“Fitorja në Laç na zgjoi”, Marku: “Luftë” edhe me Vllazninë, tani të afrohemi me kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2023 | 23:02

“Fitorja në Laç na zgjoi”, Marku: “Luftë” edhe me Vllazninë, tani të afrohemi me kreun

Ndoshta pakkush be sonte se Dinamo do të fitonte në fushën e Laçit, duke parë situatën që po kalonte kjo skuadër, me 4 humbje të pësuara në 5 javë. Por blutë bënë një ndeshje shumë të mirë në këtë transfertë, gabuan pak dhe ndryshe nga javët e mëparshme, u treguan efikasë.

DINAMO

Në kampin dinamovit konsiderohet si nisja e kthesës, tani duhen të tjera fitore, për ta çuar skuadrën drejt vendeve të para. Albion Marku, një nga lojtarët e Dinamos që e njeh më mirë Superioren, në një intervistë për “Panorama Sport” shprehet se fitorja në Laç e ka zgjuar skuadrën. Mbrojtësi i krahut të djathtë vlerëson faktin që në ndeshjen e fundit blutë ishin më të bashkuar dhe luftuan fort deri në fund. Sipas tij, kështu duhet të jetë në çdo ndeshje, që Dinamo të shkojë në 4-shen e parë.

Pas atij fillimi të vështirë, me disa humbje, fitorja në Laç duket sikur e ka ndryshuar situatën. A mund të themi se ka ardhur kthesa e Dinamos?

Çdo ndeshje kampionati ka rëndësinë e saj, por për momentin që po kalonim mund të them se ndeshja me Laçin sikur na ka “zgjuar”. Kam mendimin se ajo fitore që arritëm në atë transfertë do të na ndihmojë shumë që të ecim përpara. Sigurisht që nuk mund të kënaqemi me kaq.

Çfarë ndryshoi në atë ndeshje, ku ekipi ishte më agresiv, më luftarak?

Unë do të thosha se Dinamo në çdo ndeshje të luajtur deri tani ka dhënë maksimumin, jo vetëm me Laçin. Por në disa ndeshje fati nuk na ka ndihmuar për të shkuar te rezultati pozitiv. Në Laç morëm atë që merituam për atë që dhamë në fushë. Luftuam së bashku deri në momentin e fundit për të marrë atë 3-pikësh të çmuar, që na ndihmoi shumë në aspektin e renditjes, por edhe në planin moral.

Një hap është bërë dhe tani vjen Vllaznia, ku duhet një lloj konfirmimi. Si e mendon këtë ndeshje?

Ndeshja me Vllazninë është e vështirë, si çdo ndeshje e Superiores në fakt, sepse asnjë kundërshtar nuk është i lehtë. Pres të jetë një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat, ashtu si ajo me Laçin. Di të them se ne do të bëjmë maksimumin nga minuta e parë e deri tek e fundit për të marrë fitoren e radhës dhe për të ngjitur shkallët e renditjes. Duhet ta përgatisim këtë sfidë në mënyrën më të mirë dhe të jemi të përqendruar për të mos bërë hapa prapa.

Si lojtar me eksperiencë, cila është këshilla juaj për ekipin në këtë moment?

Do t’u thosha shokëve të skuadrës vetëm që në çdo moment të jemi të bashkuar dhe të japim gjithçka nga vetja. Vetëm të bashkuar do t’ia dalim të arrijmë objektivin që ka klubi për këtë sezon.

Duke parë këto 6 javë kampionati, sa shanse ka Dinamo të jetë në 4-shen e parë në fund, sipas jush?

Dinamo është një ndër ekipet më të mëdha në Shqipëri. Mund dhe duhet të jetë në 4- shen e parë të Superiores në fund të këtij kampionati. Skuadra është dhe impenjimi nuk mungon nga të gjithë. Në futboll nuk flitet asnjëherë me siguri dhe gjithçka mbetet për t’u parë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"