“Final 4”, ja bonuset që i presin ekipet e Superiores/ Projektohet fond solidariteti edhe për 6 skuadrat e tjera

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2024 | 22:23

“Final 4”, ja bonuset që i presin ekipet e Superiores/ Projektohet fond solidariteti edhe për 6 skuadrat e tjera

Këtë sezon Kategoria Superiore në vendin tonë pësoi një ndryshim në formatin e garës. Një vendim i Komitetit Ekzekutiv në mes të muajit korrik shtoi fazën “Final 4”, e cila do të luhet në fund të 36 javëve kampionat të rregullt.

final 4

Ky ndryshim erdhi që klubet në një anë të arkëtojnë një shumë sa më të lartë të ardhurash, pasi kjo fazë pritet të ketë interes, duke qenë se do të vendosë fatet e kampionatit.

Dhe në lidhje me përfitimet, “Panorama Sport” mëson nga burimet e saj se nga të ardhurat që do të mblidhen nga “Final 4”, deri në 40 për qind e shumës do të shkojnë për ekipet që nuk marrin pjesë në katërshe, si një lloj fondi solidariteti. Ndërkohë, fituesja e “Final 4” do të marrë 100 milionë lekë si bonus, përveç të ardhurave që do të vijnë nga pjesëmarrja në Europë.

PËRFITIMET

Në “Final 4”, katër ekipet e para do të përballen me njëra-tjetrën në dy gjysmëfinale dhe një finale, teksa do të ketë edhe një ndeshje për vendin e tretë dhe të katërt. Edhe pse fillimisht u miratua një format ndryshe për “Final 4”, me grumbullim pikësh, versioni i dhënë sipër ishte ai që u vendos përfundimisht. Ndërkohë, fituesja e “Final 4” sipas rregullores do të përfitojë 100 milionë lekë të vjetra, përveç asaj shume që do të marrë nga renditja në kampionat.

Në katër ndeshje që janë gjithsej, parashikohen që të ardhurat të kapin vlerën e 1 milion eurove, megjithatë kjo do të varet edhe nga skuadrat që do të marrin pjesë. Nga shitja e të drejtës televizive, gjithashtu nga shitja e biletave apo marketingu, me sponsorët që mund të tërhiqen në ato ndeshje, do të jetë një bonus i majmë për të gjitha klubet e Superiores.

Një pjesë e të ardhurave, pritet t’u shpërndahen gjashtë ekipeve të tjera të kampionatit, si një lloj bonusi solidariteti. Të gjitha këto ndeshje do të luhen në impiantin “Air Albania” në kryeqytet. Prej një jave ka nisur edhe shitja e biletave për këto ndeshje, por duke qenë se ende ka dilema për katër vendet e para. Shitja nuk ka qenë ajo që pritej, edhe pse ka kohë deri në periudhën 17-26 maj, kur do të zhvillohen edhe takimet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"