Fitorja me Burrelin konsiderohet si detyrim, Memushi: Flamurtari nuk dorëzohet për dy vendet e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2024 | 9:40

Fitorja me Burrelin konsiderohet si detyrim, Memushi: Flamurtari nuk dorëzohet për dy vendet e para

Trajneri Eqerem Memushi kërkon 3 pikët të dielën me Burrelin. Ai do të jetë edhe këtë ndeshje nga tribuna.

Memushi

Në një intervistë për “Panorama Sport” trajneri vlonjat thekson se ndeshja duhet zhbllokuar shpejt, ndërsa shpreson ende për dy vendet e para. Flamurtari pritet të ketë 4 mungesa ndaj Burrelit, ku nuk luajnë kapiteni Denis Pjeshka, Beji dhe Hasa për shkak dëmtimi. Për të njëjtën arsye rrezikon edhe Fabio Beqja, megjithatë ndaj matjanëve duhet patjetër fitorja.

Memushi, si e prisni ndeshjen e radhës me Burrelin?

Detyrat tona dihen, është ndeshja e parë e fazës së tretë në shtëpi dhe e kemi detyrim moral trepikëshin. Burrelin e kemi mposhtur tri javë më përpara, pak a shumë e njohim. Skuadra është përgatitur mirë dhe seriozisht, lojtarët e dinë që 3 pikët i kanë detyrë.

E njihni tashmë kundërshtarin, ku mendoni se do ta godisni?

Në çdo moment duhet të jemi të vëmendshëm dhe ta godasim sa më shpejt. Kundërshtari do të jetë i mbledhur, me mbrojtje të ngjeshur, ndaj duhet të luajmë sa më shpejt për ta zhbllokuar ndeshjen.

Në fazën e 3-të do të rikuperoni diçka, besoni për dy vendet e para?

Matematika të lë të mendosh. Janë 11 takime, 33 pikë në lojë dhe nuk duhet të gabojmë. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, pastaj t’ua lëmë kundërshtarëve: nëse gabojnë ne duhet të përfitojmë. Ecuria jonë duhet ta jetë konstante deri në fund të fazës së tretë. Pastaj bëhen llogaritë ku do të shkojmë.

Futbollistët dhe ish-trajnerët po vlerësojnë punën tuaj. Si ndiheni?

Është një pjesë e punës, por falënderimet për këtë paraqitje i takojnë gjithë skuadrës. Lojtarët janë aktorët dhe ata kanë arritur këto rezultate, si dhe të kthejnë në stadium publikun vlonjat. Nëse do të jenë këto rezultate dhe në vazhdim, atëherë mendoj se kanë realizuar një detyrë. Nuk dua të merrem me gabimet që janë bërë, duhet të shkojmë drejt.

Po ju përgjigjet skuadra sikundër dëshironi?

Në pjesën më të madhe më është përgjigjur. Kemi lojtarë me eksperiencë që kanë luajtur në nivele të larta, ata e kanë marrë skuadrën përdore dhe suksesi u takon atyre, pa nënvlerësuar pjesën e re që po jep një kontribut të shkëlqyer.

Nga cilët emra prisni më shumë?

Nuk ka emra, në skuadër nuk ka më të rinj dhe të vjetër. Janë 25 lojtarë dhe të gjithë janë të vlerësuar, pjesa e eksperiencës do të drejtojë pjesën poshtë. Grupi është shumë i mirë.

E ndjeni mbështetjen e tifozëve?

U thashë lojtarëve: ‘jeni ju ata që i keni afruar tifozët dhe pas fitores 1-4 në Berat do kemi më shumë tifozë në stadium. Ata janë mbështetja jonë kryesore, i ftoj të vijnë, sepse publiku të jep tjetër vlerësim për ndeshjen, tjetër moral. Skuadra shprehet më lirshëm.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"