Gati revolucioni numër 3 për Dinamon në elitë, ja lojtarët që do t’i rinovohet kontrata me blutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2023 | 21:46

Gati revolucioni numër 3 për Dinamon në elitë, ja lojtarët që do t’i rinovohet kontrata me blutë

Sezonit të Dinamos i ka mbetur vetëm një ndeshje, ajo me Luzin në transfertë, ku mund të jetë ose jo në lojë titulli i Kategorisë së Parë. Varet nga rezultati i Skënderbeut javën e 25-të, kur blutë do të shtojnë pa luajtur 3 pikët e Tërbunit në tabelë. Klubi kryeqytetas ka përpara gjithë kohën e nevojshme për të marrë vendimet e duhura për një paraqitje ndryshe në elitë, por piketat kanë filluar të hidhen që tani. Gazeta mëson se te Dinamo do të ketë ndërhyrje të fuqishme në merkaton e verës.

dinamo

REVOLUCIONI 3 – Do të ketë një revolucion të vërtetë, që do të jetë i treti radhazi për këtë skuadër. Kujtojmë që dy vjet më parë, kur blutë u kthyen në Superiore pas shumë vitesh, u ndryshua thuajse i gjithë grupi i lojtarëve, me përjashtim të Bakajt, Diogos dhe Berberit. U ndryshua po ashtu edhe stafi teknik, në krye të të cilit erdhi Bledi Shkëmbi.

U morën mbi 20 lojtarë të rinj, por Dinamo nuk mundi të mbijetonte në elitë. Një vit më parë, revolucioni ishte më i vogël, sepse nga skuadra e Superiores qëndroi një grup lojtarësh, ku mund të përmenden Bakaj, Imami, Prodani, Lilaj, Bardhi, Denison dhe disa lojtarë të rinj. Edhe këtë radhë ndryshoi stafi teknik, në krye të Dinamos u emërua Nevil Dede.

Tani është radha e revolucionit numër 3, por ndryshimi është se nuk ndryshon stafi teknik. Dritan Mehmeti është konfirmuar nga presidenti Adrian Bardhi për sezonin e ardhshëm. Në grupin e lojtarëve ndryshimet janë të pashmangshme dhe duket se në merkato do të ketë më shumë lëvizje nga sa mund të ishte parashikuar.

KUSH QËNDRON – Për momentin, kur sezoni nuk është e mbyllur ende, është e vështirë të flasësh me siguri dhe me emra konkretë, por ata që kanë më shumë kuota të qëndrojnë mund të numërohen me gishtat e njërës dorë.

Këtu fjala është për titullarët, pasi grupi i lojtarëve të rinj do të mbetet te Dinamo, që synon të investojë tek ata. Hoze Denison është lojtari i parë që do të qëndrojë te blutë. Braziliani ka udhëhequr skuadrën në Kategorinë e Parë me 12 golat dhe lojën e tij. Është i ri në moshë dhe llogaritet pjesë e Dinamos së re.

Karamba Gasama dhe David Ivan, të cilët erdhën te blutë në merkaton e janarit, kanë po ashtu shanse të mëdha qëndrimi. I pari konsiderohet një talent, kurse i dyti një lojtar që i shërben Dinamos me përvojën që ka, nëse dëmtimet nuk do ta bezdisin.

Pastaj vijnë Indrit Prodani, Alesio Mija dhe Asion Daja. Ky është grupi, që sipas burimeve të gazetës pritet të vazhdojë me Dinamon në Superiore. Këtij grupi i shtohet Albion Marku, mbrojtësi i huazuar te Teuta, disa të rinj, si Alisio Preloshi, Oresti Kasmollari, Jordi Jaku dhe Dejvi Duro apo dhe ndonjë tjetër.

MERKATO – Pjesa tjetër e Dinamos së re do të plotësohet gjatë merkatos së verës. Përforcimet do të prekin të gjithë repartet që kanë nevojë për lojtarë me kualitet. Më e vështirë do të jetë për të gjetur sulmues kalibri, por edhe lojtarë të tjerë për role kyçe. Emrat do të zbulohen me kalimin e kohës.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"