Goleadori i Partizanit, Da Silva: Tani është në dorën tonë, e prisnim ndalesën e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 22:15

Goleadori i Partizanit, Da Silva: Tani është në dorën tonë, e prisnim ndalesën e Tiranës

Viktor da Silva shënoi një dopietë, që i dha mundësinë Partizanit të bënte përmbysjen dhe të merrte tri pikët që e ngjisin në krye të klasifikimit dhe e dërgojnë vetëm 90 minuta larg titullit kampion. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, braziliani i të kuqve pohon se u kënaqet golave për aq koha sa skuadra merr fitoren.

Da Silva

“Jam shumë i kënaqur, sidomos kur skuadra fiton dhe kjo na jep mundësinë të luajmë shanset tona për të fituar kampionatin. Çdo gjë tani është në dorën tonë, ndaj do të shohim tani të hënën. Nuk ka rëndësi për mua nëse shënoj ose jo në ndeshjen e fundit, rëndësi ka që të fitojë skuadra titullin. Individualiteti kalon në plan të dytë”, u shpreh fillimisht sulmuesi.

BARAZIMI I TIRANËS

Da Silva flet edhe për momentin kur skuadra priste barazimin e Tiranës në Rrogozhinë me Bylisin. “E prisnim dhe shpresonim te ndalesa e Tiranës dhe fatmirësisht shkoi mirë. Tani na takon neve ta zgjidhim kampionatin të hënën.

Janë emocione që më shumë mbeten brenda ambientit të skuadrës, sepse kemi edhe një ndeshje të hënën. Ndaj, tani duhet të përqendrohemi dhe të bëjmë më të mirën tonë”, përfundoi prononcimin Vitor da Silva, i cili me dopietën ndaj Kastriotit shkoi në kuotën e 13 golave, 3 më pak se Florent Hasani, që kryeson listën e golashënuesit më të mirë të Kategorisë Superiore.

Prej faktit se ka mbetur edhe vetëm një ndeshje nuk pritet të ketë garë për “Këpucën e Artë”, pasi duket shumë e vështirë që Da Silva të shënojë tre gola ndaj Teutës në betejën e fundit. Gjithsesi, gjithçka mund të ndodhë. Golashënuesi i dytë më i mirë i të kuqve mbetet Skuka me 10 gola, i cili është larguar që në janar te Metzi në Francë. I treti në listën e golashënuesve të kuq është Engjell Hoti, i cili 4 prej rrjetave i ka shënuar si zëvendësues.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"