Gavi: Reali të afrojë kë të dojë, por ne jemi Barcelona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2023 | 15:52

Gavi: Reali të afrojë kë të dojë, por ne jemi Barcelona

Pablo Paez Gavira, ndryshe Gavi, është një nga lojtarët e paktë të patransferueshëm nga Barcelona e Ksavit dhe një futbollist që pavarësisht rinisë së tij është bërë i rëndësishëm edhe në skuadrën kombëtare spanjolle.

gavi

Mesfushori andaluzian pohon se tashmë është i regjistruar në La Liga dhe është i sigurt se pavarësisht vështirësive financiare të entitetit katalanas ai dhe të tjerë lojtarë të rëndësishëm do të jenë pjesë e Barcelonës dhe do të formojnë një bllok të madh dhe të vlefshëm që do të udhëheqë katalanasit drejt sukseseve. Ai ka dhënë një intervistë për mediat kryesore katalanase “Sport” dhe “Mundo Deportivo”, ku ka folur rreth realitetit në kombëtaren spanjolle, por dhe klubin e tij, Barcelonën.

TRANSFERIMET E BARCELONËS – “Barça nuk është në momentin e saj më të mirë ekonomik, por ne jemi lojtarë të rinj që kemi dalë nga akademia dhe jemi përshtatur në mënyrë mjaft të mirë me ekipin e parë. Në tërësi kemi një ekip të madh. Reali i Madridit le të nënshkruajë me kë të dojë, kjo nuk më intereson. Ne jemi Barcelona dhe jemi një klub që nuk dorëzohemi kurrë. Jemi gati të sakrifikojmë deri në fund”.

ZUBIMENDI – Në deklaratën e tij mesfushori i Barcelonës ka komentuar dhe zërat për zëvendësimin e kapitenit Serxhio Buskets, i cili i ka dhënë fund marrëveshjes me klubin dhe është një lojtar i lirë. Në fakt janë disa emra që janë shfaqur si pasues të mundshëm të tij, ku në krye qëndron Zubimendi. “Zubimendi është një lojtar i nivelit mjaft të lartë. Ai do të ishte një zëvendësues i mirë për kapitenin Buskets. Unë e dua atë. Por duhet të tregohemi të respektueshëm për atë dhe Realin e Sociedadit. Do të shohim në të ardhmen se çfarë do të ndodhë”.

PËRMIRËSIMI – “Unë jam shumë i ri. Shpresoj të përmirësohem më shumë, por thelbi im është ky: konkurroj 90 minutat deri në vdekje dhe kjo është ajo që do të bëj gjithmonë”.

KONTRATA – “Qëndroni të qetë, jam i regjistruar, nuk kam asnjë problem dhe jam shumë i lumtur që jam te Barça”.

KOMBËTARJA SPANJOLLE – “Jam shumë i lumtur për besimin që më kanë dhënë dy trajnerët. Luis Enrike më dha shansin të bëja debutimin tim me kombëtaren spanjolle. Edhe Luis de la Fuente, i cili është tani në drejtimin e kombëtares spanjolle, beson tek unë. Ndihem shumë i lumtur dhe mirënjohës. Nuk do ta kisha menduar kurrë se mund të luaja kaq shumë ndeshje me skuadrën kombëtare në një moshë kaq të re. Pasi kam luajtur tashmë në një Botëror, dy Liga Kombesh… Çdo ditë e mendoj, ndalem dhe them: Jam i lumtur dhe mirënjohës”.

MJEDISI TE SPANJA – “Epo ne jemi një familje dhe të gjithë shkojmë si një. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjë secili prej nesh dhe të gjithë jemi shoqërues shumë të mirë”.

SUKSESI NDAJ ITALISË – Gavi ka folur edhe për suksesin ndaj Italisë që i ka hapur dyert Spanjës drejt finales së Ligës së Kombeve. “Nuk ishte një ndeshje e lehtë, sikurse të gjitha përballjet me Italinë. Gjithsesi me atë çfarë treguam në fushën e lojës e merituam plotësisht”.

FINALJA NDAJ KROACISË – “Tani duam trofeun. Shpresoj se do të jetë një përballje konkurruese. Ata janë një skuadër e fortë dhe e treguan ndaj Holandës. Vrapojnë shumë, janë një skuadër fizike. Kjo e rrit shkallën e vështirësisë. Gjithsesi pas finales së humbur kundër Francës ne duam të fitojmë këtë trofe. Duam të kthehemi në Madrid me kupën me vete. Do të bëjmë të pamundurën për të fituar Ligën e Kombeve”, tha Gavi.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"