Flamurtari “ngec” në Peshkopi, Memushi: Ndëshkojmë veten si skuadër. Kumbarçe: Ishte një lojë e barabartë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2024 | 12:59

Flamurtari “ngec” në Peshkopi, Memushi: Ndëshkojmë veten si skuadër. Kumbarçe: Ishte një lojë e barabartë

Flamurtari “ngec” në Peshkopi. Vlonjatët nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 1-1 në transfertën ndaj Korabit. Të dy golat u shënuan në pjesën e dytë, ku fillimisht shënoi Korabi me Henry Markun dhe për vlonjatët barazoi Dalanaj.

korabi flamurtari

Takimi u zhvillua pa praninë e spektatorëve, por këta të fundit e kanë ndjekur nga tarracat e banesave dhe rrethimi i stadiumit. Trajneri Eqerem Memushi kishte bërë një ndryshim edhe në portë, teksa aktivizoi nga minuta e parë portierin Kaloshi. Qysh në nisje Flamurtari luan me pasa të shkurta me qëllim edhe studimin e kundërshtarit.

Të dy ekipeve u mungoi iniciativa në pjesën e parë, kur rrezikshmëria në portat respektive kishte të bënte me gjuajtjet nga distanca. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 0-0. Fraksioni i dytë nisi me të njëjtën fytyrë dhe rastin e parë e pati Taulant Marku, por portieri Kaloshi bën detyrën. Flamurtari ndëshkohet në momentin kur e kërkonte golin. Hnery Marku në minutën e 67-të kalon Korabin në avantazh me një goditje standarde. Flamurtari nuk pajtohet me rezultatin dhe hidhet në sulm për të barazuar.

Provon Paulo Pjeshka dhe Oliveira, por është vendimtar Qyrani. Barazimi do të vinte për vlonjatët në minutën e 76-të, teksa autor do të ishte Dalanaj i futur 9 minuta më parë në fushë. Me një top të marrë në hyrje të zonës, vlonjati driblon pesë lojtarë të Korabit dhe barazon shifrat në 1-1. Përpos rasteve për shënim nga të dy ekipet, që nuk u pajtuan me barazimin, nuk u bë i mundur që rezultati 1-1 të ndryshonte. Në fund skuadrat ndanë nga një pikë në Peshkopi.

Memushi: Ndëshkojmë veten si skuadër

Eqerem Memushi, trajneri i Flamurtarit, ka mbetur i pakënaqur nga barazimi, por jo loja. “Nuk na kënaq barazimi. Futbollistët kanë luajtur mirë dhe kemi pasur shumë shanse për të fituar. Lojtarët tanë janë me eksperiencë dhe duhet që të jenë më të kujdesshëm. Ne ndëshkojmë veten tonë si skuadër. Pavarësisht se rezultati nuk më pëlqen, jam i kënaqur nga loja e skuadrës.

Duhet që të merrni diçka më shumë. Kishim mundësi shumë të mira në pjesën e dytë, që duhet t’i shfrytëzonim. Përgëzoj Korabin, është një skuadër e fortë dhe me meritë mban atë pozicion. Tashmë do t’i duhet që të luftojë denjësisht për objektivin. Ishte vërtetë një takim i luftuar dhe një lojë ‘fair play’. Duhet të bëjmë maksimumin në vazhdimësi”.

Kumbarçe: Ishte një lojë e barabartë

Shpend Kumbarçe, trajneri i Korabit mendon se barazimi ishte një rezultat i drejtë. Për “Panorama Sport”, trajneri i Korabit deklaroi se edhe mund ta fitonin ndeshjen në fund. “Kur luan me Flamurtarin është e vështirë, por edhe kënaqësi. Ata kanë një kontigjent shumë të mirë lojtarësh. Në fakt, kjo ndeshje u luajt për barazim.

Të dy skuadrat kishin raste. Fundi mund të ishte i hidhur për Flamurtarin, pasi ne edhe mund të fitonim. Ishte një lojë e barabartë dhe me pak raste. Gjithsesi unë përgëzoj Flamurtarin. Është një pretendent shumë i fortë për t’u ngjitur në Superiore”, u shpreh pas ndeshjes në peshkopi, trajneri i Korabit, Shpend Kumbarçe.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"