Gol me një dedikim special, kapiteni Hoxha pas fitores ndaj Erzenit: Dinamo do të shkojë gradualisht aty ku ka vendin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2023 | 14:46

Gol me një dedikim special, kapiteni Hoxha pas fitores ndaj Erzenit: Dinamo do të shkojë gradualisht aty ku ka vendin

Rustem Hoxha, mbrojtësi durrsak që mban shiritin e kapitenit te Dinamo, zgjidhi një ndeshje shumë të vështirë me atë gol trepikësh ndaj Erzenit.

Hoxha

Ishte gol në qytetin e tij, në stadiumin ku ka fituar titullin më parë me Teutën, në një ndeshje ku fitorja ishte domosdoshmëri dhe ndoshta kjo e futi skuadrën pak në presion. Për “Panorama Sport”, kapiteni ka shprehur kënaqësinë për fitoren, ndërsa për golin ka një dedikim të veçantë.

“Natyrisht, jam i lumtur për golin, sepse i dha fitoren skuadrës. Ishte shumë e rëndësishme ta fitonim këtë ndeshje dhe ia arritëm qëllimit. Shpresoj të jetë goli dhe fitorja që do ta ngrenë Dinamon në vendin që meriton, sepse e kemi theksuar shpesh, që nuk jemi skuadra që duhej të qëndronte në fundin e tabelës. Erzeni na e bëri të vështirë, pasi është një skuadër e fortë. Megjithatë, rëndësi ka që kemi marrë një fitore të çmuar. Tani ka shumë rëndësi të vazhdojmë në rrugën që kemi nisur me ardhjen e trajnerit Mehmeti. Sa i përket golit, ia kam dedikuar Gimit (Agim Shkodra), magazinierit të klubit. Është një person që na ndihmon shumë, na qëndron gjithë kohën afër dhe prandaj ia dedikoj atij këtë gol. Përpara kemi një tjetër ndeshje të vështirë, derbin me Partizanin, ndaj dhe nuk ka kohë për të festuar. Dinamo do të shkojë gradualisht aty ku ka vendin”, përfundoi kapiteni i “nëndetëses”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"