Gvozdenoviç: Në Durrës për tri pikë, ky Skënderbe ka karakter

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2023 | 9:55

Gvozdenoviç: Në Durrës për tri pikë, ky Skënderbe ka karakter

Humbja ndaj Tiranës është lënë pas krahëve në Korçë dhe të gjithë janë të përqendruar te ndeshja e sotme me Teutën. Përtej vështirësisë së ndeshjes, trajneri Ivan Gvozdenoviç duke folur në konferencën për shtyp ka kërkuar maksimumin nga të tijtë për të bërë reagimin e duhur pas humbjes së një jave më parë.fhg

Gvozdenoviç, humbja ndaj Tiranës i ka bërë mirë Skënderbeut në aspektin e euforisë?

Të thuash ka bërë mirë një humbje është paksa e çuditshme. Ndoshta në aspektin që ju po më pyesni është e vërtetë që një humbje kthen me këmbë në tokë ata që janë euforikë, por nuk është rasti ynë. Çdo humbje nuk është mirë për ne. Është koha që ta lëmë pas atë takim. Normalisht ajo që ka rëndësi për ne është reagimi dhe duhet ta bëjmë një gjë të tillë ndaj Teutës.

Reagimi tregon forcën e një ekipi, këtë doni të thoni?

Po. Një ekip që reagon pas një humbjeje ka forcë karakteri dhe cilësi. Këtë e them me bindje dhe këtë duhet të tregojmë. Duhet të jemi ekipi që nuk jemi vrarë nga ajo humbje, por na ka bërë më të fortë.

Mungesa e Ramosit ju detyron të ndryshoni dhe skemën?

Janë detaje që nuk dua t’i komentoj dhe t’i bëj publike. Mund të them se kemi punuar mirë dhe kemi bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme për këtë mungesë. Jam i bindur se të gjithë që do të luajnë do të bëjnë maksimumin e tyre për të marrë një rezultat pozitiv. Pjesa tjetër e ekipit është gati.

Sa e vështirë është kjo transfertë me Teutën?

Dua të them që përtej oshilacioneve Teuta mbetet një ekip i fortë që meriton respekt. Kanë humbur ndeshjen e fundit me Laçin 6-1, por të mos harrojmë që kanë barazuar me Tiranën në një ndeshje të mirë nga ana e tyre. Është një ekip që ka objektivat e vet dhe për këtë duhet të bëjmë kujdes.

Në Durrës shkoni vetëm për tri pikët?

Po, e them me bindje që do të shkojmë për të marrë maksimumin në këtë takim. Ndeshja është e vështirë, por duhet të jemi të përqendruar dhe nëse dalim në lojën tonë them se do të kthehemi me pikë nga Durrësi.

Shumë kartonë të verdhë në këtë fillim kampionati…

Ju keni të drejtë, por të mos harrojmë se kemi pasur takime shumë delikate. Deri diku mund të justifikohen. E çuditshme është që portieri ynë është ndëshkuar tri herë. Në fakt unë kam folur me të pas ndeshjes së fundit dhe i kam shpjeguar që të jetë më i kujdesshëm. Vjen nga një mentalitet tjetër, në Itali, dhe duhet të përshtatet me ambientin këtu dhe futbollin shqiptar.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"