Flamurtari hap garën për kapiten, shiriti po bën “xhiro”/ Kandidatët e mundshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2023 | 23:28

Flamurtari hap garën për kapiten, shiriti po bën “xhiro”/ Kandidatët e mundshëm

Flamurtari hap garën për kapiten. Vlora nuk po gjen “rehat” për shiritin. Andi Ribaj e ka pasur këtë status deri në Kategorinë e Dytë, por me dëmtimin e tij “gradat” kaluan te Shpëtim Moçka. Me largimin e mistershëm të portierit në mesin e muajit nëntor, shiriti po bën… “xhiro”. I referohemi tri javëve të fundit të kampionatit.

flamurtari

Javën e 10-të dhe të 11-të, kur luanin me Burrelin dhe Tomorin, këtë rol e pati Denis Pjeshka. Ishte shkodrani kapiten në këto dy ndeshje. Ndërsa në javën e 12-të, përballë Besëlidhjes, shiriti kaloi në krahun e një tjetër shkodrani, Behar Ramadani.

Edhe gjatë fazës përgatitore dimërore, vazhdoi “avazi”. Në tri ndeshje, vlonjatët kanë pasur tre kapitenë të ndryshëm. Në miqësoren me Turbinën (1-0) ishte Denis Pjeshka që mbajti shiritin, me Labërinë (1-1) u “gradua” braziliani Indio Oliveira, ndërsa në testin më të fundit përballë Orikut (2-2) kapiten u bë Behar Ramadani.

KANDIDATËT

Kjo çështje do të marrë zgjidhje në Vlorë brenda kësaj jave, përpara ndeshjes me Apoloninë. Burime zyrtare pranë klubit shprehen për “Panorama Sport”, se janë dy mënyra që po diskutohen nga drejtuesit dhe stafi teknik për të përzgjedhur kapitenin e ri.

Një mënyrë më e mundshme është rrotacioni, të paktën ky është opsioni që preferohet prej vetë administratorit. Kjo shihet si një formë për të vlerësuar titullarët. Sidoqoftë, po diskutohet zgjedhja e një kapiteni. Klubi thotë, se ai mund të propozohet nga shumica e lojtarëve dhe më pas të marrë edhe dakordësinë e drejtuesve të klubit dhe trajnerit Marcelo Troisi.

Gazeta zbulon edhe kandidatët që po përfliten së tepërmi në klub si kapiten. Shanset më të shumta i ka Denis Pjeshka, ndërsa pas tij renditet braziliani Indio Oliveira.

Në lojë është edhe shkodrani Behar Ramadani. Por nuk mbeten jashtë as ish-kapiteni Andi Ribaj dhe mbrojtësi Lejdi Liçaj. Megjithatë ka edhe kritere që duhen plotësuar. Kapiteni i ri duhet që të jetë lojtar me eksperiencë, të ketë moshë të pjekur, të jetë mbi tre vite pjesë e Flamurtarit dhe të jetë titullar i padiskutueshëm.

MERKATO

Flamurtarit i është bashkuar së fundmi Enkelajdo Kamberaj. 20-vjeçari vlonjat sezonin e fundit ka qenë pjesë e Labërisë, ndërsa luante si sulmues.

Zbulohet edhe shkaku pse nuk u prezantua kurrë portieri Kristian Rroku. Stafi teknik nuk ishte shumë i bindur për të, ndaj edhe e kanë huazuar te cërrikasit. Vlonjatët kanë zyrtarizuar vetëm tri afrime deri më tani: Emanuel Mensah, Fabjan Beqja dhe Igor Uanderson da Silva.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"