Fluks vetofrimesh, 22 lojtarë duan një mundësi te klubi i Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2023 | 23:46

Fluks vetofrimesh, 22 lojtarë duan një mundësi te klubi i Kategorisë së Parë

Në Berat po punojnë në “hije” të plotë. Edhe pse shumica e skuadrave të Kategorisë së parë kanë bërë merkato dhe nisur përgatitjet e sezonit e ri, as te Tomori nuk po rrinë më kot. Kontaktet janë të vazhdueshme me futbollistë dhe menaxherë të ndryshëm, për të “peshkuar” të duhurit. Ka edhe nga ana që janë vetofruar dhe nuk janë pak, por 22 lojtarë.

TOMORI

Bëhet fjalë për vendës dhe të huaj, që janë gati t’i bashkohen projektit të klubit për sezonin 2023- 2024. Të vendosur para kësaj situate, stafi teknik është i detyruar që të bëjë edhe një fazë seleksionuese. Me anë të kësaj formule, do të evidentojnë elementët që do t’u shërbejnë për kampionin që nis në shtator. Këtë gjë e pranon për “Panorama Sport” numri dy i stolit, Polizoi Arbëri:

“Me miratimin e trajnerit të parë, kam dalë në stërvitje individuale me futbollistët e mbetur beratas. Për sa i përket merkatos, jemi të kënaqur nga interesimi i lartë i atyre futbollistëve, të cilët kërkojnë një vend te Tomori. Nuk janë vetëm shqiptarë, por edhe të huaj.

Numri i tyre ka arritur në shifrën 22. Por ne do të kalojmë gjithçka në fazën e seleksionimit paraprak, pasi synojmë dublimin e roleve në çdo pozicion, që fillon nga porta. Ne si staf kemi projektuar, sidoqoftë, që baza e ekipit të jetë ajo e sezonit të fundit. Kemi përcaktuar ndërkohë si datën e startit të stërvitjeve, 20 korrikun”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"