Formacioni i mundshëm/ Dinamo me ekipin fitues, dilema vetëm në mesfushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2023 | 9:20

Formacioni i mundshëm/ Dinamo me ekipin fitues, dilema vetëm në mesfushë

Ndeshja e Kukësit ka marrë një rëndësi të veçantë në kampin dinamovit. Nuk është vendimtare për klasifikimin, por është një 90-minutësh kyç sa i takon situatës që po kalojnë blutë.

DINAMO

Një tjetër rezultat pozitiv do të konfirmonte kthesën dhe më pas do t’i ndihmonte kryeqytetasit për një ecuri më të mirë, ndërsa humbja do të ishte hap prapa pas dy ndeshjeve të mira.

Drejtuesit e klubit dhe stafi teknik janë munduar ta karikojnë grupin e futbollistëve për të vazhduar me të tjera fitore, sepse në këtë moment parësore janë pikët. Atmosfera është përmirësuar dukshëm pas barazimit me Tiranën dhe fitores me Skënderbeun, që kanë treguar se kjo Dinamo nuk është për vend të fundit.

Megjithatë, në kampin blu e kanë të qartë se në Kukës do ta kenë mjaft të vështirë. Vlerësimi për kundërshtarin është maksimal dhe gjatë javës të gjithë janë munduar t’ia bëjnë shërbimin si duhet kësaj sfide.

TITULLARËT

Blutë janë të limituar në zgjedhjet e tyre për këtë ndeshje sa i takon mesfushës. Ende ka dilema për aktivizimin e Fatjon Andonit, që ka vuajtur një dëmtimin në kavilje prej më shumë se një muaji dhe nuk e ka kaluar 100% atë.

Trajneri Mehmeti ndoshta do të presë deri në momentin e fundit për këtë lojtar, por gjasat janë që Dinamo të zbresë në fushë në Kukës me formacionin që mundi Skënderbeun.

Pa Gudiabin e skualifikuar, Smaçin e dëmtuar dhe Andonin ende jo të rikuperuar plotësisht, janë tre lojtarë që do të luajnë për dy fanella titullari. Njërën me siguri do ta marrë Lorran, që sërish duhet të lërë krahun e majtë të mbrojtjes për t’u spostuar në mesfushë, ndërsa për tjetrën Mija mund të jetë favorit ndaj Krasniqit.

Këto llogari janë gjithmonë nëse Andoni nuk ia del në kohë. Pjesa tjetër e skuadrës do të jetë po ajo që u pa në Elbasan ndaj korçarëve, me Vilën dhe Zabërgjën nga krahët dhe Denisonin dhe Kaçorrin në sulm.

4798798

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"