Flamurtari-Kastrioti 1-0, flasin dy trajnerët/ Resuli: Ia dolëm, por edhe shpërdoruam. Ndreu: Reaguam vetëm në pjesën e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2023 | 19:42

Flamurtari-Kastrioti 1-0, flasin dy trajnerët/ Resuli: Ia dolëm, por edhe shpërdoruam. Ndreu: Reaguam vetëm në pjesën e dytë

Dritan Resuli debutoi me fitore. Flamurtari mund 1-0 Kastriotin dhe kap vendin e tretë. Ndeshja u vendos nga braziliani Aleksandre di Estefano, i rikthyer në formacion pas dy javësh pezullim (nuk u grumbullua fare në Luz dhe qëndroi në stol në Ballsh, pas përplasjeve që kishte me ish-trajnerin Emiljano Çela).

MixCollage-04-Dec-2023-07-40-PM-3695

Trajneri i ri kishte bërë disa lëvizje në formacion, por edhe në skemë. Pas ndeshjes të dy trajnerët u prononcuan për “Panorama Sport”

 Resuli:  Ia dolëm, por edhe shpërdoruam

Dritan Resulin e kënaq fitorja, por jo rastet e shpërdoruara. Në prononcimin pas ndeshjes, trajneri deklaroi se tashmë mbetet që të punohet më shumë në sulm. “Në përgjithësi jam i kënaqur nga mënyra se si futbollistët e interpretuan lojën. Kemi pasur katër ditë në dispozicion për t’u përgatitur. Ka problematika që duhen rregulluar. Kishim edhe erën pak kundër në këtë ndeshje, na pengoi për të dalë në sulm. Pjesa tjetër pastaj ishte në rregull. Si rezultat mund të ishte edhe më i thellë për ne, por shpërdoruam. Na mbetet që të punojmë më shumë për të shkuar sa më afër portës. Për ndeshjen e ardhshme, do të kemi kohën për t’u rikuperuar”, përfundon numri një i stolit.

 Ndreu: Reaguam vetëm në pjesën e dytë

Ramadan Ndreu e kishte parashikuar të vështirë, por mendon se diçka e meritonin nga kjo transfertë. Pas ndeshjes, trajneri i Kastriotit tha: “E dinim që do të ishte e vështirë. Unë i kam thënë mendimet e mia për Flamurtarin qysh në fillim të kampionatit. Ka nivel ka kualitet dhe është vështirë ta mundësh. Nuk treguam cilësitë më të mirë në pjesën e parë, kur edhe erën e kishim kundër. Por pas pushimit, meritonim diçka më shumë. Vazhdojmë të kemi problem finalizimin… Flamurtari e meritoi fitoren. Ne këtë vit jemi një skuadër që nuk kemi shumë pretendime, pasi kemi probleme me stadiumin apo fushat. Nëse kapim gjashtëshen e parë, do të jetë mirë shumë”.

ERMAL SIKA –PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"