“Fitorja me Bylisin na jep qetësi për katërshen”! Nga Shkodra në Fier, Maksuti i bindur te suksesi me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2024 | 13:20

“Fitorja me Bylisin na jep qetësi për katërshen”! Nga Shkodra në Fier, Maksuti i bindur te suksesi me Apoloninë

Apolonia vijon të bindë me rezultate dhe lojë, gjë që u pa edhe të dielën ndaj Bylisit, ku skuadra e trajnerit Mërgjyshi fitoi në shtëpi në shifrat 4-1. Erald Maksuti shënoi golin e tretë në derbi dhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi nga Shkodra u shpreh i lumtur për fitoren dhe shpall synimet për sfidat e mbetura.

maksuti apolonia

Maksuti, shënuat golin e tretë për Apoloninë dhe nuk e vutë në diskutim fitoren ndaj Bylisit. Cili ishte çelësi i suksesit?

Jam i lumtur që arrita të ndihmoj ekipin. Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë duke e dominuar kundërshtarin në çdo aspekt. Këtë herë mundëm ta “vrisnim” ndeshjen me rastet e krijuara. Kjo fitore na jep qetësi për takimet e mbetura. Ishte një ndeshje që e kishim përgatitur shumë mirë, duke marrë udhëzimet e duhura nga trajneri dhe duke i shfaqur në mënyrën më të mirë të mundshme në fushën e lojës. Jemi një grup shumë i mirë, që funksionon si një familje e bashkuar.

Si ndiheni pas golit të shënuar, që ju mungonte prej disa javësh?

Ndihem shumë mirë dhe më kryesorja i çliruar. Gjithmonë jam munduar të jap më të mirën për Apoloninë. Kam pasur shumë raste për të shënuar, por nuk kam finalizuar. Tani rëndësi kanë pikët dhe jemi të kënaqur.

Cili është objektivi personal për këtë sezon?

Objektivi im është të ndihmoj ekipin sa herë që jam në fushë. Gëzoj formë të mirë fizike dhe kjo më jep shansin të shfrytëzoj dhe të vë në dispozicion të skuadrës aftësitë e mia. Do të bëj gjithçka për të kryer me përpikëri detyrat që trajneri. Më pëlqen të sakrifikoj dhe do të mundohem të jap gjithçka dhe të shpërblej besimin e klubit.

Fazën e tretë e keni nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, besoni se në fund Apolonia do të jetë pjesë e katërshes së parë?

Patjetër që po, sepse vijmë pas një ecurie pozitive në fazën e tretë dhe mbi të gjitha pas disa ndeshjeve ku kemi treguar lojë të mirë dhe kemi dominuar kundërshtarët. Duhet të vijojmë me këtë ritëm pozitiv. Përpara kemi tri ndeshje të vështira, pasi çdo ekip ka objektivat e veta. Duhet të sakrifikojmë shumë, por Apolonia i ka të gjitha shanset e mundësitë për vendin e katërt. Ky pozicion të jep më shumë besim për takimet teke në “play off”, pasi do të shkonim me dy favore, faktorin fushë dhe pranimin e dy rezultateve.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"