Fjodor Xhafa lë futbollin: Vazhdoj si trajner i dytë te Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2013 | 10:27

Fjodor Xhafa lë futbollin: Vazhdoj si trajner i dytë te Bylisi

Xhafa Fjodor ne finalen e kupes Laci-Bylis 1-0Ka kohë që në pankinën e Bylisit, veç trajnerit Emanuel Egbo, ndodhet dhe futbollisti Fjodor Xhafa, i cili tashmë ka rolin e ndihmësit. Vetë sulmuesi tregon se e ka lënë futbollin e luajtur. Xhafa, një emër jo pak i njohur dhe me përvojë në kampionatin tonë, duket se ka varur “këpucët në gozhdë” dhe tashmë vëmendja e tij do të fokusohet te fusha e trajningut. Ai është trajneri i dytë i skuadrës ballshiote. Vetë Xhafa, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, tregon edhe planet e tij për të ardhmen. “Faktikisht u takova me presidentin, pata ofertë të vazhdoja si trajner i dytë ose dhe si futbollist. Kishte ardhur koha të zgjidhja rrugën midis të dyjave, mbasi është vështirë t’i bësh të dyja rolet, kështu që vendosa t’i përkushtohem pjesës së trajningut. Nuk pendohem në mënyrë absolute, pasi ajo që vlen është që unë do të jem sërish pjesë e futbollit”, – tha Xhafa. Më tej ai futet në pjesën teknike dhe flet për ekipin, tashmë si numri dy i stolit. “Jemi akoma në mbylljen e fizionomisë së ekipit, ndaj është më mirë të flasim kur të mbyllet merkatoja. Priten edhe dy blerje të reja, por nuk mund t’i them emrat apo repartet ku ata luajnë. Sa për kontratat, përsëri them se përgjigjet dikush tjetër. Ne së bashku me trajnerin po zhvillojmë stërvitje në bazë të një programi të detajuar, ku i gjithë grupi është përgjigjur duke i përballuar me sukses. Gjatë fazës përgatitore kemi bërë një punë të mirë, duke u dhënë të gjitha ngarkesat, gjë që do të na lehtësojë në kampionatin që do të vijë. Kemi zhvilluar miqësore, të cilat i kanë shërbyer ekipit për harmonizimin e lojës së gjithsecilit. Edhe ne kemi objektivat tanë, por duke parë dhe përforcimet do të detajohet akoma më mirë. Megjithatë synimi ynë është i qartë, që tashmë ne do të luftojmë për të zënë një vend në Kupat e Europës. Edhe pse e lashë futbollin, ndoshta do t’i shërbej më mirë ekipit. Sa për pretendimet për titull, mendoj se Skënderbeu vjen nga një vazhdimësi pozitive dhe po në këtë linjë shoh edhe ekipin e Kukësit, gjithnjë po ruajti grupin”, – përfundoi vlonjati.
Pëllumb Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"