“Fundi do të dëshmojë forcën dhe meritën e skuadrës”. E graduan kapiten, Abazaj: Bylisi do të lërë gjurmë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 21:54

“Fundi do të dëshmojë forcën dhe meritën e skuadrës”. E graduan kapiten, Abazaj: Bylisi do të lërë gjurmë…

Bylisi pret i qetë përballjen me Lushnjën, që zhvillohet të shtunën në orën 15:00 në “Roza Haxhiu”. Ballshiotët këtë sezon synojnë rikthimin në elitë si kampionë. Në javët e fundit klubi ka “graduar” si kapiten Marin Abazajn, i cili luan sezonin e tij të dytë radhazi me ekipin mallakastriot. Duhet theksuar se në këtë sezon Abazaj ka bërë mjaft mirë.

MARIN ABAZAJ BYLIS

Pogradecari para disa ditësh festoi 23 vjetorin e lindjes dhe synon që edhe në Superiore të jetë një nga shtyllat e skuadrës ballshiote. Marin Abazaj, në një prononcim për “Panorama Sport”, thotë se ndihet mirë që skuadra ka rigjetur forcat dhe fitoren, por edhe për faktin se sulmuesi Emini dhe mesfushori Maçolli janë zhbllokuar në ndeshjen e fundit. “Sa i përket shiritit, më shumë sesa privilegj unë e kam si përgjegjësi për besimin që më është dhënë nga trajneri Bellai dhe stafi i tij, shokët, por edhe drejtuesit e lartë të klubit.

Bylisi nuk është një ekip dosido, por një klub që këtë sezon ka synime të qarta dhe ambicie për të vijuar një projekt dhe për të lënë gjurmë edhe në Kategorinë Superiore. Unë i falënderoj shumë dhe do të përpiqem që bashkë me shokët e skuadrës të bëjmë më të mirën që Bylisi të jetë në nivele të larta. Jemi një ekip me kualitete, ku dominojnë lojtarët nga 16 deri 25 vjeç. Synimi është të ngjitemi në Superiore, pse jo edhe si kampionë dhe të vazhdojmë këtë rrugë edhe në elitën e futbollit shqiptar.

Në Superiore luajta edhe vjet me Bylisin, madje në shumë ndeshje edhe si titullar, por këtë herë synojmë që të lëmë gjurmë. Ne jemi fokusuar te Lushnja, që ka një ekip cilësor dhe e ndoqëm në sfidën me Elbasanin. Ka qenë një nga ekipet solide këtë sezon dhe duhet të përgatitemi dhe të jemi të kujdesshëm. Kam përshtypjen se do të jetë rokadë, pasi gara është më e hapur se kurrë, pasi disa ekipe duan ‘play off’-in, disa mbijetesën.

Ne do të kërkojmë që vetë të mos gabojmë. Bylisi ka pasur ekipin më të mirë dhe këtë e kemi treguar në takimet direkte përballë rivalëve. Fundi do e dëshmojë më së miri këtë gjë”, u shpreh pogradecari Marin Abazaj, i cili këtë sezon ka realizuar edhe 4 gola me Bylisin.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"