Harbin Reçica: Shfrytëzoj shanset e dhëna nga trajneri, Besës i duhet vazhdimësia e rezultateve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 17:31

Harbin Reçica: Shfrytëzoj shanset e dhëna nga trajneri, Besës i duhet vazhdimësia e rezultateve

Çdo mungesë peshonte shumë për fatet e Besës deri para pak ditësh, por dy takimet e fundit treguan se të gatshëm për ekipin janë edhe lojtarët e stolit. Rritja e tyre erdhi falë mbështetjes, aktivizimit dhe motivimit që trajneri Dorjan Bubeqi përçon tek ata.

BESA

I tillë është edhe mesfushori Harbin Reçica, që ashtu si Shurdhiqi duket se kanë gjetur veten. “Çdo lojtar, sidomos ne të rinjtë, mezi presim të hyjmë në fushë për të treguar vlerat tona. Jam munduar që shanset e dhëna, si me Luzin dhe me Tomorin, t’i shfrytëzoj në maksimum dhe të bind trajnerin që ia vlen të besojë tek unë. Natyrisht që kur shënon, si në Berat, gëzimi është më i madh”, u shpreh fillimisht Harbin Reçica.

“Gjykoj se nuk ka as motiv dhe as arsye që pas 2 fitoresh të nisim të jemi euforikë. Trajneri Bubeqi, të cilin e vlerësoj për mënyrën se si komunikon me ne, e ka thënë qartë se nuk vlejnë as 2 apo 3 fitore nëse nuk kemi vazhdimësi. I kemi harruar dy fitoret dhe po përgatitemi për një finale tjetër, atë në Burrel. Duhet të jemi të përgatitur për një ndeshje të fortë e të vështirë.

Ne vijmë nga dy fitore dhe përtej gjendjes psikologjike të mirë, besojmë fort se kemi gjetur tashmë edhe mënyrën se si duhet të jemi produktivë. Mënyra se si po luajmë me Bubeqin, jep të gjitha shpresat që 2 fitoret të pasohen edhe me të tjera. Burrelin e respektojmë, por do të udhëtojmë me synimin që këtë herë të mos kthehemi pa pikë”, u shpreh për “Panorama Sport” mesfushori nga Shkupi.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"