“Gjimshiti kapiten sepse pashë ndeshjet e Shqipërisë”, Silvinjo tregon prapaskenën me Brojën: Ja si u largua nga grumbullimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2023 | 0:04

“Gjimshiti kapiten sepse pashë ndeshjet e Shqipërisë”, Silvinjo tregon prapaskenën me Brojën: Ja si u largua nga grumbullimi

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, mendon se Berat Gjimshiti është emri i duhur për të qenë kapiteni i kuqezinjve, për shkak se i transmeton ekipit shumë qetësi. Në një intervistë të dhënë për “Studio Sport” në “Vizion+”, ai shpjegoi edhe çfarë kishte ndodhur në të vërtetë herën e parë kur kishte grumbulluar Armando Brojën me kuqezinjtë por ai u largua pas dy ditësh.

sukvinjo

“Pas humbjes me Poloninë, pashë një skuadër të organizuar. Në dhomat e zhveshjeve kuptova se kush kishte dëshirë të punonte dhe ishte një shenjë pozitive dhe jo shenjë që kishim humbur. Më pas morëm 6 pikë dhe po të më pyesësh për vazhdimin, do të them edhe pas 50 vitesh që ndeshja në shtëpi me Poloninë ishte domethënëse për ne.

Gjimshitin kapiten e vendosa se është shumë i qetë. I kam parë ndeshjet e Shqipërisë dhe ka nevojë për një lojtar të qetë në fushë dhe ai e transmeton këtë.

Broja? Të gjithë të jeni të qetë. E ka thënë ai vetë, e kam parë postimin në Instagram dhe ishte shumë e bukur. Ai duhet të rikuperohet plotësisht dhe e kam thënë këtë. Herën e parë, duhej të vinte të dielën tek ne por nuk erdhi, bëri një kontroll mjekësor tek Ccelsi se nuk ishte mirë dhe mbërriti të hënën. Beri rikuperimin dhe të martën në mëngjes nuk ishte mirë. Bëri kontroll edhe te ne por mjekët thanë që nuk mund të luajë. I thashë me vjen keq por duhet të rikuperohesh. Një lojtar i fortë si ai, duhet të bëjë rikuperim 100%. Unë jam absolutisht i bindur që do ia dalë”, tregoi ndër të tjera Silvinjo.

Mister urime për arritjen e 2 objektivave, si për kualifikimin por edhe për vendin e parë në grup.

Faleminderit shumë.

Si ndiheni tani, a jeni çlodhur nga festimet?

Pak nga të dyja, i çlodhur nga rezultati sigurisht , dhe i lodhur pasi 3 muajt e fundit ishin shumë të vështirë, përpara arritjes së objektivit.

Shqipëria në Euro 2024, tanimë  në një gjykim më të ftohtë, si do ta vlerësonit këtë arritje të  kombëtares sonë?

E mahnitshme, e jashtëzakonshme. Të kualifikohesh në europian, një ndeshje përpara se të përfundoje grupi nuk është e lehte.

Ju personalisht keni shijuar shumë suksese  në karrierën tuaj, çfarë do të veçonit si speciale në kualifikimin me Shqipërinë?

Punë, shumë punë e bërë, si nga unë ashtu edhe stafi, me rezultate shumë të mira. Unë jam kështu, njerëzit që janë afër meje duhet të punojnë që të  shkojmë përpara. Unë kam lindur në San Paolo, një qytet që nëse nuk ecën përpara, të vrasin. Kulturën e punës e kam.

Në një grup me Poloninë dhe Çekinë, në fillim menduam se do të vuanim me to, por në fund na bënë të vuajmë Moldavia dhe Ishujt Faroe, cila ishte ndeshja më e mirë dhe cila jo?

Sa i takon konstatimit të parë, kur ti ke përballë një skuadër shumë të fortë, më të fortë se ty, si Çekia dhe Polonia nuk ke nevojë të imponohesh shumë fort me futboll. Ti mund të jesh aktiv të luash me kundërsulme, ti prishësh punë dhe të shqetësohesh vetëm për mbrojtjen. Por kur ti ke përballë një skuadër që është më e dobët se ty, ti duhet të luash përpara, të vraposh, të ecësh, të sulmosh, të krijosh raste, dhe nëse ata pastaj mbyllen në mbrojtje na vënë në vështirësi. Sipas meje ndeshja jo më perfekte, por më e mahnitshme në nivel teknik, taktik është me Çekinë në shtëpi. Ndërsa ndeshja që nuk më pëlqeu ishte ajo me Ishujt Faroe në shtëpi, dhe po ashtu pjesa e dytë në ndeshjen me Moldavinë. Një natë përpara ndeshjes me Moldavinë unë me Dorivën dhe stafi diskutonim, a është cdo gjë në rregull? Pasi ti nisesh nga këtu për në Moldavi, pas 8 muajsh punë, dhe përpara se të futesh në fushë i thua djemve, është hera e parë që kemi mundësinë, të luajmë një ndeshje për  90 minuta dhe të shkojmë në europian. Është një ëndërr. Unë jam i bindur që shumë futbollistë hynë në fushë me një lloj ankthi. Pjesa e parë e mirë, dhe pastaj ti futesh në pjesën e dytë dhe gjërat janë të pashmangshme. Ne jemi njerëz dhe sado presion ti bësh, shko përpara mos u shqetëso për mbajtjen e topit, shko sulmo, por kur mbeten dhe 25 minuta, në fund është shumë e vështirë.

Në cilën ndeshje u bindët se Shqipëria do të shkonte në Europian?

Rrugëtimi është shumë i qartë për mua. Pas humbjes me Poloninë, pashë një skuadër të organizuar. Në dhomat e zhveshjes kuptova kush ishte dakord të punonte, dhe ishte një shenjë pozitive dhe jo shenjë se kishim humbur. Më pas morëm 6 pikë me Çekinë dhe Moldavinë, e nëse do më pyesësh për vazhdimin, edhe pas 50 vjetësh do të them që ndeshja me Poloninë në shtëpi , ishte shumë domethënëse për të gjithë ne.

Gjatë këtij viti ju keni thirrur 37 futbolliste, 28 kane luajtur, cilat janë me te rëndësishmit për ju?

Të gjithë sepse janë si fëmijët, ti duhet ti flasësh ti menaxhosh…

Hysaj dhe Berisha kanë numrin më të lartë të ndeshjeve, pse zgjodhët kapiten Gjimshitin?

E zgjodha Gjimshtin pasi është një lojtar shumë i qetë. Unë i kam parë ndeshjet e Shqipërisë dhe kuptova që ka nevojë për një njeri të qetë në fushë, si kapiten. Dhe Gjimshiti e transmeton këtë, pasi në momentet e vështira ke nevojë për një njeri të qetë, që të vazhdojmë përpara.

Si e zbuluat Asanin, që nuk ishte grumbulluar asnjeherë në kombëtare?

Kur filluam të  ndërtonim skuadrën, në kokë e kisha një 4-3-3 ose 4-2-3-1. Më pëlqente shumë të kisha një lojtar të krahut të djathtë, që ti jepte më shumë cilësi teknike dhe qetësi skuadrës. Gjatë punës, një ditë të bukur më vjen një video e një futbollisti që kishte bërë një rrugëtim me Partizanin, por që tani luante në Kore. Ishte luftë për të gjetur video të ndeshjeve në Kore dhe pasi e pashë, thashë, ky është një futbollist që të duhet.

Me 2 mbrojtës ekspertë si Hysaj dhe Balliu, ku gjetët guximin ti besonit një 20-vjeçari si Mario Mitaj? 

Është i majtë, dhe Doriva më thoshte duke bërë shaka Silvio ti je i majtë dhe ty të pëlqen një i majtë. Si Hysaj dhe Balliu janë futbollistë ekspertë, 30-vjeçar, të mësuar të luajnë në skuadra të forta, në kampionate të fortë. Por kam parë që Mario me U-21-in,  ka bërë ndeshje të shkëlqyera edhe në qendër madje. Dhe thashë ky është një futbollist i rëndësishëm me cilësi shumë të mira teknike, e më tej pashë se ishte dhe një lojtar me shumë personalitet, i qetë.

Një emër që ka munguar, është shumë i rëndësishëm për ne, Armando Broja. Si ju ashtu edhe Broja keni theksuar se nuk ka probleme mes jush. A duhet të jemi të qetë se nuk ka një tjetër të vërtetë? Dhe a do të jetë në dipozicionin tuaj?

Duhet të rrini shumë të qetë, kam parë dhe instagramin e tij e ishte shumë e bukur ajo që kishte shkruar. Historia e Brojës është që ai duhej të rikuperohej plotësisht dhe ia kam thënë këtë. Ta shpjegoj… ai luajti me Çelsin 12 minuta gjatë ndeshjes, më pas 10 , bëri 60 minuta në ndeshjen tjetër e më pas 45 minuta. Përpara se të vinte te ne bëri një kontroll, duhet të vinte të dielën te ne, nuk erdhi, bëri një kontroll mjekësor te Çelsi pasi nuk ishte mirë. Mbërriti te ne të hënën, bëri rikuperimin dhe të martën në mëngjes nuk ishte mirë.  Bën një kontroll mjekësor edhe te ne dhe mjekët thanë që ai nuk është në gjendje të luajë. I thashë më vjen keq për ty, por duhet të rikuperohesh. Në fakt ai vjen nga një dëmtim shumë i vështirë, gati 10 muaj, që për një lojtar të fortë, fuqishëm si ai duhet të rikuperojë 100%. Unë jam absolutisht i bindur se do t’ia dalë.

Ka nevojë për emra të tjerë kjo kombëtare, apo do qëndrojmë te e njëjta listë?

E mira e kombëtares është që dera mbetet gjithmonë e hapur. Nëse do ketë lojtarë të tjerë që bien në sy, ne jemi aty.

Kalojmë pak te shorti, janë përcaktuar vazot, cili do ishte kombinimi me i mirë? Kë do të doje të kishe kundërshtar dhe kë do doje të shmangie në Gjermani?

Është e vështirë, por unë dua nuk të evitoj asnjë skuadër, pasi janë të gjitha të forta, Portugalia, Franca, Anglia. Duhet të shfrytëzojmë europianin. Unë dua që të luajmë mirë dhe ti shkojmë deri në fund. Brazili nuk luan në europian, por më pëlqen Gjermania, do doja të bëja ndeshjen hapëse me Gjermaninë. Ndoshta dhe Portugalia do më pëlqente, pasi unë jam brazilian.

A ka një kufi ëndrra jonë, ku mund të arrijmë në Europian?

Si objektiv, sigurisht që të ecim përpara në grup, që nuk do të jetë e lehtë. Mendoj që si shtet, si federatë, si futboll, është të shkojmë përpara që do të jetë shumë e bukur. Ne duhet të mësohemi të luajmë në Europian, pasi kjo është hera e dytë. Shqipëria duhet të mësohet që të shkojë në Botëror, që nuk ka

marrë pjesë asnjëherë. Duhet të punojmë vazhdimisht për objektivin e radhës, për të ecur gjithnjë përpara.

Kontrata juaj skadon në Europian. Mos po rrezikojmë shumë? A do të ishit ju i gatshëm të rinovoni sërish?

Në të vërtetë nuk më shqetëson fare kontrata, absolutisht jo. Unë nuk kam shkuar kurrë në europian, për mua është një ëndërr dhe mendoj vetëm për atë. Jeta dhe futbolli është çmenduri. Unë kam jetuar thuajse gjithçka në futboll, dhe mendoj nesër është një ditë e re. Unë nuk e kisha menduar kurrë se një ditë do të isha trajner i Shqipërisë. Kam bërë një zgjedhje të shkëlqyer me Shqipërinë. Më pëlqen të jetoj në Tiranë, jam i lumtur këtu, arrita një objektiv të mahnitshëm. Do të rinovoja lehtësisht, jam shumë i lumtur.

Mister si po e përjetoni këtë sukses në Tiranë?

Po e përjetoj mirë, edhe pse ende nuk kam kuptuar gjithçka, sepse ajo që kemi bërë të gjithë së bashku deri më tani është një punë shumë e bukur. Mirënjohja e njerëzve është e jashtëzakonshme. Ta thashë më përpara dhe ty, se mes shqiptarëve dhe brazilianëve ka gjëra të ngjashme.

Si ndiheni tani qe ju premtua dhe pasaporta shqiptare?

Diçka e bukur, fryt i një pune të përbashkët, ne jemi një. Është e shkëlqyer puna e stafit e federatës, e presidentit e futbollistëve.

Ndiheni shqiptar?

Po, po.

Cila ishte telefonata e parë që bëtë  pas ndeshjes me Moldavinë?

Pse më pyesni pikërisht për ndeshjen me Moldavinë?

Sepse u kualifikuam….

Po e vërtetë, ishte ndeshje shumë e vështirë, dhe mbaroi aty, edhe për ju, edhe për  të gjithë shqiptarët, për të gjithë ne. Nuk telefonova njeri por mesazhi i parë, ishte me djalin tim që është i çmendur për futboll,  dhe një ditë përpara më thoshte, jepi babi, do shkojmë për të fituar, ne jemi më të fortë se ata.

Çfarë ju tha bashkëshortja dhe fëmijët?

Ia dolëm… edhe ata ishin të shqetësuar, të emocionuar. Ne jemi shumë të lidhur edhe pse gruaja ime jeton në Portugali, djali në Amerikë, dhe vajza në Madrid. Kur unë filloj një punë të re, ata janë me mua, më motivojnë më japin forcë.

Çfarë ju pëlqen me shume nga Tirana?

Më pëlqen të ushqehem, të ha peshk, peshk krudo, është i hatashëm.

Çfarë bëni në mbrëmje, shihni tv, filma, ndeshje, lexoni?

Në mbrëmje, pas darkës, unë shoh ndeshje Champions League, Europa League Conference League, Premier Ligë, futboll.

Jeni supersticioz?

Jo, jo.

Çfarë mendoni për Var- in? Shumë polemika kohët e fundit?

Vari si teknologji është shumë e mirë. Kur flasim për pozicion jashtë loje, bëhet fjalë për 2-3 centimetra dhe e kuptojmë është apo jo, është e qartë. Por kur bëhet fjalë për penallti aty kemi një problem me varin. Sepse me “slou motion”, me lëvizje të ngadalësuar, shohim futbollistin që duket sikur vë dorën te topi, dhe tjetri thotë shiko e preku me dorë duket qartë. Por jo nuk vë dorën, është një “slou slou motion”. Jepen shumë penallti që për mua nuk janë penallti. Është interpretimi i arbitrit, nuk është vari. Pra duhet të ishte pak më mirë.

A keni ndonjë falënderim të veçantë, a jeni mirënjohës ndaj dikujt në jetën tuaj?

Gjithmonë jam mirënjohës, gjithmonë. Por në mënyrë të veçantë jam ndaj babait tim. Ndaj gruas, fëmijëve. Më pas ka dhe një lidhje shumë speciale me futbollistët. Unë besoj tek këto marrëdhënie. Për shembull në këtë moment jam mirënjohës për futbollistët, sepse ata m’i kanë kuptuar idetë, konceptin, më kanë thënë: “Mister mos u shqetëso, ne do shkojmë të vdesim në fushë, të japim shpirtin, do të luajmë me zemër”. Edhe unë kam qenë kështu si futbollist.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"