Gati 11 milionë lek borxh, klubi i Kategorisë së Dytë në hall për federimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2023 | 10:30

Gati 11 milionë lek borxh, klubi i Kategorisë së Dytë në hall për federimet

Një shkresë nga FSHF-ja i prish planet Butrintit. Detyrimet e prapambetura bëhen gangrenë për klubin, pasi i është bllokuar merkatoja. Drejtuesit nuk mund të regjistrojnë lojtarët e afruar gjatë kësaj periudhe.

Butrinti

Gazeta mëson që sistemi është “ngrirë” për 10 milionë e 80 mijë lekë (të vjetër). Nuk dihet nëse kjo shumë vjen prej pagave të padhëna të ndonjë lojtari apo ndonjë çështjeje tjetër, por e sigurt është që duhet të paguhen.

Deri në likuidimin e borxhit, merkatoja do të jetë e bllokuar për sarandjotet. Ndërkohë reagimet nuk kanë munguar nga ana e drejtuesve të Butrintit.

Për “Panorama Sport” janë trajneri Odise Çipa dhe shefi i klubit Fuat Karalliu që flasin: “Pak ditë më parë në adresën e ekipit të Butrintit ka ardhur një shkresë, ku na bëhet me dije se kemi detyrime të papaguara nga sezonet e kaluara. Nëse nuk shlyhet, merkatoja do të jetë e bllokuar dhe nuk do të na lejohet asnjë lëvizje. Vjet është bërë një pagesë, por jo e plotë. Me dy këste janë paguar 600.000 lekë. Këto pagesa ne i kemi të dokumentuara, ndërsa para pak ditësh në faturën e ardhur, këto pagesa nuk janë konstatuar nga ana e organeve kompetente. Ne si pjesëtarë të klubit do të ankimojmë këtë vendim të marrë dhe do të kërkojmë zbardhjen sa më shpejt të së vërtetës rreth kësaj fature të ardhur dhe të mosnjohjes së pagesave të bëra”.

FATOS LAMAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"