Firmos Nunjes, Shkumbini akord edhe me dy mbrojtës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 18:26

Firmos Nunjes, Shkumbini akord edhe me dy mbrojtës

Shkumbini nuk heq dorë nga brazilianët. Pas firmës me mbrojtësin Zhan Brandao Porto, dje ka firmosur edhe sulmuesi Ikaro Freire Nunjes. Ky i fundit është federuar dhe do të jetë pjesë e organikës për fazën e dytë të kampionatit.

shkumbini

Por nuk janë të vetmit lojtarë që vijnë nga vendi i “sambës”, pasi klubi është pranë marrëveshjes me dy të tjerë. Bëhet fjalë për dy mbrojtës, konkretisht 23-vjeçarin Artur da Silva dhe 20-vjeçarin Juri Roça da Konseisao. Është vetë trajneri Love Kestelot që i ka përzgjedhur dhe po ai që do të thotë fjalën e fundit, nëse vlejnë apo jo për skuadrën që drejton.

Afrikani e ka të lehtë komunikimin me brazilianët dhe ky është shkaku që vëmendjen e ka hedhur pikërisht andej për të plotësuar organikën. Nëse ata do të bindin në aspektin teknik, atëherë drejtuesit do të vijojnë për nënshkrimin e kontratës së tyre. Pas largimeve të shumta në radhët e titullarëve, duket se Shkumbini do të gjejë “shërim” në tregun brazilian. Megjithatë, klubi ka për synim t’u japë shansin edhe futbollistëve të rinj të talentuar vendas.

Kështu ndodhi përballë Vorës, ku u aktivizuan elementë nga ekipi U-19. Ditët në vijim pritet që të jenë përcaktuese në lidhje me të ardhmen e futbollistëve që kanë ardhur në provë, në mënyrë që të mund të aktivizohen përballë Apolonisë në javën e dytë të kësaj faze. Për peqinasit nuk ka nisur mirë faza e dytë, e megjithatë qëllimi është që të mos e diskutojnë mbijetesën. Aktualisht janë në vendin e 9-të dhe do të bëjnë çmos që të mbeten në këto ujëra.

FATMIR AHMETI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"