Gjendet gjuha e përbashkët pas 19 ditësh/ Besa shton përvojën, arrin akordin me dy mbrojtësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2023 | 23:46

Gjendet gjuha e përbashkët pas 19 ditësh/ Besa shton përvojën, arrin akordin me dy mbrojtësit

Përforcohet Besa. Edhe pse merkatoja është mbyllur që më 31 gusht, kavajasit e kanë gjetur një zgjidhje plot 19 ditë më vonë.

besa

Klubi ka rikthyer më në fund të ekip Skerdian Perjën dhe Myslim Ramillin. Bëhet fjalë për lojtarë që sezonin e fundit e mbyllën pikërisht me verdhezinjtë dhe mbi të gjitha ishin pa kontratë, ndaj pengesë që t’i federojnë nuk kanë. Nëse gjithë këta muaj ata nuk janë shfaqur në stërvitje, shkaku ishte totalisht tjetër.

MUNGESA E AKORDIT

Qendërmbrojtësi dhe mbrojtësi i djathtë nuk po gjenin akordin financiar me presidentit dhe vendoisën që gjatë kësaj kohe të pushonin. Të pyetur në atë kohë nga gazeta, ata deklaronin se i qëndronin strikt kërkesave e tyre. Pas ankesave të vazhdueshme të trajnerit Lorenc Pashja për mungesën e ekperiencës dhe sidomos në prapavijë, Nexhat Bizhdili është zënë “ngushtë”.

Ai ka nisur negociatat me kavajasit dhe shijakasit, duke i bindur që t’i bashkohen Besën për sezonin 2023-2024. Pasi janë luajtur tre javët e para dhe gabimet shtoheshin, jo vetëm trajneri, por edhe kreu i klubit e kuptoi se në skuadër mungojnë lojtarët me eksperienë. Më flagrant ishte transferta në Fier, ku ekipit i iku fitorja nga duart në shtesë. Për 80 minuta ishin në avantazh, por në të 96-ën morën një gol dhe gjithçka u mbyll barazimet.

GJENDJA E MBROJTËSVE

Nuk janë paraqitur asnjë ditë të fazës përgatitore, por nuk janë të pastërvitur. Që të dy futbollistët qartësojnë për “Panorama sport” se kanë punuar individualisht përgjatë kësaj kohe. Do të kryejnë seanca më intensive këto ditë, me qëllim që të jenë sa më shpejt në 100% e tyre dhe të gatshëm për lojë. Trajneri është dukshëm më i qetë me këto “goditje” në mbrojtje.

Edhe pse me Korabin ata vështirë të jenë për lojë, rëndësi ka që do të jenë për vazhdimësinë. Krahas muskujve e dëshirës së të rinjve, shtohet edhe përvoja. Pas Deliut, Sulovarit e Xhabrahimit, tashmë llogaritë mund të bëhen me Perjën dhe Ramillin. Me këta emra, edhe peqinasi do të jetë më i sigurt në pankinë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"