimisht ka dhënë edhe prononcimin e parë si trajneri më i ri i Besës. “Drejtimin e ekipit e pranova me dëshirë, pasi sot Besa ka nevojë për kontributin e secilit. Duke qenë se jam rritur me këtë fanellë dhe e kam atë në ‘gjak’ pranova që të kontribuojë mesa të mundem me aftësitë dhe përvojën time si trajner. Gjithsesi i vetëm nuk bëhet asgjë, pasi dihet se puna funksionon në grup duke bashkuar të gjitha hallkat, president-staf teknik dhe lojtarët që luajnë në fushë.

Shpresoj t’ia dalim me sukses në fund”, u shpreh për gazetën trajneri i ri i Besës, Dorjan Bubeqi. Ai nuk ka vonuar, dhe nën reshjet e shiut që nuk pushuan gjatë gjithë seancës stërvitore, zbriti dhe zhvilloi përgatitjet e para me ekipin. Bizhdili nuk ka larguar asnjë nga ndihmësit, kështu që Fidaim Haxhiu dhe Ylli Teliti do të vijojnë të mbeten në krah të Dorjan Bubeqit. Me sa u kuptua, presidenca nuk ka dashur të rëndojë edhe më shumë psikologjinë e futbollistëve duke mos kryer analizë për Elbasanin, por ka preferuar t’ia lërë në dorë Bubeqit rikuperimin psikologjik të grupit. Kujtojmë se Besën e pret një tjetër kundërshtar po aq i vështirë sa Elbasani, Bylisi, që vjen pas humbjes ndaj Luzit. Pra, trajneri Bubeqi debuton në krye të Besës në transfertën e Ballshit.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"