Haland me shifra mahnitëse, nëse do të vazhdojë kështu mund të shënojë deri në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2023 | 17:17

Haland me shifra mahnitëse, nëse do të vazhdojë kështu mund të shënojë deri në…

Erling Haland do ta përfundonte sezonin e Premier Ligës me 39 gola nëse ruan raportin aktual të golave të shënuar për minuta të luajtura dhe do ta mbyllte sezonin me 41 gola në kampionat nëse do të luante çdo minutë.Erling Haland

Sulmuesi norvegjez është në rrugën e duhur për të thyer rekordin e të gjitha kohërave të “Këpucës së Artë” të Premier Ligës prej 34 golash të vendosur nga Endi Kol (1993-94) dhe Alan Shirer (1994-’95), që të dy të arritur në sezone me 42 ndeshje. Ndërkohë që në të gjitha kompeticionet, Haland do të regjistronte 60 gola këtë sezon nëse ai ruan mesataren e tij të golave dhe Mançester Siti arrin në finalet e të gjitha ndeshjeve të mbetura të klubeve. Ndërsa do ta mbyllte sezonin me 66 gola, nëse nuk do të zëvendësohej kurrë. 22- vjeçari kishte shënuar vetëm dy gola në tetë ndeshje deri në fund të muajit janar, por iu rikthye shifrave të tij mahnitëse me një penallti ndaj Kristal Palasit dy javë më parë, pesë golat në fitoren 7-0 ndaj Lajpcigut në Champions dhe një tripletë kundër Bërnlejt në Kupën FA. Sulmuesi u grumbullua edhe me kombëtaren e Norvegjisë javën e kaluar, por u tërhoq nga skuadra e vendit të tij pasi pësoi një dëmtim në ijë në ndeshjen e fundit me “Qytetarët”.

Golashënuesi më i mirë i Premier Ligës këtë sezon ka shënuar 28 gola në vetëm 26 ndeshje në kampionat dhe është zëvendësuar në nëntë nga këto sfida. Ai ka realizuar katër tripleta gjatë fitoreve kundër Krisal Palasit, Notingem Forestit, Mançester Junajtidit dhe Uolverhemptonit. Këto shifra prodhojnë një mesatare fantastike prej 1.19 golash për ndeshje, më shumë se çdo futbollist tjetër në pesë ligat më të mira të Europës këtë sezon që ka luajtur më shumë se 504 minuta.

NË DYSHIM – Haland ka munguar në stërvitjen e djeshme me skuadrën e Sitit. Babai i sulmuesit tha se rikuperimi i tij ka nisur që në shtëpinë e tij në Marbeja, për t’u vizituar më pas në një spital në Barcelonë dhe vijuar rikuperimin në Mançester. Por “Sky Sports” raportonte se procesi i rikuperimit të tij mund të jetë duke vijuar në ambiente të mbyllura dhe sot do të ketë një tjetër seancë të plotë stërvitore përpara ndeshjes së të shtunës kundër Liverpulit. Prandaj ai nuk është përjashtuar ende nga sfida e nesërme, ndërsa gjithçka pritet ta konfirmojë sot trajneri Pep Guardiola.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"