Flamurtari, Memushi: Ndeshje prestigji ndaj Elbasanit, nuk e duam barazimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2024 | 11:09

Flamurtari, Memushi: Ndeshje prestigji ndaj Elbasanit, nuk e duam barazimin

Flamurtari-Elbasani është një ndeshje prestigji për Eqerem Memushin. Kreu i pankinës vlonjate thotë se skuadra duhet të ketë besim. Për “Panorama Sport”, trajneri Memushi pohon se ka besim te 25 lojtarët që ka në dispozicion, duke mos pasur diferenca në kualitete.

EQEREM-MEMUSHI

“Sfida me Elbasanin është shumë e vështirë. Kundërshtari udhëheq kampionatin, por duke parë edhe kualitetet e skuadrës sonë, besoj se do t’i kundërvihemi bukur. Duhet të kemi besim. Luhet një ndeshje prestigji. Më shumë luhet emri i Flamurtarit se sa rëndësia e takimit. Ne kemi problemet tona në skuadër, pasi do të na mungojë kapiteni Denis Pjeshka nga kartoni i kuq, si dhe Fjoralb Deliaj i dëmtuar. Megjithatë, grupi është i plotë. Unë e kam thënë gjatë gjithë kohës dhe kjo nuk është justifikim. Skuadra përbëhet nga 25 lojtarë dhe unë kam besim nga numri 1 deri tek i 25-ti. Në fund fare, është fusha ajo që flet, pasi të gjithë si lojtarë kanë pretendimet e tyre. Trajneri më i mirë është tifozi. Kështu që na vendos edhe ne në vështirësi për ta aktivizuar atë lojtar që ka pretendime”, shprehet fillimisht Memushi.

ELBASANI DHE SITUATA – Trajneri Eqerem Memushi, thotë se e ka vlerësuar kundërshtarin, por nuk i druhet aspak. “Nuk i druhemi kundërshtarit. Ne e kemi vlerësuar maksimalisht takimin, pavarësisht se na kanë ardhur dy rezultate që nuk duhet të vinin. Skuadra duhet të ketë vazhdimësi dhe të mësohet me fitore. Vijmë nga dy fitore që nuk janë pak dhe morali i skuadrës është i lartë. Kundërshtari është i fortë dhe nuk ka nevojë që të flasim edhe shumë përpara skuadrës për karikimin. Është vetë skuadra që të karikon”, thotë trajneri.

Memushi komenton edhe mungesat nga dëmtimet. ”Na shqetësojnë mungesat. Po ta shikosh, kjo skuadër është krijuar dhe ndërtuar te këta lojtarë që na mungojnë. Unë nuk kam asnjë lloj paragjykimi. Për mua lojtarët janë të gjithë njësoj. Unë kam shumë besim te skuadra. Po ta shikosh nga takimi i javës së tretë që unë i kam drejtuar, kemi pasur probleme serioze në skuadër. Janë për t’u falënderuar djemtë e rinj që u është dhënë mundësia për të luajtur. Unë dua të fitojmë çdo takim, por nuk i paragjykoj. Ata kanë dhënë maksimumin dhe i falënderoj për dëshirën që kanë treguar dhe kontributin që kanë dhënë. I uroj që të bëjnë më të mirën. Me Elbasanin, nuk duam barazim. Ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje, thjeshtë edhe për prestigj”, shprehet tekniku vlonjat.

MESAZHI- Eqerem Memushi fton tifozët që të dielën në orën 15:00, të jenë të shumtë në stadiumin e Vlorës, ndërsa premton një ndeshje të bukur. “Ju bëj thirrje sportdashësve vlonjatë që të jenë të pranishëm, pasi vërtet do të shikojnë një takim të bukur. Ju bëj thirrje për një ‘fair-play’. Të fitojë Flamurtari, të fitojë më e bukura. Nëse kundërshtari është më i fortë edhe ta duartrokasim, se nuk është ndonjë turp. Kjo tregon kulturën tonë sportive, siç e kemi pasur gjithmonë si qytet”, përfundon Memushi.

fl elb

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"