“Flamurtari e luan Superioren me Elbasanin dhe Bylisin”, rrëfehet Dimar Bicaj: Ende nuk e kam lënë futbollin e luajtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2023 | 0:02

“Flamurtari e luan Superioren me Elbasanin dhe Bylisin”, rrëfehet Dimar Bicaj: Ende nuk e kam lënë futbollin e luajtur

Ditmar Bicaj “skanon” Flamurtarin. Ishmbrojtësi i cilëson shumë tri javë pa fitore, por e justifikon me faktin se është një skuadër e re dhe do kohë.

Bicaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, lezhjani e cilëson si një kthesë të rëndësishme, ndërsa nuk e diskuton fitoren në ndeshjen me Lushnjën. Mendon se në luftë deri në fund vlonjatët do të jenë me Elbasanin dhe Bylisin.

Bicaj, si e komentoni nisjen e Flamurtarit?

E rëndësishme është që Flamurtari rikthehet te fitorja. Tri javë pa fitore janë shumë, por duhet kuptuar që është ekip i ri. Janë ndërruar shumë lojtarë nga ekipi i vjetshëm. Kanë ardhur rreth 17-18 lojtarë të rinj.

Duan kohë që të njohin njëri-tjetrin, të njohin qytetin dhe klubin. Pavarësisht të gjithave, presioni ka qenë i madh. Por më gëzon fakti që u rikthyen te fitorja. Por duhet që të jenë të gjithë koshientë që të jesh pjesë e Flamurtarit duhet të jesh gjithmonë në tonus dhe në mendjen e çdo lojtari të jetë trepikëshi.

Nuk ishte një start që pritej apo jo?

I kam ndjekur të tria ndeshjet e fillimit nga afër. Siç duket, grupi i ri do kohën e vet. Presidenti Idrizi i ka plotësuar shumë kushte ekipit. Është skuadra që ka organikën më të mirë në Kategorinë e Parë. Normalisht duhet që të jemi edhe pak të durueshëm sepse kur ndërrohet i gjithë ekipi rezultatet nuk mund të vijnë direkt. Por sapo kanë filluar garën dhe mendoj se duke filluar që nga ndeshja e ardhshme duhet të kenë synimin vetëm për tri pikë, siç luajtën ndaj Vorës.

Mendoni se nga hapat fals kanë dalë pak nga objektivi?

Nuk mendoj se nga hapat fals që kanë bërë në këto javë të dalin jashtë objektivit. Me këtë fitore me Vorën sapo janë futur në shinat e duhura. Duhet të synojnë që të fitojnë në Lushnjë.

Një fitore kësaj here në transfertë do të bënte që të shkojnë direkt në vend të tretë dhe kur je aty je shumë afër vendit të dytë dhe të parë. Mendoj se pika kyçe është ndeshja e kësaj jave në Lushnjë. Kam shumë besim se ekipi është liruar edhe nga ana psikologjike pas fitores me Vorën dhe besoj që do të dalin me tri pikë nga Lushnja.

Cilat ekipe shikoni në garë për ngjitjen?

Mendimi im është se janë tri ekipe që luftojnë për dy vende. Janë Flamurtari, Bylisi dhe Elbasani. Deri tani shikoj një lloj entuziazmi shumë të madh tek ekipi i Elbasanit dhe dëshirë për të fituar. Është ekip që më ka pëlqyer shumë.

Po ashtu edhe Bylisi është një njohës shumë i mirë i Kategorisë së Parë. Me një organizim shumë të mirë. Kanë një president që e njeh këtë kategori mjaft mirë dhe punon shumë me talentet. Po ashtu edhe Flamurtari besoj se me organikën që ka të funksionojë sa më mirë në bashkëpunimin mes lojtarëve. Por uroj të mos ketë as penalizime nga gjykimi. Do të jenë në një luftë shumë të ashpër me njëritjetrin. Është shumë e vështirë të parashikohet tani. Por deri në maj unë shoh këto tri ekipe që të luajnë egërsisht për dy vendet e para.

Mendoni të riktheheni sërish në Vlorë?

Të jem i sinqertë e mendoj rikthimin në Vlorë. Kam marrëdhënie shumë të mira me presidentin dhe me njerëzit që janë aty në postet drejtuese. Gëzoj respektin maksimal. Normalisht do të rikthehem në Vlorë, por jo si futbollist.

Do të rikthehem ndoshta trajner, mbase drejtor, s’e di (qesh), akoma nuk e kam ndarë. Dëshira ime e madhe është të jem pjesë e Flamurtarit në të ardhmen, në një rol drejtues sepse në atë qytet dhe në atë klub kam ndier gjithmonë një respekt shumë të madh dhe për këtë jam shumë falënderues.

Po mendoni ta lini futbollin e luajtur?

Jo. Akoma nuk e kam lënë futbollin e luajtur. Jam duke u riaftësuar nga tendina e Akilit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"