“Gati për gjithçka, nuk duhet informuar Shezni për goditësit e penalltive”, Grizman: Dua Botërorin tim të fundit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 11:20

“Gati për gjithçka, nuk duhet informuar Shezni për goditësit e penalltive”, Grizman: Dua Botërorin tim të fundit!

Antuan Grizman është ndier plotësisht i çliru ar që nga fillimi i Kupës së Botës. Këtë e konfirmoi në konferencë për shtyp teksa “Gjelat” bëhen gati për ndeshjen e 1/8-ave kundër Polonisë të dielën në 16:00.

GRIZMAN 1

A mund të jetë ky Botërori juaj i fundit?

Më lini të shijoj këtë një herë. Sivjet kam dëgjuar se kisha probleme, por ja ku jam. Tani të shohim pas katër vitesh nëse do të jem në gjendje të luaj përsëri. Gjithmonë nëse nuk do të kem shtuar në peshë.

Jeni gati për penalltitë, pasi barazimi nuk pranohet më?

Jam nëse do të jetë e nevojshme. Mund të godas nga këndi, goditje të lira e çdo gjë tjetër. Për ekipin mund të bëj gjithçka. Për momentin, trajneri më kërkon të ekzekutoj këndoret dhe goditjet e lira. Për penalltitë nuk dua të ekspozohem për të mos i dhënë shumë informacione Sheznit që ka pritur dy të tillë në këtë Botëror.

Keni 113 prezenca në kombëtare, ndër të cilat 70 të fundit radhazi.

Rekordi paraprak ishte i Vieirasë në kuotën 44 në seri. Kur unë arrita të 40 radhazi nisa t’i lutem trajnerit që të më përdorte. Prandaj, sa herë që jam në fushë, përpiqem të jap gjithçka për trajnerin. Pa të nuk do të ishte ky rekord.

Si është raporti juaj me Deshampin?

I detyrohem gjithçka që kam arritur në këtë kombëtare. Unë jap gjithçka për Francën, për fanellën, por edhe për të. Dhe përpiqem të bëj gjithçka që ai të vazhdojë të më besojë. Çdo ndeshje, çdo veprim, është si një “faleminderit” që i dërgoj Deshampit. Unë dua që ai të jetë krenar për numrin e tij 7.

Edhe Loris sapo ka vendosur një rekord prezencash…

Hugo është një person fantastik dhe një portier shumë i madh, i cili na shpëtoi shumë herë në 2018-ën. Kam respekt të madh për karrierën e tij. Ai do të hyjë në historinë e skuadrës franceze dhe mund të jetë krenar. Ai është gjithashtu një shok i mirë, edhe pse nuk flet shumë. Por grupit i pëlqen prania e tij.

Pele është në spital. Keni ndonjë një mesazh për të?

Është një legjendë. Shpresoj ta takoj një ditë. Çfarëdo që të them, nuk do të jetë në nivelin e personit dhe lojtarit që Pele ka qenë. Uroj të bëhet mirë e të kemi mundësi të bëjmë një fotografi së bashku. E presim të rikthehet me buzëqeshjen e tij.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"