FSHA mban asamblenë, Canaj merr “spaletat” e të pezulluarit Ruli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2022 | 23:53

FSHA mban asamblenë, Canaj merr “spaletat” e të pezulluarit Ruli

Dy javë më parë atleika shqiptare mori një goditje të rëndë, teksa federata botërore njoftoi pezullimin e presidentit Gjergj Ruli, sekretarit të përgjithshëm Nikolin Dionisi dhe atletit Izmir Smajlaj.

gjergj-ruli-e1612887845319

Të tre të akuzuar si të përfshirë në manipulimin e rezultatit në eventin “Dita e Kërcimeve”, aktivitet ku Smajlaj vendosi rekord të ri kombëtar, 8.16 metra, në garën e kërcimit për së gjati. Njësia e Integritetit të Atletikës (AIU), i akuzon për mashtrim sportiv, për falsifikim të informacioneve, të cilat sipas këtij institucioni e kanë ndihmuar atletin shkodran që të shkojë në Lojërat Olimpike të Tokios.

Një masë ndëshkimore që prej më shumë se dy javësh e mbante federatën shqiptare pezull, pasi kërkohej zëvendësimi urgjent i këtyre emrave me përfaqësues të rinj, sepse në të kundërt atletët shqiptarë rrezikonin pjesëmarrjen në aktivitetet e ardhshme ndërkombëtare. Ndërkohë, ditën e djeshme Federata Shqiptare e Atletikës ka mbajtur asamblenë e përgjithshme të zakonshme.

Një mbledhje ku janë marrë disa vendime të rëndësishme. Ndonëse nuk ka pasur asnjë njoftim për mediat, “Panorama Sport” mëson se në këtë asamble është vendosur që rolin e presidentit ta marrë përkohësisht zv.presidenti Ferdinand Canaj, ndërsa detyra e sekretarit do të mbulohet momentalisht nga Enea Rezhda, që ka pasur rol teknik në FSHA, i cili do të përgjigjet për pjesën e komunikimit me federatën botërore.

Zgjedhje këto të detyrueshme dhe shumë të rëndësishme, në mënyrë që të shmanget bllokimi i regjistrimit në aktivitete për sportistët tanë.

fshfa

ÇFARË PRITET TË NDODHË – Tashmë pritet vendimi zyrtar për pezullimin nga Federata Botërore e Atletikës dhe në momentin që ky vendim do të vijë, atëherë rrjedhimisht Federata Shqiptare e Atletikës t’i drejtohet Asamblesë së Jashtëzakonshme Zgjedhore për të mandatuar drejtuesit e rinj, presidentin, sekretarin dhe anëtarët.

Deri më tani dënimi zyrtar nuk ka dalë, pasi në momentin që njoftohet, të skualifikuarit do të kenë kohën e ankimimit dhe vetëm më pas mund të marrë formën e prerë, që mund të sjellë dënime minimalisht deri në dy vite, por nuk përjashtohet mundësia që të jenë edhe më të ashpra. Kujtojmë se Gjergj Ruli, ashtu sikurse atleti Izmir Smajlaj kanë bërë të ditur se do ta ndjekin këtë çështje deri në Lozanë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"