Gvozdenoviç: Jo më gabime si me Teutën, në Kukës për 3 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 10:52

Gvozdenoviç: Jo më gabime si me Teutën, në Kukës për 3 pikë

Skënderbeu është gati për të luajtur një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Pas humbjes me Teutën në shtëpi, korçarët kanë nevojë të tregojnë forcën e tyre dhe mbi të gjitha të rikthehen te rezultatet pozitive për të mos pasur më probleme sa i përket qëndrimit në Superiore.

gvozdenovic

Kjo edhe për faktin se javët e fundit të kampionatit do të jenë tejet të vështira dhe të luftuara. Për këtë trajneri bardhekuq, Ivan Gvozdenoviç, kërkon maksimumin nga të tijtë në ndeshjen e radhës. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, para transfertës së Kukësit, Gvozdenoviç u ndal pak tek ndeshja e humbur me Teutën, duke kërkuar nga të tijtë që të harrojnë gjithçka ndodhi në javën e fundit, por të përqendrohen vetëm tek sfida e radhës në kampionat.

“Kemi pasur kohë për të analizuar me kujdes gjithçka dhe normalisht që jemi ndalur te ndeshja e humbur në shtëpi. Ndaj Teutës gabuam totalisht dhe nuk funksionuam asnjëherë si ekip, të paktën me ato që kemi punuar gjatë javës dhe që kemi treguar në ndeshjet e fundit. E kemi analizuar me kujdes atë humbje dhe kemi nxjerrë mësimet se çfarë duhet të përmirësojmë dhe çfarë duhet të bëjmë ndryshe në ndeshjen e radhës. Por nuk është momenti për t’u ndalur shumë te një ndeshje që ka kaluar. Teuta është e shkuara dhe ne duhet të qëndrojmë të përqendruar tek e tashmja, që është ndeshja e së premtes.

Normalisht, në të tilla kushte lind si detyrim që të rikthehemi te rezultatet pozitive. Është fundi i kampionatit dhe në këtë pikë ku jemi, çdo ndeshje ka shumë rëndësi. Çdo pikë vlen shumë, ndaj duhet të vlerësojmë maksimalisht këtë që sapo thashë. Është shumë e rëndësishme që të jemi në maksimumin tonë në çdo takim nga tani e deri në fund të sezonit”, theksoi fillimisht trajneri i Skënderbeut.

KUKËSI – I ndalur më pas te transferta në Kukës dhe fakti që kuksianët janë në garë për dy kompeticione, Gvozdenoviç nuk e quan aspak si përparësi për Skënderbeun. Përkundrazi mendon se korçarët duhet të shohin vetëm sezonin e tyre dhe të mos ndikohen nga pozicioni apo objektivat e kundërshtarit.

“Të ndikoheshim nga pozicioni i Kukësit dhe objektivat e këtij ekipi, do të ishte gabimi më i madh për ne. Ne do të shkojmë atje për të bërë lojën tonë dhe duke qenë të fokusuar vetëm tek objektivat tona. Le të përpiqemi të japim maksimumin në këto pesë ndeshje të fundit, duke filluar nga kjo e së premtes. Jemi Skënderbeu dhe patjetër që do të kërkojmë pikët maksimale edhe në këtë takim.

Do të shkojmë në Kukës të bindur se mund të bëjmë shumë mirë këtë ndeshje dhe të dalim me tri pikë të plota. Më pas do të jetë fusha ajo që do të vendosë rezultatin përfundimtar. Ndryshe nga ndeshja me Teutën, nuk do të mendojmë për dy rezultate, pasi për ne rendësi ka vetëm fitorja”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën, trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"