“Gjejmë kthesën kundër Kastriotit”, mesfushori i Apolonisë sheh pikët e plota në Fushë-Krujë: Ndalohet “blofi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2023 | 11:20

“Gjejmë kthesën kundër Kastriotit”, mesfushori i Apolonisë sheh pikët e plota në Fushë-Krujë: Ndalohet “blofi”

Apolonia vazhdon përgatitjet për javën e 10-të, që do të luhet të hënën. Udhëtojnë drejt Fushë-Krujës, aty ku do të ndeshen me Kastriotin. Do të jetë një përballje delikate, nga e cila pritet kthesa.

enea topi

“Blofi” është i ndaluar dhe këtë e thotë edhe Enea Topi, mesfushori që po luan sezonin e katërt në Fier. Gjatë një deklarate për “Panorama Sport”, ai paralajmëron fitoren në Fushë-Krujë.

“Meritonim më shumë ndaj Bylisit, por nuk shënuam dot. Sidoqoftë, do ta rigjejë forcën. Loja që bëmë na jep garanci për kthesën përballë Kastriotit. Pres që të bëjmë një ndeshje shumë të mirë dhe në fund të marrim pikët e plota. Objektivi ynë i vetëm është fitorja dhe këtë ndeshje e kemi përgatitur më së miri për ta fituar. Asnjë rezultat tjetër nuk na hyn në punë. ‘Blofi’ është i ndaluar, pasi do të na largonte nga vendet e para”, tha fillimisht 19-vjeçari.

Ai flet pak edhe për veten dhe planet që ka për të ardhmen. “Unë mundohem të zbatoj me përpikëri detyrat që më jepen në fushë dhe normalisht më mbetet vetëm të jap më të mirën time në çdo pozicion, qoftë në mbrojtje apo në mesfushë. Roli im i takon vetëm trajnerit, pra është zgjedhje e tij dhe e sigurt është që do të bëj maksimumin kudo e kurdoherë. Dëshiroj e synoj të luaj sa më shumë minuta. Dua të jap maksimumin tim për këtë fanellë të rëndë. Punoj fort dita-ditës dhe nuk mund ta fsheh ndjesinë e veçantë dhe emocionuese që luaj për ekipin e qytetit tim”, përfundoi Topi.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"