Gati zyrtarizimi, Kukësi pret sulmuesin 22-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 14:52

Gati zyrtarizimi, Kukësi pret sulmuesin 22-vjeçar

Deri më tani Kukësi ka zyrtarizuar vetëm tri afrime dhe bëhet fjalë nga një për çdo repart. Në mbrojtje është afruar Antonio Ilieski, në mesin e fushës Kristi Kote dhe në sulm, Ante Zivkoviç.

Jakup-Berisha

Ndërkohë, pritet që shumë shpejt të zyrtarizohet edhe Jakup Berisha, i cili luan në të dy krahët e sulmit.

Gazeta mëson se palët janë drejt firmosjes për dy vitet e ardhshme, teksa kanë mbetur shumë pak detaje për t’u mbyllur.

Për këtë arsye kubi nuk po e bën ende zyrtare, edhe pse të dyja palët parimisht kanë rënë dakord për bashkëpunimin midis tyre.

Me këto katër përforcime “mbushet” disi edhe gropa e largimeve, të cilat, për hir të së vërtetës, nuk kanë qenë të pakta, ndonëse jo të gjitha largimet e mundshme janë zyrtarizuar nga ana e klubit.

Megjithatë, gjasat janë që ekipi të riformatohet në të gjitha repartet, ku vetëm porta do të mbesë e paprekur, pas konfirmimit të Angelo Tafas.

Largimet e shumta nuk kanë sjellë shqetësim në klub, për vetë faktin se një pjesë e mirë e tyre nuk kanë qenë titullarë të padiskutueshëm dhe për momentin mjaftohen me faktin që boshti i skuadrës është ruajtur.

DUBLIMI I ROLEVE – Te Kukësi nuk e kanë shumë me merak afrimin e titullarëve në skuadër, sepse edhe me gjendjen aktuale Gega ka në përbërje një skuadër që nuk i mungon cilësia, por mungojnë alternativat.

Për të qenë një ekip konkurrues, për më tepër në një sezon të gjatë dhe të vështirë, në klub e kanë të qartë se pa pasur rivalitet në skuadër, do ta kenë shumë të vështirë për të arritur objektivat.

Për këtë arsye, merkatoja do të fokusohet edhe për të pasur një dublim të roleve në fushë dhe këtë boshllëk nuk mund ta mbushin vetëm lojtarët e ardhur nga akademia, por duhen edhe prurje të reja.

Në fakt, Kukësit nuk është se i kanë munguar lojtarët gjatë këtyre sezoneve të fundit, por në ndeshje të caktuara trajnerit Longo i është dashur të bëjë eksperimente për shkak të mospërshtatjes së lojtarëve të roleve në fushë.

STAFI – Klubi ka zyrtarizuar Skënder Gegën si trajner të skuadrës, por ende nuk dihet se cilët do të jenë pjesë e stafit të tij. Për momentin do të vijojë të jetë drejtor sportiv Pero Pejiç dhe përgatitës atletik Iris Selimi.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë ndihmësi i Gegës dhe trajneri i portierëve. Dy role që për momentin janë vakant në Kukës, pas largimit të stafit italian.

Pritet që brenda këtyre ditëve të zyrtarizohen edhe pjesëtarët e tjerë të stafit, në mënyrë që kur të startojë përgatitjet, skuadra të jetë e plotë edhe sa i përket këtij kontigjenti.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"