FOTO/ Penallti e munguar dhe dëmtim, Salami alarmon Kukësin. Ja gjendja e këmbës së sulmuesit pas duelit me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 13:10

FOTO/ Penallti e munguar dhe dëmtim, Salami alarmon Kukësin. Ja gjendja e këmbës së sulmuesit pas duelit me Tiranën

Kukësi do të tentojë të mbajë gjallë shpresat për mbijetesë këtë të premte, kur do të ndeshte me Skënderbeun në “Kukës Arena”.

SALAMI

Një fitore e mban ende në lojë, ndërsa çdo rezultat tjetër mund ta rrëzojë edhe matematikisht nga elita, nëse rivalët më të afërt fitojnë ndeshjet e tyre respektive. Blutë duan të mos e përjetojnë këtë dramë në shtëpinë e tyre, ku rikthehen tifozët pas dënimit të marrë për invadim të fushës në ndeshjen me Erzenin. Për më tepër, u duhet të mbajnë moralin lart, pasi mesjavën e ardhshme luajnë ndeshjen e kthimit me Tiranën në Kupën e Shqipërisë.

PROBLEMET – Verilindorët kanë probleme përpara këtij dueli. Trajneri Bledar Devolli do të ketë mungesa të rëndësishme, ku i pari është mbrojtësi Nikolin Duka, i skualifikuar për shkak se ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë. Mbrojtja gjithsesi mund të sajohet, ndërsa problemi më i madh për trajnerin Devolli është sulmuesi Mustafa Salami. Lojtari është dëmtuar në momentin e shumë diskutuar të penalltisë së mohuar në ndeshjen me Tiranën, ku mori një goditje në këmbë dhe pastaj pati hematomë. U mendua se nuk do të ishte dëmtim i rëndë, por sipas të gjitha gjasave, nigeriani do të detyrohet të bëjë të paktën këtë javë stop.

Kavilja e fryrë e Salamit

Kavilja e fryrë e Salamit

Sulmuesi 22-vjeçar është futbollisti më i spikatur te kuksianët, një nga titullarët e padiskutueshëm. Mjafton të thuhet se ai ka luajtur në të gjitha ndeshjet këtë kampionat dhe nuk është rastësi që të katërt trajnerët që kanë stërvitur Kukësin këtë edicion e kanë pasur atë pikën e referimit. Duke qenë se tani përparësi ka kalimi në finale e Kupës, ku shanset janë të mëdha pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë kundër Tiranës, klubi mund ta ruajë Salamin në kampionat për ta pasur gati mesjavën e ardhshme.

Megjithatë, deri të premten mbetet për t’u parë nëse do të ketë një shans për këtë lojtar. Duhet thënë se për asnjë ndeshje trajneri Bledar Devolli nuk e ka pasur të plotë skuadrën, zakonisht për arsye dëmtimesh. Nga ana tjetër, disa lojtarë janë larguar para mbylljes së kampionatit, duke e ngushtuar edhe më shumë rrethin e lojtarëve, ku stafi mund të mbështetet në këto javë të fundit të kampionatit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"