Frymëmarrje në janar, Teuta do përforcime në çdo repart për të lënë pas krizën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2023 | 17:29

Frymëmarrje në janar, Teuta do përforcime në çdo repart për të lënë pas krizën

Pas tri ditëve pushim, Teuta do të rikthehet nesër në stërvitje. Prej ditës së premte, pas përballjes me Dinamon, durrsakët janë lënë pushim nga trajneri Edi Martini i cili e ka parë të arsyeshme që lojtarët të jenë pranë familjeve të tyre për të festuar Krishtlindjet.

TEUTA

Ndërkohë nesër grupi do të zbresë në fushë për të vijuar përgatitjet për pjesën e mbetur të sezonit, ku patjetër që shpresat janë te merkatoja e janarit. Paraqitjet jo në nivelin e duhur dhe situata në Durrës, ka bërë që nga ekipi të largohen tre lojtarë: Mario Gjata, Aldi Gjumsi dhe Ardit Iljazi nuk u panë si përforcimet e duhura dhe kështu nuk do të jenë më pjesë e skuadrës.

NDËRHYRJET – Teuta po mendon që të ndërhyjë në merkaton e janarit, dhe nga sa “Panorama Sport” mëson, drejtuesit e klubit aktualisht po punojnë me përzgjedhjen e disa lojtarëve cilësorë që do të ndihmojnë Teutën për të mbijetuar këtë sezon në Superiore. Nga sa gazeta mëson, janë tre përforcime që durrsakët do të bëjnë, nga një lojtar për çdo repart, mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Nuk është çudi që brenda kësaj jave të ketë afrime, por deri tani nuk flitet për emra konkret.

Drejtuesit kanë piketuar disa lojtarë dhe bisedimet janë hapur, teksa vëmendja është te tregu vendës, por edhe në atë të rajonit, për të gjetur lojtarët e duhur që mund të përshtaten sa më shpejt, pasi koha në dispozicion është e vogël. Teuta po kalon një moment jo shumë të mirë, ku pas dy sezonesh si skuadër pretendente për Superioren, këtë sezon është në fundin e tabelës dhe rrezikon seriozisht rënien në Kategorinë e Parë.

ZAMIR QYPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"