Finale mbijetese, Besa fundos Tomorin me 4 gola. Droboniku, sytë nga të rinjtë, Bubeqi: Momenti i duhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2024 | 15:10

Finale mbijetese, Besa fundos Tomorin me 4 gola. Droboniku, sytë nga të rinjtë, Bubeqi: Momenti i duhur

Brenda një jave Besa arrin të marrë dy fitore, e fundit në shifrat 4-1 në Berat, duke “ngelur” në matematikë Tomorin. Kavajasit festojnë njëkohësisht fitoren e komshinjve-rivalë, Luzi 2008, ndaj Burrelit në Lushnjë.

TOMORI BESA

Tomori ka shpërdoruar një tjetër mundësi në fushën e tij për të fituar një finale mbijetese dhe për të mbajtur gjallë shpresat.

Ndeshja– Besa e nis me ide të qarta takimin, duke e kërkuar golin me ngulm, që vjen shumë shpejt. Minuta 4, aksion i shpejtë nisur nga mbrojtja kavajase dhe sulmuesi Mustafa Ba brenda zonës nuk fal dhe shënon një gol të bukur,0–1, për Besën. Tomori reagon dhe krijon dy raste me Oshafin dhe kapitenin Çaço, por pa rezultat.

Në minutën e 13-të Besa dyfishon shifrat në 2-0, ku mesfushori Spahiu me një goditje nga distanca e dërgon topin në rrjetë duke befasuar beratasit. Edhe pas disavantazhit të dyfishtë, vendasit nuk dorëzohen dhe marrin udhëzime nga Droboniku që të shtojnë forcën sulmuese. Në minutën e 28-të portieri i Besës, Ahmetaj, shkakton penallti, dhe gjuajtjen nga pika e bardhë e merr përsipër Deliu. Mesfushori kavajas i Tomorit gabon te gjuajtja e 11-metrëshit, pasi topi përplaset në shtyllën e djathtë pingule të portës së Besës. Të dy ekipet kanë raste në minutat në vazhdim, por pa mundur që të ndryshojnë shifrat 0-2 me të cilat u mbyll pjesa e parë.

Tomori nuk ka çfarë të humbas dhe hidhet i gjithi në kërkim të golit me fillimin e pjesës së dytë, ndonëse ky fraksion nisi me një mundësi të miqve. Në minutën e 62-të vendasit hapin ndeshjen me golin e Oshafit. Falë entuziazmit Tomori ka një mundësi për të barazuar në të 64-ën, por Ahmetaj kësaj radhe ndalon gjuajtjen e Oshafit. Miqtë shfrytëzojnë momentin entuziast të Tomorit, që i hedhur i gjithi në sulm, lë hapësira në prapavijë. Atë që nuk e realizoi Tomori e bëri mjaft mirë Besa me anë të kundërsulmit të shpejtë. Kavajasit shënuan dy herë në minutat 76 dhe 84 me lojtarët që hynë si zëvendësues. Fillimisht Shurdhiqi finalizon një aksion të gjatë brenda zonës dhe më pas Reçicaj futet i vetëm në zonë duke shmangur edhe portierin Zema duke vulosur përfundimisht shifrat 1-4 në favor të Besës, e cila po bën gjithçka për t’i shpëtuar rënies direkte, gjë të cilën Tomori nuk po ia arrin dot ta kryej.

Droboniku, sytë nga të rinjtë

Iken Droboniku, trajneri i Tomorit, pas ndeshjes u shpreh: “Nuk kam çfarë të them më shumë, pasi po vuajmë pasojat e ndërtimit të dy ekipeve brenda një sezoni. Për ndeshjen me Besën nuk mund të fajësoj aspak ekipin, pasi lojtarët dhanë gjithçka për një rezultat pozitiv. Kur po bënim gjithçka për të barazuar shifrat në 2-2 erdhën dy golat që sollën humbjen. Falënderoj tifozët për mbështetjen dhe tani të hedhim sytë nga elementi i ri”.

Bubeqi: Momenti i duhur i Besës

Dorjan Bubeqi, trajneri i Besës, pas ndeshjes tha: “Jam sa i kënaqur, aq edhe i dëshpëruar pas këtij takimi. Largohemi nga Berati me tri pikë të arta, siç e kishim objektivin, por jam i dëshpëruar për situatën që kalon ish-skuadra e Tomorit. Mendoj se çelësi i suksesit ishte mbrojtja e sigurt, që përballoi mjaft mirë presionin e Tomorit. Ky është momenti i duhur i Besës dhe shpresojmë që të vijojmë me këtë ritëm të lartë dhe siguri”.

 

Pikante nga ndeshja

– Takimi nisi 9 minuta me vonesë, për shkak të ambulancës që transportoi në spital një punonjës të sigurisë, pasi kaloi një problem shëndetësor.

– Ndryshe nga takimet e mëparshme, të pranishëm në stadium nuk kanë qenë më shumë se 300 persona, edhe pse hyrja ishte pa biletë.

– Në përfundim të ndeshjes, tifozëria beratase ka duartrokitur fitoren e Besës që drejtohet nga një ish-idhull në Berat, trajneri Dorjan Bubeqi.

 EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"