“Harrojeni golin”, Boje i hap sfidë Apolonisë: Nesër mbyllim llogaritë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2023 | 22:59

“Harrojeni golin”, Boje i hap sfidë Apolonisë: Nesër mbyllim llogaritë

Tomori llogarit vetëm fitoren me Apoloninë. Pasi gjetën kthesën dhe kapën vendin e 5-të, ambicia është shtuar. Me Korabin që e ka “malore” këtë javë (luan në transfertë me Skënderbeun kryesues), u vjen shansi i madh që të ngjiten një kat më lart.

TOMORI

E megjithatë, nuk është vetëm ky shkaku që duan t’i mundin fierakët. Njihet gara që kanë pasur historikisht këto skuadra me njëra-tjetrën, ndaj trepikëshi do të kishte tjetër shije. Sidoqoftë, beratasit e dinë që do ta kenë të vështirë. Edhe pse i presin në shtëpi, janë të vetëdijshëm për cilësitë që kundërshtari zotëron.

Drejtohen nga një teknicien i zoti si Veljko Dovedan dhe mbi të gjitha kanë një grup të rinjsh shumë të talentuar e ambiciozë.

TOMORI KORABI

GARANCIA VJEN NGA BOJE

Si për të karikuar, vjen deklarata e Klemnt Boje. Për “Panorama Sport” ai jep një premtim, duke i hapur në një formë edhe “sfidë” sulmuesve bardhejeshil. Për portën do të mendojë afrikani, ndërsa pjesën tjetër ia lë pjesën tjetër të ekipi.

“Jemi duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për javën e 23-të. Luajmë në shtëpi dhe gabimet janë të ndaluara. Llogaritë bëhen me fitoren, ndonëse përballë do të kemi një ekip që meriton vlerësim. Do ta dëshironim shumë fitoren nesër, sepse do të mbante të gjallë shpresën tonë për të pretenduar ngjitjen në renditje. Jemi vërtet të pestët, por vendi i katërt është më mirë. Nga ky pozicion do të kishim mundësinë që të shkojmë sa më larg në fazën ‘play off’.

Në këtë sens, të gjithë jemi të vendosur që të luajmë vetëm për fitore. I kemi marrë që të gjitha masat, që ta kalojmë me sukses këtë 90- minutësh. Garës po i vjen fundi, por uria jonë sa vjen edhe shtohet. Unë personalisht, di të them diçka.

Do të bëj gjithçka për të mbajtur të paprekur portën, qoftë edhe në rast se do të kryesonim me më shumë se një ose dy gola diferencë. Nuk dua të pësoj në këtë ndeshje”, ka përfunduar gardiani i Tomorit. Ganezi është aktivizuar në 21 takime këtë sezon futbollistik, duke marrë në total 1794 minuta. Tri herë që është zëvendësuar, kanë ardhur prej dëmtimeve të rënda që ka pësuar.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"