Halandi faktor dhe Interi përbindësh mentaliteti/ Finalja e detajeve, ja ku fitohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2023 | 23:45

Halandi faktor dhe Interi përbindësh mentaliteti/ Finalja e detajeve, ja ku fitohet

Një finale pritet gjithmonë të ven doset nga detajet dhe në analizën e bërë nga UEFA do të jenë të paktën katër faktorë që do të vendosin rezultatin e aktit të fundit të Champions League.

haland dhe lautaro

Nga Erling Haland te mentaliteti i frikshëm i Interit, janë këto pikat kyçe ku mund të fitohet dhe humbet finalja e Stambollit.

HALAND

Në rastet e rralla kur nuk janë në maksimumin e tyre, “qytetarët” e Guardiolës kanë një sulmues si Erling Haland, i cili është i aftë të vendosë ndeshjet i vetëm. Haland mund të jetë brenda ose jashtë ndeshjes, por kur i paraqitet një mundësi e qartë para porte, fenomeni norvegjez rrallëherë gabon.

Nuhatja për golin e 22-vjeçarit mund të jetë vendimtare nëse në Stamboll ndeshja do të jetë e mbyllur dhe me pak shanse, siç ndodh zakonisht në përballje të këtij niveli. Po ashtu, aftësia e sulmuesit për të tërhequr kundërshtarët me vete dhe mbi të gjitha mbrojtjen me tre të Interit, pritet të lërë jo pak hapësira për shokët e tij të skuadrës për te depërtuar dhe Siti nuk fal në këtë drejtim.

BARELA PËRBALLË RODRIT

Pak ekipe kanë dominuar në betejën e mesfushës me Sitin gjatë sezoneve të fundit, kështu që është jetike që ata që do të kenë detyrën të rikuperojnë topin tek Interi, ta realizojnë më së miri detyrën e tyre. Po aq e rëndësishme ama është që ndërsa bëjnë këtë, të mos neglizhojnë detyrat e tyre gjatë posedimit të topit.

Shumë në këtë drejtim do t’i takojë Nikolo Barelës, mesfushorit të gjithanshëm zikaltër, që pasi shfaqet në çdo metër të repartit, kërkon jo pak herë pasimin drejt sulmit, te Lautaro Martinez veçanërisht. Kundërshtari i tij? Rodri, spanjolli që po përjeton ndoshta sezonin e tij më të mirë deri më tani dhe që është lideri i kompeticionit në çdo statistikë të mesfushës.

MENTALITETI ZIKALTËR

Siti nuk i ka fshirë ende shenjat që ka lënë paraqitja zhgënjyese në finalen e 2021- shit, kur Çelsi i shkatërroi shpresat për trofeun të skuadrës së Guardiolës që nisej pa dyshim favorite. Kjo mund të shërbejë jo vetëm si motivim për “qytetarët”, por mund të ketë edhe efektin e kundërt tek ata dhe Interi është nga ato skuadra që mund të të zgjojë makthet e së shkuarës.

Zikaltrit kanë treguar se janë ekspertë në ndeshjet direkte dhe kanë humbur vetëm një nga 20 përballjet e fundit të formatit të Kupave, duke fituar trofe të njëpasnjëshëm. E nëse nuhat mundësinë më të vogël, Interi është gati ta shfrytëzojë shansin e tij.

ZGJEDHJET E TRAJNERËVE

Në sezonet e kaluara, disa akuzuan Pep Guardiolën se i kishte menduar më tepër se ç’duhej zgjedhjet dhe taktikat e tij për ndeshjet e mëdha të Sitit.

Jo këtë sezon ama, sepse 52-vjeçari ka hezituar të ndërhyjë me sistemin e tij në fazën me eliminim direkt, një qasje e përligjur nga performancat e një ekipi të matur në transfertë dhe të një ekipi të pamëshirshëm në shtëpi.

Nëse Siti mund t’i kombinojë të dyja kundër Interit, do të jetë shumë i vështirë për t’u mposhtur. Interi gjithashtu ka qenë i qetë dhe solid në këtë drejtim, por tashmë Inzagi ka vendime për të marrë për shkak të formës dhe gjendjes fizike me kandidatura si Romelu Lukaku dhe Marselo Brozoviç, që kërkojnë një fanellë titullari.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"