Frashëri: Teuta është prova e reagimit të Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2023 | 23:49

Frashëri: Teuta është prova e reagimit të Skënderbeut

Skënderbeu kërkon të lërë pas humbjen e mesjavës ndaj Tiranës dhe të përqendrohet te ndeshja e radhës sërish në transfertë kundër Teutës. Që prej së premtes korçarët u janë kthyer përgatitjeve të ndeshjes së javës së katërt atje ku do të kërkojnë rikthimin te rezultatet pozitive.

frasheri

Për kapitenin e ekipit, Erlis Frashëri, ndeshja e humbur në transfertë, pavarësisht se “djeg” për mënyrën se si rrodhën situatat, duhet të lihet pas krahëve dhe t’i shërbejë ekipit si një mësim për t’u kthyer me këmbë në tokë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi korçar analizon ndeshjen e humbur në transfertë duke mos kursyer elozhet për skuadrën.

“Ishte një humbje që për nga mënyra se si shkoi loja kemi shumë mërzi. Normalisht që një rrugëtim i gjatë siç është kampionati ka dhe të tilla rezultate, ndaj duhet të dimë se si të reagojmë, kjo është më e rëndësishmja për momentin. Por nëse i referohemi rrjedhës së lojës, na vjen keq, pasi meritonim të dilnim me pikë nga ajo transfertë.

Tirana është një ekip shumë i fortë dhe me shumë cilësi, por ne treguam se dimë të përballemi me kokën lart edhe në të tilla ndeshje. Na vjen keq vetëm për rezultatin, pasi nuk tregoi gjithçka nga loja që zhvilluam atje. Megjithatë, është momenti të lëmë pas krahëve këtë takim dhe të përqendrohemi te ndeshja pasardhëse”, theksoi fillimisht Erlis Frashëri.

TEUTA – I ndalur te ndeshja ndaj Teutës, sërish në transfertë, kapiteni i Skënderbeut bëri me dije se reagimi pas një humbje është ai që tregon forcën e një skuadre, dhe sipas tij Skënderbeu e ka potencialin për ta bërë një gjë të tillë. “Tashmë kemi një tjetër takim në transfertë ndaj Teutës dhe normalisht që duhet të reagojmë.

Kjo do të jetë provë për ne, pasi forca reaguese tregon karakterin e ekipit. Kam parë djemtë që janë shumë të angazhuar në stërvitje për të bërë një reagim ashtu siç i takon Skënderbeut. Është një ndeshje e vështirë dhe delikate sikundër janë të gjitha takimet në këtë sezon. Ndaj duhet të jemi të përqendruar në maksimum për të arritur një gjë të tillë”, përfundoi kapiteni i Skënderbeut, Erlis Frashëri.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"