FOTO/ Korabi i falet golit të Reçit, akuzon Lushnja: Ishte masakër në Peshkopi
Pas tri humbjesh radhazi vjen fitorja e shumëpritur për dibranët, të dielën mposhtën 1- 0 një rivale direkte si Lushnja.
![Lojtarët e Korabit duke festuar golin e Reçit](http://www.panorama.com.al/sport/wp-content/uploads/2024/02/429786617_18325919512114989_7042180504079193271_n.jpg)
Lojtarët e Korabit duke festuar golin e Reçit
Korabi luajti përballë tifozëve të vet duke zhvilluar një lojë të mirë gjatë gjithë ndeshjes, ku nuk munguan sulmet, por vetëm Reçi arriti të finalizojë në minutën e 72-të. Dibranët e nisin në sulm takimin, ku Kasalla dhe Shehu janë të parët që rrezikojnë, ndërsa lushnjarët menduan më shumë për mbrojtjen dhe që prisnin të përfitonin nga ndonjë gabim i vendaseve. Përpos rasteve të krijuara, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të pa prekura. Pjesa e dytë nis me një zëvendësim për Lushnjën, ku trajneri Magani largon Sulovarin dhe hedh në lojë Xherrison. Miqtë e nisin më mirë pjesën e dytë duke administruar lojën. Por Korabi e merr shpejt veten dhe komandën e lojës duke u hedhur në sulm në për të zhbllokuar rezultatin.
Në minutën e 61-të trajneri Kumbarçe bën lëvizjen e tij të parë dhe të fundit për këtë ndeshje, që rezultoi efikase. Në minutën e 72-të, Reçi që kishte vetëm pak minuta në fushë zhbllokon rezultatin. Krosimin e Kasallës, Reçi i ndodhur brenda zonës e dërgon topin në rrjetë dhe 1-0 për Korabin. Pas golit loja ndërpritet për t’i ardhur në ndihmë futbollistit të Lushnjës, Xherrison, i cili pësoj një dëmtim, plagë në këmbë, dhe u dërgua në spitalin rajonal të Peshkopisë për të marrë ndihmën mjekësore. Loja u ndërpre për disa minuta, pasi u prit rikthimi i autoambulancës në stadium. Më pas, gjyqtari i katërt Prenga akordoi 18 minuta shtesë, të cilat nuk sollën asnjë ndryshim. Me këtë fitore Korabi mban vendin e gjashtë me 29 pikë, ndërsa Lushnja mbeti e shtata në renditje.
REAGIMI I LUSHNJËS- Pas ndeshjes klubi lushnjar ka dalë me një deklaratë, që ka të bëjë me dëmtimin e lojtarit të tyre në Peshkopi, i cili përfundoi në spital. Ja deklarata e Lushnjës: “Në minutën e 23-të të pjesës së dytë futbollisti ynë Xherrison Uilli goditet nga Geci i Korabit. Lojtari përfundoi në spital me çarje të thellë. Ishte një masakër. Lojtari e ka këmbën me 6 qepje. Loja nuk u ndërpre nga gjyqtari. Loja vazhdoi dhe nuk u zbatua as ‘fair play’. Korabi shënoi me lojtarin tonë të shtrirë në fushë. Lojtarët u shqetësuan. Loja u ndërpre 13 minuta dhe vazhdoi pasi morëm lajmin nga spitali i Peshkopisë se futbollisti ynë u bë më mirë. Ishte një masakër”.
FATMIR ZHUZHI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](http://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)