Fitorja me Flamurtarin, si “oksigjen” për shpëtimin e Tomorit. Oshafi: Luftojmë deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 16:49

Fitorja me Flamurtarin, si “oksigjen” për shpëtimin e Tomorit. Oshafi: Luftojmë deri në fund

Vetëm matematika i mban ende gjallë shpresat e beratasve për mbijetesën në Kategorinë e Parë. Janë të shumtë ata që mendojnë se do të jetë ndeshja e fundit e kësaj faze, ndaj Flamurtarit, ajo që do të përcaktoj të ardhmen e Tomorit.

oshafi tomori

Duke ju referuar një logjike të thjeshtë dhe bazuar në skemën e ndeshjeve të fazës tretë, në Berat pothuajse e kanë të parashikuar fatin e skuadrës së tyre të zemrës, që në rast të një humbjeje të mundshme me Flamurtarin në shtëpi këtë fundjavë, ata do të përballen me një kalendar ferri. Humbja do ta thellonte distancën e pikëve me dy skuadrat e renditura në vendet 9 dhe 10, që shmangin rënien direkt nga kategoria. Ndaj, ndeshja me Flamurtarin pritet me shumë interes, gjë që është reflektuar edhe nga përgatitjet që ka zhvilluar skuadra gjatë kësaj jave, me shpresën për ta përballuar në mënyrë sa më dinjitoze kundërshtarin.

Fitorja e mundshme e Tomorit konsiderohet në Berat si një lloj oksigjeni për të mbajtur gjallë shpresat për mbijetesën. Për këtë arsye, pritet një mobilizim total jo vetëm i skuadrës në fushë, por edhe organizimi dhe mbështetja e tifozërisë vendase për të tentuar së bashku, që të japin gjithçka për fitoren aq shumë të dëshiruar.

 

Oshafi- Këtë e ka konfirmuar për “Panorama Sport”, pas seancës së djeshme stërvitore, sulmuesi beratas Aldrit Oshafi. “Pavarësisht pozicionit të vështirë që kemi në renditje si dhe kalendarit që kemi përpara në fazën e tretë, ne nuk jemi të dorëzuar. Do të luftojmë deri në fund të mundësive që na jep matematika. Por, fillimisht na duhet që të fitojmë ndaj Flamurtarit, që është në këto momente po aq cilësor dhe që meriton elitën sa dhe dy skuadrat kryesuese.

Kështu që, do të provojmë gjithçka ndaj tyre ditën e dielë. Në futboll nuk ka asgjë të pamundur, gjithnjë në rast se beson te suksesi edhe nëse përballë ke një kundërshtar me kualitete si Flamurtari. Besojmë si skuadër, se edhe me ndihmën e tifozërisë, do të luftojmë denjësisht për të marrë maksimumin dhe të mbajmë gjallë shpresat për mbijetesën”, u shpreh sulmuesi shtatlartë i Tomorit, Aldrit Oshafi.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"